Ernesto Cardenal: Lutje për Marylin Monroe

monroe


Zot,
pranoje këtë vajzë e njohur për të gjithë me emrin Marylin Monroe
edhe pse ky nuk ishte emri i saj i vërtetë,
(por Ti e di emrin e saj të vërtetë,
atë të një jetimeje që  në moshën nëntëvjeçare e përdhunuan,
të shitëses së vogël,
që në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare deshi të vetëvritej)
dhe që tani vjen para Teje pa makiazh,
pa agjentët e saj të shtypit
pa fotografë dhe pa nënëshkrime autografësh,
fill e vetme, si një astronaut përballë natës në hapësirë.

Qysh e vogël ëndërroi sikur ishte nudo në një kishë
(kështu shkruajti  “Time”) përpara një turme të gjunjëzuar,
me kokat e tyre në dysheme
dhe i duhej të ecte në majë të gishtave, për të mos i shkelur.
Ti i njeh ëndërrat tona më mirë se psikiatrit.
Kishë, shtëpi, shpellë, nënëkuptojnë sigurinë si në barkun mëmësor,
por dhe diçka më shumë…
Kokat janë admirusit, kjo duket ashiqare,
(moria e kokave në errësirë poshtë fluksit të dritës).
Por tempulli nuk është “Sdudjoja Fox e Shekullit Njëzetë”.
Tempulli, prej mermeri dhe floriri, është tempulli i trupit të saj,
në të cilin qëndron Biri i Njeriut me kamzhik në dorë.
Duke dëbuar tregëtarët e “Studios Fox”,
që e bënë shtëpinë Tuaj të lutjes strofkë hajdutësh.

Zot,
në këtë botë të molepsur nga mëkatet dhe radioaktiviteti
Ti nuk do të fajësosh vetëm një shitëse të vogël
që, si të gjitha shitëset e tjera, ëndërroi të bëhej një yll kinemaje.
Dhe ëndërra e saj u bë realitet ( veç një realitet Teknikolor).
Ajo luajti vetëm sipas skenarit që i dhamë
-skenari i jetës sonë. Dhe ishte një skenar absurd.
Fale Zot atë, dhe falna ne,
për “Shekullin e njëzetë”
për atë Super – Prodhim Kolosal, për të cilin punuam të gjithë!
Ajo kishte uri për dashuri dhe ne i ofruam qetësues.
Për fatkeqësinë e saj, sepse nga që nuk ishim ëngjëj,
 i rekomanduam një psikoanalizë.
Kujtoje, Zot, atë frikën e saj para kamerave,
urrejtjen e saj për makiazhin – këmbëngulëm të bënte makiazh për çdo skenar
dhe si shtohej pastaj ankthi
duke e bërë atë të vonohej për në studio.

Si të gjitha shitëset
ëndërroi të bëhej yll kinemaje.
Dhe jata e saj ishte ireale
si një ëndërr që një psikiatër interpreton dhe arshivon.

Historitë e saj të dashurisë ishin puthje me sy të mbyllur
dhe kur ajo i hapte ata
zbulonte se kjo ndodhte përballë projeksioneve!
dhe projeksionet shuhen!
dhe ata çmontonin të dy muret e dhomës
( ishte një sfond kinematografik)
ndërsa regjizori e ndërpriste skenarin e tij ,
sepse skena ishte realizuar.
Ose si një udhëtim me jaht, një puthje në Singapor,
vallzim në Rio, një pritje në shtëpinë e Dukës dhe Dukeshës së Uindsorit,
siç e pa nga dhoma e një hyrjeje mizerje.

Filmi përfundoi pa puthjen e fundit.
Ajo u gjend e vdekur në krevat me telefon në dorë.
Dhe hetuesit nuk e mësuan kurrë kujt ishte përpjekur t’i telefononte.
Ajo dukej,
si dikush që i kishte bërë thirrje numrit të të vetmit zë miqësor
dhe dëgjoi vetëm zërin e sekretarisë që përsërit: KENI GABUAR NUMURIN!
Ose, si dikush që i plagosur nga gangsterët,
shtrin dorën drejt telefonit me kabëll të këputur.

 Zot,
cilido që mund të ketë qënë ai, që ajo i bëri thirrje
dhe nuk u përgjigj (dhe ndoshta nuk ishte askush
ose ishte Dikush, emri i të cilit nuk gjendet në katalogun e Los Anxhelosit), 
përgjigju Ti në telefon!


Shqipëroi: Dashamir Malo