
Nga Eduart Bardhi
Prodhimi letrar i Trebeshinës demistifikon lexuesin, sidomos me prozën Odin Mondvalsen[1], duke pretenduar të mos i ofrojë një subjekt të mirëfilltë, që është tipari kryesor i antiromanit, dhe ai që pati theksuar Sartri: krijimi i një realiteti psikologjik. Subjekti i kësaj vepre përbën një ndërtim artistik që reflekton një personazh në raport me veten dhe botën që e rrethon. Imazhi i personazhit, emri i të cilit përmban vepra, formohet kryesisht nëpërmjet vetezbulimit dhe përjetimeve personale, si dhe përmes atyre pak veprimeve që i lejohet të realizojë. Rrëfimi i këtij personazhi nuk është tipik për traditën e letërsisë shqipe, e cila zakonisht ndërton subjektet në bazë të veprimeve të jashtme,[2] ku karakterizimi i tyre vjen nga marrëdhëniet që krijojnë me personazhet e tjerë.
Njeriu si qenie ekzistencialiste: Subjekti kryesor i Odin Mondvalsen është një individ i tëhuajsuar me identitetin e tij që përballet me pyetje ekzistenciale thelbësore, si “Kush jam unë?” dhe “Çfarë do të thotë të jetosh?”
Jo! Unë isha tek ai vendi atje poshtë dhe kisha një emër. Tashti jam këtu dhe kam një emër tjetër… Ndofta atje nuk kisha asnjë emër, pasi më kishin thirrur me një emër. Dhe tashti jam…
Po, mua më quajnë…
Ata qeshin se mua më quajnë.
Ç’ka këtu për të qeshur?
Më parë kisha një emër, kurse tashti më quajnë… Më quajnë Odin Mondvalsen[3].
Ç’punë u prish atyre se mua më quajnë kështu? Nuk e keni dëgjuar ndonjëherë këtë emër? Shumë mirë: dëgjojeni tani! Si?… Nuk doni ta dëgjoni? Pse… Sepse nuk e keni dëgjuar? Dhe pastaj…
Nuk e ke dëgjuar më parë? Dëgjoje tani.
Njerez me bluzat e bardha vijnë rrotull, më bëjnë inxheksione dhe ikin.
Mjedisi i një spitali burgu perceptohet si i kombinuar me marrjen në pyetje, ku hetues dhe mjekë bashkëpunojnë drejt një qëllimi absurd: qetësimin e pacientëve përmes lavazhit mental.
Në vizionin e imagos së hetuesve, mendimi i pavarur i personazhit mjafton për të ndikuar në ndryshimin e psikikës së pacientëve për t’i “shëruar nga mendimi”. Shkaktimit të traumave me pyetësorë dhe anketat perfide, Odini iu përgjigjet me mjetet e teatrit të absurdit, si kthimi me fytyrë nga muri, veshja me kostum në mendine, identifikimi me personazhe të lashtësisë si Faraoni dhe Putifari, deri tek sulmi fizik mbi “kushëririn” e Ministrisë. Këto komponente aktoriale shfaqen si mjete mbrojtëse për të shpëtuar ekzistencën e personazhit.
Liria dhe skena alienuese: Një nga temat kryesore që del në pah është dëshira për liri dhe ndjenja e alienimit. Personazhi përjeton një mungesë lirie, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në atë mendor dhe psikologjik. Kjo ndjenjë e privimit është një nga motivet që e shtyn atë të kërkojë kuptim dhe identitet. Skena narrative e Trebeshinës ka krijuar një skenë alienuese në “Mars”, që dialogon me genesis narrative midis rusishtes-shqipes dhe kulturës evropiane të përfaqësuar nga Odin Mondvalsen, heteronim mbretëror, paraardhës i princit Hamlet.
Vijnë ata pa bluza dhe nuk duan të dinë fare për emrin tim. Ata nuk duan të besojnë se unë isha në Hënë dhe, pasi varrosa katër shokët e mi, erdha këtu në Mars dhe u bëra Odin Mondvalsen!
Jo! Odin Mondvalsen unë isha edhe më parë se të zbrisnim në Hënë. Odin Mondvalsen unë isha atëherë kur nuk isha unë[4]. Pastaj zbritëm në Hënë, ku mblodhëm kunguj, domate dhe qiqra.
Ndonëse në këtë distancim hapësinor, autori kërkon t’i japë një përmasë mendimit si pacenueshmëri e filozofisë platoniane, si liri e pakufizuar nga mjetet e dhunës, një logocentrizëm i bartur nga personazhi “sokratik” Odin Mondvalsen. Personazhi është në prag të një gjendjeje të thellë psikologjike, duke u përballur me traumatizimin dhe persekutimin, që i ngatërron ditët dhe ngjarjet, kohët dhe vendet, origjinën dhe vendndodhjen. Kështu, mendja e tij krijon një autopsi të një realiteti absurd, ku ekzistojnë shoqëri totalitare, si ajo shqiptare nën regjimin diktatorial të komunizmit.
Vendi ku ndodhin ngjarjet, megjithëse shtegton në një fantazi të sëmurë përmes deteve e oqeaneve, pasqyron realitetin simbolik të Shqipërisë komuniste. Gjithashtu, ka referenca që shkojnë deri në vendet arabe dhe nordike, duke ofruar një pamje më të plotë të paranojës universale të totalitarizmit në një botë të pambrojtur ndaj së keqes universale.
Eksperimenti psikiatrik si sistem: Shfaqet si një mënyrë për të përballuar absurditetin e jetës. Kjo çmenduri është një reflektim i tensioneve të brendshme dhe të jashtme që ndjen personazhi, duke e bërë atë të duket si një antiheroi modern që lufton për të gjetur kuptim në një botë të paqartë. Rusia dhe Marsi, në funksion të ideologjisë së parrokshme nga ana e Odin Mondvalsenit, janë simbole të thellë të autorit, për të thelluar entropinë kohë-hapësirë me vendin ku zhvillohet praktika mjeko-ligjore.Ngritja e hetimit psikiatrik në sistem simbolizon eksperimentin ndëshkues të njeriut, një ndëshkim universal përmes procedimit psikanalitik të një poetike onirike. Nuk mund ta them me siguri si shkuan punët më tej, pasi proceset dhe inxheksionet[5] u ngatërruan aq keq, sa në sallën e gjyqit u ngrit një zhurmë që nuk ishte parë ndonjëherë. Kryetari i Trupit Gjykues[6] u ngrit në këmbë dhe tha:
– Për arsye teknike, gjyqi shtyhet!
Në sallë u ngrit një rremujë dhe puna u mbyll me kaq.
Romani është strukturuar si një ndërthurje e veprimit të jashtëm, i cili paraqitet nëpërmjet disa veprimeve të dukshme, si bisedat e tij me hetuesit, shokun e dhomës dhe mjekun. Sidoqoftë, veprimi i brendshëm është ai që dominuar, duke reflektuar presionin, frikën dhe dyshimet që lindin nga këto ndërveprime. Veprimi i jashtëm është i pranishëm dhe i qartë, duke stimuluar veprimin e brendshëm, i cili bëhet i dukshëm dhe krijon një tension emocional. Në zhvillimin e subjektit, në zinxhirin e ngjarjeve, përfshihen episode që duket se nuk lidhen me njëra-tjetrën. Kjo ndodh gjithashtu për shkak se ato janë retrospektiva të periudhave të largëta, të ndodhura në vende të ndryshme. Romani ndertohet nëpërmjet një “fabule të kronologizuar[7]“.
Kemi të bëjmë me një roman ku episodet, të gjitha së bashku, vihen në funksion të ndriçimit të figurës së Odinit. Episodet dhe personazhet e përmendura nuk lidhen në mënyrë direkte me njëra-tjetrën, por është personazhi qendror ai që i ndërlidh.
Ky roman, për hir të natyrës së konfliktit të tij si strukturë e hapur, merr një karakter më të përgjithshëm dhe më universal. Ai nuk kushtëzohet në kufijtë e një realiteti konkret dhe të vetëm. Ky roman u vlerësua si një roman artistik që shpjegon dukurinë e totalitarizmit [8]komunist në përgjithësi në të gjitha vendet, duke u konsideruar “dëshmitar i përvojës së vrazhdtë, tragjike të regjimeve totalitare[9]” në të gjitha kohërat.
Figura e dashurisë, kodet erotike në muret e çmendinës
Lidhja e personazhit “Odin” me “infermierën” në një histori dashurie duket si paradoks në funksion të zgjidhjes erotike të dramës, si ikje nga procesi i mendjes përmes elementeve procesuale (të konformimit). Drama e tij, vështruar në raportin pasqyrues të realitetit, më shumë se imituese e realitetit konkret, është rikrijuese e një realiteti të ri letrar, por me shenjat dalluese të qarta që e lidhin me atë real, jetësor. Realiteti artistik, më parë se fakt, është artefakt. Dramaticiteti, më shumë se nga veprimet, krijohet nga vorbulla psikike e brendshme e personazheve. Nëpërmjet projektimit të situatave të bashkëkohësisë, në të shkuarën e largët, ai është i lirë në konturimin e konceptit të një shoqërie mbytëse, frustuese për individin, pa kufizim përcaktues kohor. Në këtë mënyrë, ai arrin të shprehë idenë që sistemet totalitare nuk i përkasin një periudhe të caktuar, ndonëse lexuesit, duke iu referuar informacionve jashteletrare dhe biografisë së shkrimtarit, e lidhin atë me periudhën e diktaturës komuniste. Diktaturat janë të ripërsëritshme, të pakohshme e të pakufizuara në një kontinent e kombësi. Ato kanë lidhje me origjinën e dëshirës dhe nevojës për të qenë mbi të tjerët, për të sunduar të tjerët, një nevojë kjo antropologjike. Edhe linja e dashurisë ka përthyerje të tilla që herë shfaqet si një ngjarje e vërtetë, herë si një ndërrim i një psikologjie të rënduar, dhe herë si një kurth i dhunës dhe mbikëqyrjes shtetërore. Perceptimi i kësaj ndjenje të bukur njerëzore (dashurisë) nga personazhi ka një shkëlqim të jashtëzakonshëm shpirtëror, por gjithashtu sjell brengosje dhe dhimbje të thella. Më shumë se lindjen dhe zhvillimin e saj, ai përjeton një fund tragjik.
Ndërthurja e veprimeve dhe personazheve nga gjithkund krijon një përzierje që, ndonëse në momentin e parë duket si një parregullsi e kaosi, në të vërtetë, ndjekja e logjikës së brendshme të veprës i bën ato të konvertohen në një plan të mirëpërcaktuar nga Trebeshina, në një synim të qartë artistik të tekstit. Demonstrimi i shumëformësisë së erosit përmes shpërndarjes së personazheve, është vënë në funksion të shpëtimit psikik të Odinit, duke thyer konvencat e akuzës që e quan pacientin të sëmurë mendor. Pra, edhe në dashuri ndihen goditjet e rënda të së keqes, dhunës dhe krimit të organizuar nga shteti. Apeli dhe demaskimi i këtyre dukurive në vepër nuk janë të natyrës eksplicite, por shpalosen ngadalë, pa u ndjerë, por me një forcë të brendshme dhe një filozofi të thellë, pasi depërtojnë thellë në kohë dhe në epoka të ndryshme sociale. Me erosin, vihet në pikëpyetje procesi politik në spital.
- Trebeshina gjatë rrëfimit të vetë lë anash kujtimet e përsonazhit të vetë, kujtime nuk ka pot vetëm çaste që përjetohen gjatë rrëfimit. ‘Pamje’ erotike te Trebeshina lajmërohen drejpërsëdrejti, pa ndihmën paraprake të kujtimeve që do të duhej të shëroheshin artistikisht. Kujtimet e vetme që eksplorohen nga Trebeshina janë përsonazhet-figura që vijnë nga larg dhe nga kohrat antike.
Paradoksi i gjyqit tashmë jo ndaj individit, por ndaj një institucioni si dashuria, paraqitet nga autori si proces ndaj historisë së civilizimit njerëzor. Viktimat e pafajshëm, me sytë dhe zemrën e dashurisë, mposhtin triumfatorët e poshtërimit. Jo vetëm kaq, falë flakës së dashurisë, akrepat e jetës tani lëvizin në drejtimin e trokut shpirtëror. Bashkohen realiteti konkret, ku njeriu humbet dhe copëzohet deri në shperfytyrim, me realitetin e imagjinuar të një dashurie që tejkalon çdo mundësi reale, duke e trajtuar ndjenjën si një liman të ri dhe shpëtimtar të gjenisë, i universit ekzistencial, që kalon përtej rrethanave dhe kufijve hapësinorë e kohorë.
Kush mund të duronte ta shihte përsëri atë në pellgun e gjakut të saj?! A mund ta shikonte përsëri të mbuluar me një çarçaf të bardhë?!
Oh!… Sa larg ishte Danimarka!…
Siç del nga ky fragment, personazhi ndodhet në një situatë absurde kur refuzon edhe gjënë më të çmuar për të: rikthimin e dashurisë. (“Kush mund të duronte që t’i vdiste dy herë njeriu i dashur?…”) Kjo ndodh sepse ai është i bindur se ajo dashuri do të humbiste përsëri në atë realitet fatal dhe se pesha e dhimbjes do të ishte dyfish e rëndë. Pra, në fakt, nuk ishte e destinuar që të përjetohej dashuria, por dhimbja e humbjes së saj të vazhdueshme.
( Skllavi dhe Skllavja, dashuria në egjiptin e lashtë japin ‘fotografinë’ e dashurisë së Mondvalsenit me Xhevrien.) Dhe pas vdekjes së Xhevries asgjë nuk ndryshon, vepra duhet të kryhet, dashuria të shuhet dhe historia esaj dashurie të ndërpritet dhimbshëm.
Nga absurditeti i konformizmit lind tragjedia e individit
Ky autor, në kushte të lirisë krijuese, edhe në veprat e shkruara në këtë periudhë, vazhdon të kultivojë një model të shkrimit dramatik, i cili refuzon estetikisht realitetin dhe kundërshtitë e tij, një tip shkrimi letrar e artistik, i cili dramatikisht e sfidon, e ironizon, e stigmatizon, e parodizon realitetin dhe dimensionet e tij të ndryshme problematike.[10]
Mashtrimit të përgjithshëm, në fillim i paraprin ai përmes faljes, mashtrimi i informimit dhe komunikimit në tërësi. Në fillim kemi mashtrimin verbal, informues, mendor. Komunikimi bëhet mashtrim: ata mashtrojnë të tjerët, mashtrojnë njëri-tjetrin dhe në fund arrijnë të mashtrojnë edhe veten. Ato fillojnë të përsërisin pafund gënjeshtrat, të cilat vetë i shpikin për të mashtruar të tjerët, e më pas harrojnë se janë shpikje dhe i përsërisin kudo. Janë fjalë që ngjajnë me namitësitë magjike të thëna sa herë u duhet të dënojnë dikë e lënë mashtruesit turmat. E vërteta kthehet në një lojë faljesh. Tragjedia, në fillim, lind si një tragjedi e komunikimit.
Situatat absurde mund të përshkruhen vetëm në mënyrë absurde. Kjo është arsyeja për palogjikshmërinë e asaj që ndodh nga pushteti dhe nga turma. Trebeshina zgjedh si mënyrë të shprehuri një minjë kaotike, gati të pakuptueshme. Një shoqëri që mohon gjithçka, hedh poshtë gjithçka, për të krijuar rregulla të tjera, krejt absurde, mund të flasë vetëm një gjuhë me një sintaksë krejt të re dhe me një kuptim krejt të ri, që s’është ajo normalja, e njohura deri tani. Në mënyrën sesi luan dhe funksionalizon çrregullimet në komunikim. Trebeshina e paraqet jetën përmes një vizioni krejt origjinal, të cilit i përgjigjet edhe një formësim i ri gjuhësor. Pakuptimësisë dhe absurditetit të botës i përgjigjet absurditeti i gjuhës. Bota mashtruese përshkruhet nëpërmjet gjuhës mashtruese, formulave bosh, dialogëve që në të vërtetë janë monologe tragjike, pyetje pa përgjigje, automatizmi në veprime, paradokse, ide pa lidhje, inkoherenca, etj.
- Personazhet e Trebeshinës, në fund, vendi i vetëm ku gjejnë lumturinë dhe bukurinë e vërtetë, është fëmijëria dhe kujtimet prej saj. Parajsa ndoshta humbi përgjithmonë, por shkëlqimi i dritës hyjnore ndonjëherë i viziton karakteret njerëzore, në momente ekstreme.
- Tragjedia e personazhit kryesor buron nga përplasja me absurditetin e konformizmit shoqëror.
1. Konflikti individual-shoqëri:
– Odin Mindvalsen përfaqëson individin që refuzon të konformohet.
– Shoqëria paraqitet si një forcë shtypëse që kërkon uniformitet.
– Personazhi gjendet në një betejë të brendshme mes idealeve dhe realitetit.
2. Dimensioni absurd:
– Sistemet birokratike paraqiten si absurde dhe çnjerëzore.
– Ritualet sociale shfaqen si të pakuptimta.
– Konformizmi bëhet burim i humorit të zi dhe absurditetit.
3. Elementet e tragjedisë:
– Izolimi gradual i protagonistit.
– Humbja e identitetit individual në përpjekje për mbijetesë.
– Denoncimi i sistemeve
Ndërmjet reales dhe imagjinares
“Ec, aty ku rruga është më e vështirë,
përqafo atë çka bota e refuzon me përbuzje,
mos bëj si të tjerët, ec, në çdo gjë,
në mënyrë të kundërt me botën.”[11]
Jacob Bohme
Fantastikja u tjetërsua në një lloj momenti të lumtur që kërkohej të eksperimentohej nga autorët, si një çelës për t’u nisur, e për të mos u kthyer më pas. Tokat e djerra të shpresës ishin terreni ku këta autorë u përpoqën të kultivojnë jetën, përtej të mundshmes e me intuitën që arti do të mund të manovronte fijet e zymtësisë dhe të frenimit që filloi të propagandohej nga realizmi socialist.
A nuk filloi të tjetërsohej ngadalë Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria e rendit të ri komunist, në një vend ku shpresa nisi të humbasë dalë nga dalë? Humbja e shpresës tek jeta, tek bota, tek tjetri nisi të shndërrohej në një reflektim të realitetit të hidhur të botës së njerëzve. Ndaj përbën një risi tejet të veçantë, unike dhe me interes, rasti i autorëve që sfiduan grinë e censurës, pa tentuar t’i “ngushëllojnë” mendimet përmes nënshtrimit. Çka krijohet fillimisht mbi elementët fantastikë në këtë lloj krijimtarie, është ideja tunduese, mitologjike, e labirintit[12]. Terreni i fantastikes, ndërthurja e elementëve tipike fantastike, Brenda artistikes, për secilin nga autorët e trajtuar deri tani, nuk ishte një qëllim në vetvete. Ata reflektonin, në mënyrë gati automatike, prirjet e një kohe ku realja kishte nisur të bëhej e ngushtë për imagjinatën dhe fantazinë e një shekulli të ri, të vrullshëm e në lëvizje të shumëfishtë drejt rrugëve të reja ku të derdheshin energjitë dhe përfytyrimet njerëzore. Duhet thënë që e gjithë letërsia është fantastike[13]” shkruante Luis Borges dhe Bio Kaseres (Bioy Casares) në parathënien e librit “Antologjia e letërsisë fantastike”. Kjo frazë përcaktonte saktësisht idenë e tyre mbi Letërsinë. E gjithë letërsia narrative – e ndoshta jo vetëm ajo – përfshirë edhe atë “realiste”, detyrimisht është e lidhur me fantastiken, pasi krijon botë të cilët, qoftë edhe së jashtmi, nuk ekzistojnë. Ndarja ndërmjet reales dhe imagjinares është një temë qendrore që reflekton tensionin mes jetës së përditshme dhe botës së brendshme të individëve. Kjo vepër, e cila është konsideruar si një roman ekzistencialist dhe absurd, eksploron mënyrat se si individët përballen me realitetin e tyre dhe si imagjinata mund të shërbejë si një mjet për të shpëtuar nga një realitet i ashpër.
Do t’i referohemi dy aspekteve të veçuara të këtij autori, jetës reale që iu nënshtrua një lloj përndjekjeje nga regjimi komunist në Shqipëri (duke ndaluar botimin e veprave të autorit), si dhe novelës “Odin Mondvalsen”, ku shohim të trajtësuara dimensionet e fantastikes brenda tekstit letrar.
- Realiteti i diktaturës: Vepra e Trebeshinës është e vendosur në një kontekst të fortë politik, ku censura dhe frika janë të pranishme. Kjo realitet i ashpër ndikon në mënyrën se si personazhet e romanit perceptojnë botën përreth tyre. Frika nga ndëshkimi dhe ndjenja e pasigurisë krijojnë një atmosferë të tensionuar që ndikon në veprimet dhe mendimet e tyre.
- Imagjinata si shpëtim: Në këtë kontekst, imagjinata shfaqet si një formë shpëtimi. Personazhet shpesh përdorin imagjinatën për të evituar realitetin e tyre të hidhur. Kjo është e dukshme në dialogët dhe monologët e tyre, ku ata shpesh kalojnë nga bisedat e zakonshme në reflektime të thella ekzistenciale, duke krijuar një botë alternative që ofron njëfarë lirie.
Letërsia e Trebeshinës është e veçantë në llojin e saj, pasi përmban provokimin e fantastikes, duke përfshirë brenda saj:
-> krijimin e një kodi vlerësues mbi rolin e dhe peshën e fantastikes në leximin dhe interpretimin e veprës.
-> botëkuptimin alegorik të veprës dhe elementet e surrealizmit modern.
“Gjithmonë kam qenë i mendimit që fantastik nuk shfaqet në një mënyrë të drejtpërdrejtë apo të papritur, e as përçarëse. Ajo vjen si një mënyrë që mund ta quajmë ndërmjetësore: futet ndërmjet dy momenteve apo dy akteve, në mekanizmin binar tipik të arsyes njerëzore për të na lejuar të dallojmë mundësinë që mungon të një horizonti të tretë, të një syri të tretë, siç ndodh për shembull në disa tekste orientale”[14] Pra fantastikja e shek. XX kërkonte një depërtim emocional të ireales në dimensionin realist të jetës së lexuesit. Rasti i Trebeshinës është një shembull i çuditshëm i artistit që dorëzoi lirinë me kryeneçësi të guximshme, duke e pranuar ndëshkimin që e priste. Përkundrazi në diktaturën e çartur shqiptare, Trebeshina përpunoi mendimin e vet artistik, kredon poetike, i dha formë, në burg dhe liri, unit të njeriut dhe të krijuesit. “Odin Mondvalsen” i shkruar menjëherë mbas burgut të parë komunist dhe i botuar katër dekada më vonë, tregon faqet e një historie absurdi të individit shkrimtar në totalitarizëm.
Në një shoqëri të kontrolluar nga fijet e terrorit, roli i krijuesit qe ndjehet ndryshe, mendon përtej njëtrajtësisë dhe synon të materializojë formën e një ëndrre që i bën bisht censurës, është me i papërshtatshmi për t’u mbajtur nga ata që duan me të vërtetë të jetojnë. Në këtë njësi kufizuese krijimi, Trebeshina është rasti i rrallë i krijuesit që nuk qëndron vetëm duke kapur si një varkë shpëtimi alegorinë rrëfimtare në shkrimet e tij, përmes mendimeve të maskuara si buzëqeshje tjetër-kohe[15] Trebeshina identifikon gjithë trazimin e brendshëm ndaj regjimit, ndaj sistemit, prej shpërfilljes së njeriut në diktaturë, ndaj shtypjes dhe robërisë, kolektivizimit dhe humbjes së identitetit njerëzor në kohë. Odin Mondvalsen luan me kohën, që ashtu siç rrjedh, horizontalisht, mund të kthehet dhe pas. Në mes të seriozes dhe gajasje, të logjikes dhe të alogjikes, është historia, politika, ndjenjat, dashuria, shkenca, kultura, të gjitha të nënshtruara apo të ngjeshura nga shtrëngimi mbytës i regjimit me njerëz të shformuar[16], që kërkojnë të çnatyrojnë dhe ta shformojnë në “kolektivitet” cilindo shpirt të lirë.
Bibliografia
- Aurel Plasari. Trebeshiniana. Tiranë: Marin Barleti, 1998.
- Anila Mullahi, “Veçori poetike të prozës romanore të Kasëm Trebeshinës”,Tiranë, 2013.
- Bashkim Kuçuku. Studime albanologjike. Tiranë: 2008
- Besim Rexhaj. Drama Shqiptare pas Luftës së II Botërore 1948-2008. Faik Konica. Prishtinë 2009
- Eris Rusi, “Përmasat e fantastikes në letersinë shqipe të shekullit XX, Tiranë, 2015
- Julio Cortázar, El estado actual de la narrativa en Hispanoamérica, in Obra crítica 3.
- Jorge L Borghes, Silvina Ocampo, Adolfo Bioy Casares, “Antologia della letteratura fantastica”, Einaudi, f. XXIX, Editori Riuniti, 1980
- J. Bohme, Sammtliche Werke, përgatitur nga K.W. Schiebler, Vol. I, Der Weg zu Christo, Opuscoli VI, Leipzig 1831
- Ramadan Mysliu. Trebeshiniana. Tiranë: Marin Barleti, 1998
[1] Homonimi me mbretin mitik të Danimarkës. Odini krijoi mbretërinë Daneze në vitin 70 para K
[2] Anila Mullahi, “Veçori poetike të prozës romanore të Kasëm Trebeshinës”,fq.151 Tiranë, 2013.
[3] Identiteti artistik i një personazhi historik (princ danez mesjetar). Pika e lidhjes së romanit-dramë të Trebeshinës është shpërndarja e identitetit, një homonomi daneze mbretërore, që sjell konfliktin me “ata”, marsianët e Botës së Re. Funksioni i bartjes së këtij personazhi historik, si autoironi, shërben si baza akuzës për arrestimin dhe nisjen e procesit hetimor në spitalin psikiatrik.
[4] Figurë stilistike biblike
[5] Elementë të hetuesisë speciale për nxjerrjen e deponimeve për “vërtetimin” e akuzës rënduese. Akuza nuk shprehet nëse përmban komponentë ideologjike, por se: bëhet nga njerëz të “keqinj”
[6] Kalimi nga hetuesia në Gjykatë formalizonte procesin si të rregullt në kohën e komunizmit. Kalimi nga gjykimi në izolim spitalor e zgjaste procesin, për të rënduar më tej të akuzuarin përmes agjentëve të fshehtë, si realitet dhe procedurë e zakonshme e Sigurimit dhe Hetuesisë, pjesë e arsenalit të proceseve politike në Shqipëri.
[7] Bashkim Kuçuku. Studime albanologjike. Tiranë: 2008, fq. 210.
[8] Ramadan Mysliu. Trebeshiniana. Tiranë: Marin Barleti, 1998, fq. 13.
[9] Aurel Plasari. Trebeshiniana. Tiranë: Marin Barleti, 1998, fq. 50.
[10] Besim Rexhaj. Drama Shqiptare pas Luftës së II Botërore 1948-2008. Faik Konica. Prishtinë 2009. f. 333
[11] J. Bohme, Sammtliche Werke, përgatitur nga K.W. Schiebler, Vol. I, Der Weg zu Christo, Opuscoli VI, Leipzig 1831, f. 140
[12] Eris Rusi, “Përmasat e fantastikes në letlrsinë shqipe të shekullit XX, Fq.165, Tiranë, 2015
[13] Jorge L Borghes, Silvina Ocampo, Adolfo Bioy Casares, “Antologia della letteratura fantastica”, Einaudi, f. XXIX, Editori Riuniti, 1980.
[14] Julio Cortázar, El estado actual de la narrativa en Hispanoamérica, in Obra crítica/3, cit., p. 100
[15] Eris Rusi, “Përmasat e fantastikes në letlrsinë shqipe të shekullit XX, Fq.175, Tiranë, 2015
[16] Po aty. Fq, 178.
ObserverKult
Lexo edhe:
KASËM TREBESHINA E KUNDËRSHTOI ENVER HOXHËN, E PËSOI KEQ- U BURGOS E S’U LEJUA TË BOTONTE