Ervin Hatibi: M.A.M.A

M.A.M.A, poezi nga Ervin Hatibi

Përherë kam besuar te mirësia e të panjohurve
Përherë ua kam besuar veten të panjohurve
Meqë kam veç një jetë, prandaj

Të besova gishtat e mi, Fredi, Lenci, gishtat e dorës
Kur digjje gjilpërën me çakmak, s’të pyeta për emrin
E s’më pyete, veç the: Pesëmbëdhjetë mijë lekë

Ty t’i besova gishtat e mi, Mandi, gjithsesi të dorës së majtë
Shkruaj MAMA, si të dish, një shkronjë në çdo gisht, vëlla, gdhend
Me shkrimin që kishe në klasë të parë

E t’u dridh dora, Genci, Gerti, te M-ja fillestare, asimetrike
Pantallona arlekini, Miró e Klee, qepur me lëkurën time
Përditë ua kam besuar veten anonimëve

Trupin tim elektrik, trupin tim nën makinë, një makinë rroje
Modifikuar në burgje si shtypshkronjë dore, gjarpër boje, s’më
lëshon prej goje
Tek kafshon me zukama emrin tënd MAMA, përgjakur

A-ja pastaj M-ja, ndërkaq pret të shpiket A-ja, sa të ndalojë ky
tren lodër, MAMA
Kështu më kishe lindur, me mirëbesim, pa më ditur më solle
Përherë i kam besuar mirësisë së të panjohurve.

ObserverKult

______________________________

Lexo edhe:


DRITËRO AGOLLI: PRES TË VIJË NJË NUSE…