Që tani le të jetë e qartë: jo thjesht valltarë, as veteranë të
valles më s’ka
Kanë mbetur veç ato foto bardhezi, riprodhuar kudo nëpër
birrari për turistë
Ky qe gjyshi im, nën gjithë këtë shkëlqim llaku fotografik:
të shuajmë neonin
Gjyshin veteran të mund ta shohim më mirë, krahët e tij
cung gjer në bërryl
Nuk janë mustaqet çka ndajnë përgjysmë faqet, është
shpata ndër dhëmbë
Shpata e famshme për valle luftarake, shpata për vallen
tonë tipike historike
Që im gjysh kërcente në rininë e tij, kur s’kishte fotografi,
ende s’qe shpikur
Thonë, kur gjyshi hidhte vallen me shpata, hidh e prit: nga
lart drejt në dorë
I mprehtë zbriti tehu, dikur, fatal: e djathta, pas pak dhe e
majta ashtu u pre
E ja ku cung teproi gjyshi im, me shpatë në gojë, derisa
këtej pari një belg
Kaloi, me aparatin e vet primitiv si çadër ushtarake
malore: aty futi kokën
E gjyshin ma futi kështu në histori, gjyshin tim, vetmitar
të valles së shpatës
Prej vitesh kërcente vetëm një valle dyshe, vetëm fare,
shokët e luftës gjithë
Në varre, me shpatën që ndryshkej diku në një cep,
muzeut Victoria&Albert.