Kur njoha për herë të parë Sergej Eseninin (Sergei Yesenin) sapo i kisha mbushur të gjashtëmbëdhjetat dhe befas e gjithë bota ime u përmbys.
Nga: Bedri Islami
Çfarë ishte ky djalosh bukurosh, kaçurrels, që në njërën nga poezitë e tij për Leninin kishte shkruar se “nuk e kuptoj si botën e tundi, por ja që e tundi”, kur të gjithë këtë duhej ta kishte thënë për veten e tij; cili mister qëndronte pas një jete aq të shkurtër dhe një fundi aq dramatik, si mund të vdesin poetët dhe që nuk doja kurrsesi ta besoja; cili ishte ky dendi moskovit, por që në të vërtetë ishte fshatar i Rjazanit; çfarë ishte ky fshat Konstandnovo ku kishte hedhur hapat e parë më i famshmi poet i Rusisë, kokorosh, me ndjenjat aq të qasshme ndaj çdo njeriu tjetër dhe që, aq mrekullisht shkruante për bjerozat ruse, Kaspikun, korijezën e praruar, kojrillat që lënë pas peizazhin e pafund, rjabinën, që nuk e dija ende se çfarë ishte; që na fliste aq dhembshurisht; që përdëllej për ulërimën e qenit dhe vuante si një njeri i mbetur mes tufanit?
Esenini më përmbysi gjithçka. Mësimi im në letërsi mund të përmblidhej në dy kohëra, në atë para Eseninit dhe në atë pas tij. E para ishte aq e shkurtër dhe fluturake, drithëruese, por e paqëndrueshme; nostalgjike, por pa mbetur në memorie si e tillë; e dashur, por jo dashuri, kishte qenë një erë fillestare që nuk u shndërrua kurrë në stuhi; mjellmë, por e vetmuar; kishte qenë dridhje zemre, por jo e përhershme. Vitet para njohjes me Eseninin ishte fillesa e hyrjes në një botë mrekullish, por vetë mrekullia do të vinte më pas; Esenini hapi portën që nuk guxoja ta hapja, ai solli çastet e pafund të pagjumësisë; kishte ardhur njëkohësisht mrekullia e vargut me atë që ishte ndryshe në leximet e mëparshme dhe vetë fakti që në botimin e vëllimit të tij të parë poetik ishin bashkuar një shumësi emrash të njohur të botës shqiptare të letrave, përmes përkthimeve të mrekullueshme, e bënte gjithçka më intriguese, më enigmë, më të afërt, më të dashur dhe dëshiruese.
Si duket, atë e kishin dashur të gjithë për vete, dhe, duke mos arritur ta ndajnë, ishin bërë të gjithë bashkë për ta përballuar disi.
Esenini kishte hyrë në dhomën time duke përmbysur jo vetëm botën time, por shumë gjëra të tjera që lidheshin me atë shtëpi të madhe, më shumë konservatore sesa liberale, e lidhur ndaj ideve dhe artit që ishte pranuar një herë e mirë, aspak dogmatike, por edhe jo e hapur; pirgut të stërmadh të revistave dhe librave pa fund, krejt befas ua zuri vendin një libër i vetëm poetik dhe, kur më dukej se isha krejt fillikat, lexoja me zë disa nga vargjet që më kishin mahnitur.
Dhoma ime, që ende nuk e di pse quhej “dhoma e vogël”, ndodhej në krye të shkallëve të gjëra prej druri të punuar mjeshtërisht, me dy dritare të mëdha që binin në kopshtin e pasmë dhe në të cilin harliseshin sipas qejfit të tyre pemë të ndryshme që nga kumbullat e egra dhe deri tek fiqtë. Në atë dhomë ndjehesha i lumtur dhe i lumtur kam qenë, si pak herë të tjera në jetë. Esenini bëri menjëherë vendin e tij. Miqtë e mi linin kokën për të, edhe kur nuk ishin të dhënë pas poezisë. Çuditërisht, Esenini u bë i yni jo vetëm në çaste pikëllimi, që aso kohe ishin aq të paktë, por në çdo ndajnatë përmes poezive të tij të mrekullueshme, që nuk kishin shoq, me shtrirjen e gjerë të peizazhit poetik, dhe emri Shagane, aq i panjohur, befas u bë i zakonshëm në fjalët për poezinë.
Esenini, në atë kohë, nuk ishte vetëm poeti, ai ishte vetë poeti.
Më pas, shpeshherë kam pyetur veten: përse e donim aso kohe aq shumë Eseninin dhe përse, edhe sot e kësaj dite, nuk ka humbur ndjeshmëria ndaj tij, megjithëse vitet kanë shkuar dhe shumë gjëra në jetët tona kanë ndryshuar; përse ai nuk u zvjerdh nga bota jonë, mbeti gjithnjë aq i dëshiruar dhe, ndryshe nga shumë të tjerë, nuk u ul nga panteoni që i kishim ngritur, megjithëse pranë tij, ose edhe sipër tij, vendosëm panteonë të tjerë?
Çfarë kishte të veçantë ky poet, që ishte po aq fshatar, sa ishte njeriu i salloneve, që i ngjante Bernsit nga fryma dhe Pushkimit nga forma e përkryer poetike, që dashuronte dhe qeshte si i marrë me poezinë e tij, që përgjërohej ndaj nënës , të cilës i kishte shkruar letrën poetike më të njohur në botë… “Gjallë je ti mos, nënoshka ime… gjallë jam edhe unë, të përshëndes…”; që mburrej se vinte nga një fshat i humbur kur të tjerët shitnin dënglat e prejardhjes së tyre aristokrate; si ishte e mundur që i kishte qëndruar aq shumë kohës sovjetike, kur ishte në gjithçka tjetër i pangjashëm me të?
Ky poet nuk ishte Majakovski, poemën e të cilit “Re në pantallona” e lexonim më me qejf se atë për Leninin që e kishim në të gjitha tekstet letrare; nuk ishte as Gorki, që sa të magjepste, aq edhe të lodhte; nuk kishte të ngjarë me shkrimtarët e tjerë rus?
Këtë njeri që revolucionin nuk e kuptoi kurrë dhe që iu betua se jep gjithçka, por vetëm Lirën nuk e jep, e kam dashur gjithmonë, edhe sot e kësaj dite.
Ndoshta jo me aq forcë sa në kohën kur kisha kaluar të 16 vitet dhe kur e gjenim veten në poezitë e tij, kur njësoheshim me të dhe na vinte keq, tmerrësisht keq që vargjet e tij nuk i kishim menduar kurrë më parë!
Poezia e Eseninit të rrëmben, të ndjell të mirën, të bën të buzëqeshësh, të dashurosh, të kërkosh të bukurën, të jesh më i mirë; ai të kthen në një kohë kur poezia ishte njerëzore, tingëlluese, e brishtë, drithëruese; kohë kur ndjenjat ishin butësisht të fshehura, përse poeti i parë i Rusisë sovjektike, Majakovski, kishte thënë për të “çiraku harrakat me zë kumbues” dhe mjeshtri i madh, Gorki kishte përcaktuar se Esenini ishte i lindur për poezi.
Eseninin e kanë thënë përmendsh ushtarët rusë edhe në fushëbeteja; por, në fakt, ai ishte i fuqishëm jashtë kësaj bote. Ai të ndizte ta duaje Rusinë, nënën Rusi, si e cilësonte butësisht, por në një mënyrë tjetër, më të dhembshur, pa bubullima, pa revolucion, pa mëkate, trishtueshëm ta doje si një gjë të shenjtë dhe të përhershme, duke i tejshkuar epokat.
Po përse ai i qëndron kohës, përse koha nuk e hoqi dot atë nga lavdia e tij?
Është e vështirë të thuash gjithçka në një ese të shkurtër, por megjithatë disa gjëra duhen thënë.
Poezia e Eseninit, si e pakkujt tjetër, është njerëzore, e dhembshur; ai nuk ka britma, poza poetike të jashtme, as egërsi dhe nuk është i ftohtë si një shtatore. Ai është njeriu i jetës, kudo që shfaqej ajo, mjeshtër i përdorimit të fjalës mbi të cilën përkulej derisa ta gjente të duhurën dhe, duke e gjetur, krijonte natyrshmërinë e tij poetike, rrjedhjen e padukshme të shpirtit dhe të ndjenjës, të cilat, secili mund të ia përkiste vetes.
Poezia e tij, më shumë se gjithçka tjetër mund të përkufizohej me disa nga vargjet e tij:
“Le të jetë ajo më pak e hijshme,
dhe e ftohtë në pamjen e vet,
por me ecjen e saj të madhërishme,
ma drodh shpirtin me rrënjë e me degë…”
Për poezinë e asaj kohe ruse, kur sundonte politika e “LEF”-it që ngrinte në qiell bukurinë e grataçielleve dhe shkiste drejt industrializimit poetik, ajo që vinte nga Esenini ishte magjepsja që vështirë të pranohej aq lehtësisht; ajo ishte e ftohtë për një botë që po shkiste drejt uniformitetit, por ishte në të njëjtën kohë e madhërishme, që të dridhte shpirtin.
Esenini është mbi të gjitha poeti i dashurisë. Ai krijoi në mënyrën më poetike të mundshme idilin e dashurisë. Natyrshëm, thjeshtë, njerëzisht, duke e ditur se pas çdo ndjenje është një përfytyrim i së bukurës dhe këtë e sjell si një ndër mjeshtrat e mëdhenj të fjalës. Motivet persiane të Eseninit janë të papërsëritshme; e lehtë si fllad dhe orientale si magji poetike, ajo lëviz si fushat pa skaj, thekrishtet nën hënën pa re, bashkon në një mrekulli të vetme fshehtësinë e Shirazit me mallin për Rjazanin, dallgëzon nëpër flokët e tij, të dendur si malli për dashurinë, ndërsa lejtmotivi “ Shagane, shpirti im, Shagane” të ndjek edhe pasi ke menduar se është koha për t’iu rikthyer poezive të tjera.
Në jetën e tij private ai ka qenë shpeshherë i dashuruar, si të thuash, duke hyrë e dalë nga dashuritë, ai është bërë pjesë e tyre.
Janë të shumta vajzat që e deshën me shpirt atë, të mrekulluara jo vetëm nga poezia e tij, por edhe nga shpirti harrakat, rebel, i hapur si dy duar të njohura, vijat e të cilave zgjaten drejt një fundi të paralajmëruar; të gjitha ato e deshën me shpirt, jo thjeshtë se ishte i bukur, me leshrat e lëshuar kaçurrela, as se u bë kaq shpejt poeti i modës dhe disi bohem, por se përmes ndjenjës së tij ata u drithëruan edhe në jetën e tyre. Njëra prej tyre ndoshta më e dashuruara pas tij dhe së cilës i kushtoi njërën nga perlat e tij, “Puthmë, moj e dashur puthmë, der në dhëmbje, der në gjak…”, e bukura dhe timidja Benisllavskaja, në përvjetorin e parë të vdekjes, vetëvrasjes së poetit, ndoqi të njëjtën rrugë duke vrarë veten mbi varrin e poetit, pasi kishte lënë dëshirën e fundit ta varrosnin pranë tij.
Esenini është poeti i ndjenjave të furishme, të shfaqura furishëm dhe që mund të përjetohen ashtu si ai i ka shkruar.
Ai kishte në vete ndjenja të tallazta; askush nuk e ndjente më mirë dhe më fort se ai ndasinë që po vinte, akullimin e një bote poetike dhe syrgjynosjen e së bukurës, sepse të kundërtat vërehen më shpejt se gjithçka tjetër.
Si rrallëkush ai ka qenë njeri i lumtur dhe dëshironte të ishte shpërndarës i lumturisë. E bënte këtë edhe përmes jetës së tij të bujshme, nganjëherë kërkonte skandalet për të shuar ndjenjën që kishte nisur të kalonte përtej cakut të lejuar, herë të tjera ai ishte huligani i parë i Rusisë.
Por, ishte i vërteti, ai që kishte lindur të bënte poezinë magjinë e tij.
Do t’i kthehem përsëri, shumë shpejt poezisë së Eseninit, poetit që më mrekulloi dikur dhe që më mrekullon edhe sot e kësaj dite…/ ObserverKult