Është ndarë nga jeta poetja e njohur greke, Kiki Dimoula

Poetja e njohur greke, Kiki Dimoula ka vdekur të shtunën në moshën 89 vjeçare. Ajo la pas vetes një vepër madhore.
“Greqia humbi një nga zërat më të rëndësishëm poetik dhe të gjithë ne kemi një pjesë të ndjeshmërisë së saj”, është shprehur Kryeministri Kyriakos Mitsotakis në rrjetin social Twitter.

E gjithë klasa politike dhe komuniteti letrar grek ka shprehur të shtunën dhimbjen e tyre të thellë.

E lindur më 1931 në Athinë, Kiki Dimoula, nuk përshkruante veten si një “krijuese”, por më tepër si “stenografe” e realitetit dhe jetës së përditshme. Ajo e filloi karrierën e saj në moshën 21 vjeçare kur ishte vetëm një punonjëse e bankës, por ajo u njoh vërtetë nga bota letrare në vitet ’80.

Temat e poezive të saj janë nga jeta e përditshme, nga peizazhet që ajo vëzhgon, nga ndjesitë e siguruara nga natyra, nga objektet familiare, nga pozita e gruas dhe nga nostalgjia për njerëzit dhe gjërat e humbura.

E përkthyer në disa gjuhë, Kiki Dimoula fitoi Çmimin Evropian të Letërsisë më 2009 dhe Çmimin e Madh Letrar Grek më 2010. Ajo ishte gjithashtu anëtare e Akademisë Greke (institucion përgjegjës për përcaktimin dhe mbrojtjen e gjuhës greke). Në fillim të janarit, Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni e propozoi emrin e saj për çmimin Nobel në Letërsi, nëpërmjet një letre kushtuar Akademisë suedeze

Kiki Dimoula do të varroset të martën në Athinë, në mesin e varrezave të personaliteve më të shquara të jetës politike dhe kulturore greke./ ObserverKult