Esmeralda Nikaj: Rrëfimi

“Rrëfimi”, poezi nga Esmeralda Nikaj

Një ditë
Në dëshperim të thellë
Me emrin e shenjtë të Atit u luta
Duarkryqëzuar

Në botën time
Kisha ngelur ngelur si bardhësia verbuese e kripës që deti lë pas
Si zog i hedhur nga drurët
Në këmbët e tua isha unë
Unë, qelqi i thyer i të gjithave fjalëve të pathëna
Nuk kaloi shumë dhe takova djallin
Dhe nuk dija si të mendoja
Çfarë t’i thoja
Në cilat ujëra të drejtoja sytë
Nëse kjo ishte përgjigja e tij
Apo i ligu donte të më hidhëronte me retë?
Pastaj u bë natë
Por drita e mirësisë kurrë nuk u shua
Me një buzagaz të ëmbël pothuaj çapkën, gëlltisja lotët që rridhnin poshtë qafës.

Në mëngjes
Qielli im u mbush me ëndrra
Larg zjarreve shkatërruese
Plot hi ndërtues
Tokave të mia
Kopshteve të tua
Njeri, që aq shumë të dua.

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA NIKAJ: AJO