Nga Esmeralda Shpata
Nuk mund ta mohojë se ndikimi është i jashtëm, se gënjen në mënyrë mekanike, se të gjitha paraardhëset e saj kështu e drejtojnë të bëjë.
Emës i gënjehet.
Mbase dy-tre kohë pas kësaj gjendjeje do të ulet përballë dikujt dhe do i duhet të shpjegohet, por gjithsesi, flas për tani, Emës i gënjehet.
Është e çuditshme si iu shfaq vetja në gënjeshtrën e saj, si një trup plasteline me këmbë të shkurtra (si vetë gënjeshtra), e fshehur dhe e mbuluar me mendime gjithëfarëlloj. Fshihet nga të gjithë, mbështillet me retorikë të kujdesshme dhe del para turmës duke hipur nëpër vende dhe sope të dekoruara për të mbuluar trishtimin dhe brishtësinë e dukshme.
Gënjeshtra, topthi prej plasteline, krijon pamje dhe imazhe të përsosura të shfaqjes së vlerave qytetare, ama, brenda zgavrës bosh të plastelinës ka spazma të forta makthi.
Ema me hire është zonja Gënjeshtër, i duhet të flasë shkoqur dhe të mbahet supzbuluar për bukuri, para ndërrimit të akteve dhe shoqërive.
Po të dështojë?!
Do e pranojë, pa u lerosur, duke e mirëpritur pa e humbur klasin, me shpikjen e saj pa frymëmarrje do të mundohet të mbijetojë.
Ema e di.
Nuk i shpëton dot fytyrës qortuese asnjë hetim i hollë i dy syve të vegjël popullorë. Ata depërtojnë dhe krijojnë plasaritje të imta të plastelines. Ema ia di marifetet trajtës së saj dhe, shpejt, gjindjes ia ngec të shikuarin jashtë brendisë prej kukulle. Megjithatë, për pak sa nuk hoqi dorë. As mundet ta shpjegojë se si sinqeriteti i një mashtrimi të bie ne kokë. Madje, mendon se u terhoq e bindur ne një hije të gatshme, për ta lënë të hapur një ndjesi të fshehur mu në thelbin e brendshëm të dëshirës.
Qëllimi, për ta zbuluar nga ku i buron gënjeshta Emës, na mashtron të gjithëve.
E vërteta është se asnjë të pagënjyer nuk ka, Ema na tregon kohët dhe vendet duke lëvizur vithet dhe supet për t’na çmendur.
ObserverKult
Lexo edhe: