Esmeralda Shpata: Lutej që ai të kthehej…


Esmeralda Shpata

Nga: Esmeralda Shpata

Në mbrëmje e priti deri vonë.
I ndodhte rrallë që ai t’i kthehej në një objekt të pakapshëm kur mërzitej.
Fytyra e shtrenjtë po humbiste tiparet, zëri po tretej dhe e kapi një frikë e vagët se mund të mos e shihte më kurrë.
Vajza iu afrua dritares dhe hëna po i zbriste lodrueshëm nëpër supet e zhveshura.
Rrugicat e errëta po i ktheheshin në aleate kokulura dhe të penduara të vetmisë. Dënesa ia tundte trupin mbas perde, e ndiente se faji nuk ishte shtazarak, por shumë më i ulët.
Ajo u kthye në një kokërr lajthie dhe u mbyll në lëvozhgën e drunjtë duke u lutur.
Lutej me dhimbjen e humbjes. Lutej që ai të kthehej në një gur vra sës, çarës, goditës.
Ai ishte i ftohtë dhe i largët me arsye.
Oh, sa e tmerrshme dhe e ftohtë ishte ndjesia!
Kjo gjendje akoma nuk iu largua, forma e mbledhur e thelbit ia bënte të dëlirë humbjen.
Atë po e kërkonte. Ai nuk ishte aq pak fisnik.
Tronditja e kishte shembur, ishte më shumë se i lënduar. Një gur në shtjellë. Përleshej me veten, kacafytej, shkelmonte dhe rënkonte mbi dobësinë e saj. Nuk e kishte në dorë, kjo nuk ishte një shprehje e mirë.
Fytyra dhe zëri i tij erdhi.
Me përgjërimë ia shtrihu duart drejt e iu shtriq në pëllëmbë.
Duke u dridhur e rrënqethur priste goditjen, priste të shkërmoqej e thyhej. Fytyra e tij iu shfaq e qetë në errësirë e dalëngadalë mushkëritë iu mbushën me aromë trumze e mërsine.

*Titulli i origjinalit: “Falje”


Lexo edhe:


ESMERALDA SHPATA: KAM GJITHË JETËN QË DUA TË TË TAKOJ…