Nga Esmeralda Shpata
Udha drejt shtëpisë është e shtruar me guriçka të vogla të mprehta. I shkel këmbëzbathur për ta ndier mundimin. Ngarkuar me supet e rëna dhe pamjen e ndrojtur e të sikletosur hap derën. Gjithë ato ditë që kam heshtur. Më është mbushur goja me pezhizhka. Nuk i besoj askujt.
Mangësia ime më ka lënë vetëm.
Kur hyj brenda nxjerr psherëtimat e mykura dhe filloj të gërmëzoj. Muskujt e fytyrës fillojnë të thyhen para pasqyrës.
Pamja e saj më ka mpirë. Nuk e dija se dinte të tilla marifete. E kam të vështirë ta përfytyroj të rregullt dhe të qetë. Ka përveshur këmishën deri te bërrylat dhe më pret rrugën. Gjuha e saj trupore nuk ka logjikë. Sikur të bëhesha asgjë ose furi rrebeshi në ato momente do të shpëtoja nga çdo e keqe në botë. Ajo më shkakton tmerr. Më çon në një bodrum pa ajër dhe ndez ca drita të forta. Çapitem nëpër pllakat e mendjes me shpresën se do të humbasë të gjithë njohjen dhe ndjeshmërinë.
Nuk dua të dal më nga skuta ime e errët. E ngjesh poshtë ezofagut zërin dhe dua të harroj, dua kllapinë time të përhershme.
Liria është shkërmoqur dhe ka marrë pamjen e të sëmurit psiqik që bredh kuturu nëpër qytet.
Pështjellim!
Por tek e fundit mund ta marrim me mend dramën e një jete të pa vënë re. Jo çdokush i fsheh e i zhduk të gjitha dëshirat. Njeriu është në lulëzim të gjithëkohshëm, po aq sa tregu i zi.
*Titulli i origjinalit: “Pështjellim”
ObserverKult
Lexo edhe:
ESMERALDA SHPATA: MËRZITË E VJETRA… NUK E LËNË TË FLEJË
Nga Esmeralda Shpata
Sytë i afrohen tokës shumë ngadalë, supet përkulen për të parë pamjen e hamendësuar teposhtë, mendja kujton çdo detaj të fundit të ëndrrës.
Në jetën reale e ka të vështirë t’ua tregojë pjesën që dështoi. Provoi shumë mënyra të pasuksesshme për të vdekur, madje, as faktin që fshihte sytë për mos ta kuptuar dështimin e tij , nuk e fshihte më.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult