Nga Esmeralda Shpata
Sytë i afrohen tokës shumë ngadalë, supet përkulen për të parë pamjen e hamendësuar teposhtë, mendja kujton çdo detaj të fundit të ëndrrës.
Në jetën reale e ka të vështirë t’ua tregojë pjesën që dështoi. Provoi shumë mënyra të pasuksesshme për të vdekur, madje, as faktin që fshihte sytë për mos ta kuptuar dështimin e tij , nuk e fshihte më.
Ndiqeni në ëndërr. E ç’themi ne, u shtri sa gjatë e gjerë në një arkmort. Nuk e di sesa po dridhen dhe e kujtojnë të çmendur, por dëgjojeni ç’bëri. U shtri.
Një fqinja e tij, grua shulake, dukej sikur u bë gati të qante kur e pa ashtu të bukur e të shtrirë. Ky, ia bëri me sy dhe ia ndaloi të qarën. I ndodhur aty, ishte diçka që e kishte stisur vetë, e qara në atë situatë që sajoi ishte e panevojshme. Tërhoqi vëmendjen e të njohurve e të panjohurve, u krijua një radhë kureshtare me sy të picërruar nga e pangjasueshmja. Përfundimisht krijoi famë prej të vdekuri.
Ky ishte detaji i fundit i ëndrrës, por ai e mban mend të gjithën, kot thonë se ëndrrat nuk zgjasin, se janë pamje të shpejta fotografike si te filmat pa zë. Në realitet ne e dimë , ai e ka varrosur veten në jetën e tij, për këtë do ta uronim më shumë të gabonte sesa të kishte të drejtë. Por gjithsesi, kur bëhet fjalë për të ditur se kush është ai, koka e tij nuk është më koka e tij. I tunduar dhe i shqetësuar ka ecur njësoj me botën rreth vetes.
Edhe sot e kësaj dite, që është shkëputur nga jeta dhe nga ëndrra, është ndier si një furrtare në banjë, e cila i ruhet dritës dhe fshesës sa herë që hapet dera. Mërzitë e vjetra e të padobishme nuk e lënë të flejë, e bën gjumin me copa. Dhe sa mbyll qepallat, paralel me detajin e fundit të ëndrrës i shfaqet rrëpira, ai ndodhet në fund dhe hap rrugë të ngushta sa për të kaluar, vetëm, pa ngarkesa dhe njerëz. Ç’mundim është, djersa ia qull bluzën dhe makina larëse nuk është shpikur ende.
Por gjithsesi, në fund të ëndrrës, kërkon të rehatohet në atë hapësirë të ngushtë arkivoli. E ka tmerr pozicionin në shpinë dhe duart e kryqëzuara mbi gjoks. Duket sikur i ka rregulluar të gjitha punët jashtë arke, në fakt po të kishte vend të rrotullohej, do t’ia kthente kurrizin fatit, do të kthehej përmbys e do t’i vinte dhe duart nën jastëk për të fjetur të madhin.
*Titulli i origjinalit: “Mosfshehje”
Lexo edhe: