Esmeralda Shpata: Nuk ndihem mirë sot Sofi…

Nga Esmeralda Shpata

A më do?!

Nuk ndihem mirë sot Sofi.
Ka ditë të tëra që kam përfytyruar vdekjen tënde. Para ca muajsh hamendësova një aksident me makinë. Si sot e kujtoj. Ndërsa isha në punë më bie telefoni dhe marr lajmin. Shokët vijnë e më ngushëllojnë, unë jam zverdhur dhe qaj me gulçe para tyre. E vazhdoj përfytyrimin, të përgatisë një kurorë me lule të freskëta. Isha duke shkruar mbi fjongo ” Shpirtit tim”. Ti erdhe dhe më shkëpute nga ideja, më puthe rrëzë veshit dhe më pëshpërite “Shpirt!”.
Unë u drodha, më trembe Sofi!
Nuk ka më shumë se dy javë që u grindëm keq. Një mijë të zeza më the, nuk janë të gjitha të miat. Nuk e mbaj mend fare për çfarë u zumë, ama kokën ta përplasa pas murit, aq sa t’u shtyp e t’u shkëput fare në përfytyrimin tim. Mblidhet i madh e i vogël para derës sonë. Gratë lemerisen dhe u mbulojnë sytë fëmijëve, mua më mbërthejnë ca duar të forta dhe më vënë prangat se të vrava. Të kam shpërfytyruar aq keq saqë bëhem gati e të kërkoj falje. Ti qesh me cep të buzës dhe më flet nën zë ” Pajtohemi shpirt!”.
Po çmendem grua.
Sa herë që nuk të largoj dot nga mendja të vras, çdo herë që ti vdes, del nga përfytyrimi im dhe më flet.
Sot më dhemb koka, një mashtrim i patëkeq për të të lënë gjallë Sofi!

ObserverKult

Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: EMËS I GËNJEHET

Nuk mund ta mohojë se ndikimi është i jashtëm, se gënjen në mënyrë mekanike, se të gjitha paraardhëset e saj kështu e drejtojnë të bëjë.
Emës i gënjehet.

Mbase dy-tre kohë pas kësaj gjendjeje do të ulet përballë dikujt dhe do i duhet të shpjegohet, por gjithsesi, flas për tani, Emës i gënjehet.

Është e çuditshme si iu shfaq vetja në gënjeshtrën e saj, si një trup plasteline me këmbë të shkurtra (si vetë gënjeshtra), e fshehur dhe e mbuluar me mendime gjithëfarëlloj.

Fshihet nga të gjithë, mbështillet me retorikë të kujdesshme dhe del para turmës duke hipur nëpër vende dhe sope të dekoruara për të mbuluar trishtimin dhe brishtësinë e dukshme.

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU