Si nuk e desha atëherë… ajo ka ikur…

Esmeralda Shpata huaj

Nga: Esmeralda Shpata

Pas shpinës sime ndiej praninë e saj. Një shtjellë ajri e ngrohtë më zbret shpatullave dhe më përhapet në trup. Gjaku veshtullor më zbret duarve dhe më ngroh fundshpinën, mblidhet dhe derdhet në fundbark. Imagjinoj sikur është ditë prilli dhe u kënaqem rrezeve të diellit pranveror.
Rregulloj shprehjen e fytyrës dhe i flas. Zërat krijojnë një lidhje të çuditshme midis nesh.
Ne e nxjerrim përmbajtjen tonë jashtë, pjesët tona të brendshme duken kur skuqen. Prania e Negit më duket e ligjshme.

Ma kap syri të re, më të re se atëherë kur e pashë për herë të parë. Buzagazi i ndrojtur më çarmatos dhe i shtrij duart drejt saj. Mbyll sytë me të shpejtë, i paaftë për të harruar atë që shoh.

E kap për dore, ecim në heshtje nëpër rrugët periferike. Mbledh flutura ajri në atë mot të ngrohtë. Ndjesitë i kemi të dy njëlloj, ato kanë ca hapësira që ne dimë t’i mbushim.
Tani po i plotësoj ca gjera vetë.
Do t’ia them. E kam rastin në dorë. Bëhem gati. Bëj t’i flasë. Tingujt më thyen nëpër dhëmbë. Dyshimi më shpartallon. Për një çast tmerrohem, mbetem pa frymë. Hapësira para meje errësohet.

Neg po tretet në duart e mia. Më duhet të bëj diçka. Bërtas me sa kam në kokë. O Zot! Nuk di ç’të bëj. Çfarë të bëj?!
Dal nga imagjinata.
Një shtjellë e ftohtë ajri më mpin. Nuk bëj dot asgjë. I ftohti i bardhë i dhjetorit më mbledh. Flokët e dëborës më përplasen në fytyrë. Hapat e saj humbasin në ajrin e ftohtë. Si nuk e desha atëherë?! Ajo ka ikur në një tjetër kohë. Të gjitha prillet kanë ikur me të. Gjithçka ikën e paplotë. Sa shumë gjëra lashë pa bërë. Tani përfshihem me sikur.

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Neg”


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: KËPUCËT