Esmeralda Shpata: Vendosi që të zhdukej, të mos shfaqej më…

Esmeralda Shpata huaj

Nga Esmeralda Shpata

Natali po heshtte, në fytyrë i kishte rënë një nur që tregonte se diçka e madhe do të ndodhte në jetën e saj. Një fjollë ëndrre u lidh me zgjimin dhe një mendim i zbërdhulët i zbriti nga mendja te sytë.

Pa asnjë çudi ose frikë vendosi që në fund të javës të zhdukej, të mos shfaqej më. Ky mendim në fillim qe i brishtë dhe i mefshët, por më pas sikur u ushqye me të gjithë lëngun e trupit dhe u kthye në një ide të rëndësishme, thelbësore, aq sa Natali, trupi i saj, nuk po dukej më, Natali ishte një ide.

Ishte hera e parë në të gjithë jetën e saj që po bënte diçka të fortë, të guximshme, po planifikonte t’ia luante vetëm për një herë të vetme rrengun e të çuditurit botës, t’ia merrte të gjithë vëmendjen, të fironte të shtunën.

E diela do t’i shërbente për të parë sa e guximshme kishte qenë gjatë jetës së saj vetëm për një ditë. Madje do të zgjidhte dhe fituesin nga të pranishmit, do të zgjidhte komentin më të realizuar estetikisht gjatë diskutimit për të.

Kishte ca njohje nga muzika, kur ishte më e vogël sa herë që mbetej vetëm, luante në piano me mendje dhe jepte koncerte para shumë spektatorëve pa fytyra konkrete.

Do të përbënte një rast të favorshëm për t’u ruajtur në kujtesë, të gjithë do ta tregonin se ç’vajzë e mbarë kishte qenë, para se të humbte, por kjo do të ndodhte kur të vinte koha.

Natalisë në këto çaste i duhej të planifikonte një humbje të denjë për veten. Nuk po i durohej sa ta gjente mënyrën sesi, por ca lloje të ndryshme që kishte dëgjuar i  kishte tmerr, meqë ra fjala; fshehjen, ikjen, rrëmbimin pa adresë, të gjitha këto i shkaktonin ankth sikur të ishte njeri depresiv. Një shpjegim e kishte gjithë ky trazim.

Në shtëpinë përballë jetonte Niku, asnjëherë nuk e kishin përshëndetur njëri-tjetrin dhe gjithmonë e zinin veten gafil duke u urryer.

Meqenëse ideja ishte bërë më e madhe se Natali, sot në mëngjes e gjejmë para portës së Nikut duke trokitur e vendosur me zhurmë.

“Më ndihmon dot?- i thotë,- dua të iki diku të shtunën, por nuk po gjej dot një mënyrë të denjë për t’u larguar.  E di që nuk më duron dot, por të betohem që nuk do të kthehem më asnjëherë. Kështu që me një lëvizje do t’na ndihmosh të dy.”

Niku e pa në sy, bashkë me shkëlqimin pa dhe një rast.

“Dakord,-i tha, -më duhet t’i bëj ca shërbime mendjes dhe do ta sjell mundësinë të zhdukesh bashkë me planet e tua.”

Në kohën që mbeti deri të shtunën asnjëri nuk e pa tjetrin, vetëm kur Nik e ndjeu veten të penduar që ia kishte besuar mendjen asaj, doli me vrap në rrugë. Një hije ashpërsie nuk i hiqej nga fytyra, por ç’mund të bënte, s’mund të kthehej mbrapsht, për më tepër s’kishte më as mendjen, as Natalinë, ajo s’gjendej gjëkund.

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Të vjen të vdesësh”


Esmeralda Shpata huaj

Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: TI E DI, MEZI MBIJETOVA NGA VDEKJA!

Nga Esmeralda Shpata

Dëgjomë!

Ti e di, po s’më lëndove unë nuk mund të të dua. Në qoftë se unë  nuk e ndiej gjëmën, si mund të të dua?! E mban mend kur më braktise, kur më le mes katër rrugëve për një nga ato të lëvizurat e vogla?! 

Sa shumë të desha atëherë, i përmbysi dashuria të gjitha rastet e tjera. Sa nuk u çmenda nga dhimbja. Ti e di, mezi mbijetova nga vdekja. Kur e mora veten nga sëmundja dhe u bëra më mirë, shkova dhe mblodha të gjitha lulekuqet që kisha parë. Bleva ftesa dhe të përgatita funeralin. Ti erdhe i lemeritur nga çmenduria ime, më gjuajte mes gjindjes me këpucë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult