Et’hem Haxhiademi, shkrimtari që ndërroi jetë në burgun e Burrelit

“Shtëpia me Gjethe” përkujton shkrimtarin Et'hem Haxhiademi, dënuar nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi dramaturgun, shkrimtarin dhe përkthyesin Et’hem Haxhiademi, i cili vdiq në burgun e Burrelit.

Et’hem Haxhiademi lindi më 8 mars 1902 në Elbasan. Shkollën e mesme e ndoqi në Leçe të Italisë dhe e përfundoi në Insbruk, Austri. U diplomua për shkenca politike në Berlin dhe gjatë studimeve bashkëpunonte njëkohësisht me revistat “Kopshti Letrar”(Elbasan) dhe “Djalëria” (Vjenë).

Pas studimeve, punoi në administratën vendore në disa qytete dhe më vonë si drejtor në Ministrinë e Brendshme.

Në vitin 1941, u emërua anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Në vitet 30 botoi një numër tragjedish: “Akili”, “Aleksandri”, “Ulisi” (1931), “Pirrua” (1934), “Skënderbeu” (1935), “Diomedi” (1936), “Abeli” (1939).

Botoi gjithashtu poezinë: “Lyra” (1939) dhe përkthime si “Bukolikët” e Virgjilit, (1923). Më 29 dhjetor 1947, me vendim nr.531, Gjykata e Lartë e dënoi për krime kundër shtetit, me vdekje dhe konfiskim pasurie.

Më vonë dënimi iu shndërrua në 25 vjet burg. Vdiq në burgun e Burrelit më 17 mars 1965./ATSH

———————-

Lexo edhe:

“SHTËPIA ME GJETHE”, VLERËSOHET NGA KËSHILLI I EVROPËS SI MUZEU MË I MIRË I…

ObserverKult