EtnoFest, vendtakim i traditës me modernen- sivjet mbahet nga 10 deri më 18 gusht

Nga: Agron Gërguri

EtnoFest është hapësirë e mbushur me liri të shprehjes, dashuri përkushtuese, është vendi ku tradita merr formë moderne të prezentimit. Ku trashëgimia bëhet e gjallë dhe komunikuese. Ku temat sado universale e të gjithënjerëzishme trajtohen etnikisht me ngjyrat emocionale të cilat edhe thërrasin edhe flasin për vlerat e trashëgimisë kulturore.

EtnoFesti në kërkim të sistemit të çakorduar të vlerave

Aty ku vlerësohet biseda, artet vizuele, Teatri, vallëzimi, poezia, muzika, skulptura, piktura. Aty ku respektohet e naltësohet arti dhe shqyrtohet rëndësia e tij për njeriun.
EtnoFest gjithëherë inovativ në trajtimin e temave me ambiente autentike të cilat janë ndërtuar sipas idesë së Fadil Hysajt i cili që kur u paraqit në skenën e Teatri solli një rikuptimësim të Teatrit dhe rëndësisë së tij kulturore dhe tani ka zgjeruar gamën e kontributit në afirmimin e asaj që e quajmë etnos apo bërthama e qenies kombëtare aty ku Fadili e gjenë t’tharmin për të gjitha artet.

Ai bashkë me ata që përqafuan idenë bëri që fshati Kukaj të bëhet pikëtakim i traditës me modernen, i dashurisë për fjalën, vallëzimin, këngën e ritet e ku mërgimtarët e gjejnë veten në gjenezë. Në Kukaj ndër vite zbarkuan arbreshët e Kalabrisë, të Zarës, rugovasit, hasjanët, labët, Malësia e Gjakovës, tropojanët, llapjanët, përfaqësues autentik të të gjitha trojeve të etnisë shqiptare, shpalosen vlera të trashëgimisë në korespondim kreativ me modernen dhe i arkivuan në muzeun e gjallë të EtnoFest.

Edicioni i 14-të, në kërkim të lumturisë

Sivjet mbahet edicioni i 14-të me një program të pasur për të gjithë ata që ia mësyjnë fshatit Kukaj i cili po bëhet një kopsht i kulturës ku secili e gjenë lulen e dëshiruar. Edicioni i 13 i vitit 2023 ka tejkaluar të gjitha parashikimet me numrin e madh të vizitorëve në të gjitha programet e festivalit.

Tema e edicionit të 14-të do të jetë lumturia (lumtunia). Nëpër çfarë procesi pune, arti jete duhet të kaloj njeriu që të mund ndjejë e të thotë: jam i lumtun. A ka mundësi të jesh i lumtun dhe kush apo çka e përcakton lumtuninë. Pasuria materiale, ndjenja e të qenunit i rëndësishëm, dija, indiferenca, dashuria apo thjeshtë kjo është çështje shpirti i cili në një moment të absolutes e gjenë kuptimin e jetës dhe kjo e bënë të lumtun.

Gjithësesi EtnoFesti është një pikëtakim i të qenunit i lumtur për pjesëmarrje, për mundësinë e takimit me njëri-tjetrin, duke shijuar  ushqime tradicionale, duke ajrosur shpirtin me arte të korpusit etnik, duke debatuar për çështje ndërtimit të një sistemi vlerash të çakorduar që është shtegu kah i bie rruga e përmbushjes së njeriut që mbase mund të prek ate që e quajmë apo mendojmë se është lumturi.

E ku ka më shumë mundësi që të jeni të lumtur se sa në ditët e festivalit në kopshtin e trashëgimisë, muzikës, teatrit, këngës, vallëzimit të melmësuar me ushqime tradicionale. Nisur 10 deri më 18 gusht 2024 në Kukaj hapen dyert e universit artistik, ku ka mikëpritje dhe nga ku emetohen përherë frekuenca të dashurisë e miqësimit  me  këngë e humor nga thesari popullor përmes bukurisë së artit  në kërkim të lumtunisë të cilën mund ta prekni në EtnoFest.

Këtë vit përmbajtja do pasurohet edhe me emra tjerë të shquar që vijnë me shfaqje, koncerte, ekspozita, rituale e ku si gjithëherë do ketë debate tematike.Të gjitha me një qëllim që secili të ndihet mirë dhe të prekë lumturinë e prezencës së tjetrit krejt të çliruar nga ngarkesat politike e me ndjenjën e dashurisë frymë që e përshkon festivalin.
Mësynjani të prekni e ndjeni një moment lumtunie të përkatësisë të cilën artistikisht e përligj EtnoFest.
Rezervoni ditët për EtnoFest (10-18 gusht 2024) që të përjetësoni dëshirat për një kuptim të ri të kohës, jetës që ofron arti i ngjizur në nukleusin etnik.

ObserverKult


Lexo edhe:

ETNOFEST – AMBASADË KULTURORE E VENDIT