Europa krijuese/Shqipëria përfituese e 7 projekteve europiane

Shqipëria është përfituese e 7 projekteve europiane në kuadër të thirrjes “Bashkëpunimi Kulturor në Ballkanin Perëndimor 2020”.

Ministrja e  Kulturës, Elva Margariti deklaron se ndër 300 aplikues, vetëm 13 projekte u shpallën fituese, mes tyre, shtatë organizata jofitimprurëse dhe institucione publike kulturore nga Shqipëria.

Ministrja sqaron se programi “Europa krijuese” mbështet Shqipërinë në projektet: Shoqata Poeteka (2 herë fitues), Tulla, Qendra Marrëdhënie, Vox Baroque, Qendra Harabel dhe Muzeun Historik Kombëtar.

Programi Europa Krijuese jep mbështetje për sigurimin dhe promovimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor europian dhe mbështetje për fuqizimin e sektorit të konkurrueshmërisë.

Synimet e programit janë të ndihmojë sektorët kulturorë dhe krijues që të shfrytëzojnë mundësitë në kuadër të moshës dixhitale dhe globalizimit;  të mundësojë që sektorët të forcojnë potencialin e tyre ekonomik duke kontribuar në rritje të qëndrueshme, vende pune dhe kohezion social; të japë akses për  sektorin e kulturës dhe medias në Europë me mundësi bashkëpunimi në nivel, tregje e audience ndërkombëtare./atsh