Europës: Leksione të mbrapshta me kanun

mehmet elezi

Njeriu i gjatë, që ulet në zyrën e kryeministrit, po ngatërrohet në këmbët e veta. Po e humb rrugën në oborr. Mençuri është mos me folë për një vepër që nuk e njeh. Mençuri është që, kur bën vlerësime përgjithësuese, të paktën të kesh lexuar tërë veprën dhe jo ndonjë paragraf kalimthi, si nxënësit kopjacë.

Nga Mehmet Elezi

 I thotë Europës: “duhet të jemi krenarë se kushtetuta jonë e parë, edhe pse nuk ishte një kushtetutë e mirëfilltë, ishte një kanun, që nuk synonte institucionet demokratike, por…”.

E kundërta është e vërtetë. Kanuni synonte pikërisht institucionet demokratike, Kanuni është kushtetutë e Vetëqeverisjes Demokratike. Thelbi i tij është demokracia; parake, por gjithsesi demokraci.  Në Kanun “Fuqia supreme asht në dorë të popullit, i cili e zbaton me rastin e mbledhjeve të veta, që quhen kuvend-i” (Hahni). “Në kuvend sa të flasë njani, tjerët do të ndigjojnë e të heshtin” (Kanuni). “Çfarëdo fjale e pune me vu dera e Gjomarkut, po s’i ndejtën a s’e pëlqyen krenët e dheut, s’ngul e s’xen vend” (Kanuni).

Në Kanun:

-nuk njihen klasat, racat, kastat;

-sipas tij gjaku është i barabartë; gjaku i princit është i barabartë me gjakun e shërbëtorit;

-liria është e shenjtë; Kanuni nuk njeh  skllevër e bujkrobër; njeh vetëm njerëz të lirë; askush s’guxon me e prekë lirinë e tjetrit;

-nuk njihet urrejtja a përçmimi për popuj ose fe të tjera;

-prona private është e paprekshme; kurrkush s’ka tagër me vu dorë në të;

-nderi e dinjiteti i tjetrit janë të pacenueshëm;

-kultura e pajtimit janë negociatat;

-…

Nuk po ndalem te pasaktësi dytësore në mësimdhënien që i bën Europës gjithologu i gjatë, që ulet në zyrën e kryeministrit. Thotë: “Në Kanun thuhet se Shtëpia e shqiptarit është shtëpia e zotit dhe e mikut. Përkthimi perfekt do të ishte “Shtëpia e zotit dhe udhëtarit””. Jo, udhëtari nuk është baraz me mikun. Udhëtarët janë pa fund. Mik është vetëm ai që të vjen në derë ose që ha bukën tënde.

Prandaj E. Hoxha e sulmoi për vdekje Kanunin. Jo për “skllavërimin” e gruas, Kanuni e ngre lart gruan, vetëm prifti e gruaja nuk mund të vriten, si qenie më afër Zotit. Nuk e sulmoi për gjakmarrjen, Kanuni e frenon gjakmarrjen. E goditi pikërisht sepse është kushtetutë demokratike, pararendëse e parlamentarizmit të sotëm.

Shënim:
Për ata që mund të jenë të interesuar, më hollësisht e kam trajtuar në librin “Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit”, botim i dytë i plotësuar.

ObserverKult