Evanthi Ciko, humanistja që sfidoi mëshirën në emër të dinjitetit njerëzor

Nga ILIR ÇUMANI*

Fëmijëria dhe… Udha drejt mësuesisë

Evanthi Ciko mbetet një emër shumë i njohur në fushën e arsimit dhe të edukimit në Shqipëri. Një figurë mjaft e spikatur, komplekse dhe shumëdimensionale, me një karrierë të ngjeshur dhe të pasur në lëmin e mësuesisë, por edhe si veprimtare e palodhur shoqërore, ajo do të linte gjurmë të thella si trashëgimtare e denjë e njërës prej familjeve më fisnike me tradita të njohura tiranase. Paraardhësit e saj, familja Zoraqi, (mbiemrin e të cilëve e  mbante Evanthia në vajzëri dhe vëllai i saj më i vogël, kompozitori i mirënjohur Nikolla Zoraqi ), kishin mbërritur 300 vjet më parë nga Voskopoja për tu vendosur në Tiranë. Ata ishin përfshirë në komunitetin orthodoks tiranas, besim të cilit i përkisnin. Më 13 korrik të vitit 1920, kur Evanthia erdhi në jetë, babai i saj Grigori ishte një nënpunës i thjeshtë i Bashkisë, në kohën kur Tirana sapo ishte shpallur kryeqytet. Gjyshi nga ana e nënës, Jakov Skaka ishte nga Belica e Strugës. Ai ishte një tregëtar mjaft i njohur për kohën, dhe banonte në qendër të Tiranës. Shtëpia e tij ndodhej aty ku sot është Hotel Tirana International. Përballë shtëpisë së tij, në krah të këtij hoteli, prapa ish – librari “Flora”, ndodhej edhe një shtëpi dy katëshe me qerpiç, pronë e familjes Kazazi. Prej dëshirës së madhe për ta patur pranë vajzën e porsalindur, gjyshi i saj interesohet dhe merr me qira një dhomë nga fqinjët e tyre, te Kazazët. Aty u rrit Evanthia, e rrethuar nga dashuria e madhe e gjyshërve të saj…Fëmijëria e Evanthisë ka qenë e bukur, e qetë dhe shumë e gëzuar, falë përkujdesjes së vazhdueshme jo vetëm të gjyshërve dhe të prindërve të cilët ndiqnin hap pas hapi rritjen e saj, derisa ajo nisi të frekuentoi rregullisht dhe me rezultate të shkëlqyera të gjitha ciklet shkollës, nga fillorja dhe  deri në përfundim të Institutit Pedagogjik “Nëna Mbretëreshë”. Më pas, ajo do të vijonte studimet e thelluara në Romë – Itali, në degën e pedagogjisë. Pas këtyre studimeve,  në vitin 1944 do të kthehej në Shqipëri dhe do të niste karrierën e saj si mësimdhënëse për ciklin e ulët në kryeqytet, në shkollën “Naim Frashëri”, me drejtor shkrimtarin e mirënjohur Sterio Spasse. Mirëpo gjatë kësaj periudhe, Evanthi Ciko u angazhua edhe në Radio Tirana, si një ndër spikeret e para të atij institucioni. Në korridoret e zhurmëshme dhe studiot modeste që gjallonin nga puna aty, do të pikaste, e më tej do ti tërhiqte vëmendjen një djalosh interesant dhe simpatik, pak më i rritur se ajo në moshë, por shumë elegant dhe fin, që kishte një artikulim dhe sjellje prej xhentili në komunikim, me të cilin do të njihej për së afërmi e më pas do të bëhej bashkëshorti i saj i ardhshëm. Ky ishte profesori i nderuar Mihal Ciko, i cili ishte nga të parët këngëtar operistik (bariton), mjeshtër kori, i diplomuar në Konservatorin “Xhuzepe Verdi” në Milano të Italisë. Pas një përvoje pune disa vjeçare si mësimdhënëse në këtë shkollë, së bashku me bashkëshortin e saj Mihalin, vendosën vullnetarisht të shkonin për disa vite në qytetin e Korçës (1947 – 1950), për të dhënë mësim në shkollat e atij qyteti, ngase asokohe, kudo në të gjithë Shqipërinë,  nevojat për kuadër si në çdo sektor të jetës së vendit, edhe në arsim ishin të mëdha. Veç kësaj, ishte edhe një arsye tjetër personale që, së bashku të dy zgjodhën të punonin  për disa vite në këtë qytet të bukur dhe të njohur për serenata.  Mihali, si djalë korçar që ishte, në kohët më të bukura të rinisë kishte investuar me artin e tij muzikor si dirigjent i parë i Korit në vitin 1920, pikërisht asohere kur sapo kishte ardhur nga Bukureshti. Mbas vitit 1950 ata do ta linin Korçën për tu rikthyer sërish në Tiranë, sepse sapo ishte ngritur i pari institucion muzikor profesionist që ishte Filarmonia Shqiptare, dhe që tre vite më vonë do të shndërrohej në Teatrin Kombëtar i Opera dhe Baletit. Profesor Mihali u ftua të bëhej pjesë si themelues i këtij institucioni të rëndësishëm kulturor në vend duke u emëruar si pedagog zëri dhe solist, ndërsa  Evanthia u rikthye në arsim si mësimdhënëse, por tashmë edhe si drejtuese në disa shkolla të njohura të kryeqytetit, siç ishin shkolla  “Luigj Gurakuqi”, “11 Janari”, sot “Dora D’Istria”, “Hasan Vogli”, etj. Gjatë kësaj periudhe, ajo u shqua si  mësimdhënëse dhe drejtuese e aftë, kishte arritur rezultate të shkëlqyera në shumë tregues, duke u dalluar si një nga metodistet më cilësore dhe model në Tiranën e atyre viteve, ngase kishte aplikuar metodat bashkëkohore e të avancuara në këtë fushë. Për këtë arsye, edhe u pikas nga drejtuesit kryesor të rrethit për t’iu besuar një nga detyrat e rëndësishme dhe me përgjegjësi të madhe, si e vetmja inspektore për ciklin e ulët në seksionin e Arsimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, detyrë të cilën e mbajti dhe e kreu me nder e dinjitet për plotë 10 vjet, nga viti 1955 deri në vitin 1965. Kjo ishte edhe periudha që e afronte Evanthinë me fundin e karrierës në arsim. Ishin vite tepër të lodhshme, me shumë përgjegjësi e ngarkesa të mëdha emocionale e shpirtërore nga puna e gjatë me fëmijët, të cilët, veç lodhjes e vështirësive të mëdha, i kishin dhënë njëkohësisht kaq shumë  emocione, kënaqësi, dhimbje por edhe sadisfaksion.  I duheshin edhe 5 vjet që të dilte në pension, dhe pikërisht në një mëngjes marsi të vitit 1965, shefi i seksionit të Arsimit e thërret në zyrë për ti dhënë një njoftim…(!!!)

Një mision i vështirë, por jo i pamundur 

Atë mëngjes, pas përshëndetjes së parë në zyrën e shefit të arsimit në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, nisi një bisedë e pazakontë, por e qetë dhe tepër miqësore mes atij dhe Evanthisë. Nga toni i butë dhe përgjedhja e fjalëve, dukej se ishte një çështje delikate, jo si të gjitha çështjet e zakonshme që trajtoheshin çdo ditë në atë zyrë. – Aristidhi, drejtori i Shtëpisë së Fëmijës “8 Nëntori” del në pension dhe kemi rënë në vështirësi të madhe për ta zëvendësuar, – e nisi bisedën duke hyrë menjëherë drejtë e në temë shefi i arsimit, por toni i tij ishte të qetë,  i shtruar dhe tepër njerëzor. – Specifika e këtij institucioni të rëndësishëm, kërkon jo vetëm një njeri me eksperiencë, por mbi të gjitha një njeri me zemër të madhe, shumë të përkushtuar. Atje, në atë detyrë duhet të jetë një nënë me plotë kuptimin e fjalës. Në fakt, kishim menduar që t’ju çonim në një punë më të lehtë pas gjithë asaj lodhje që kaluat këtu në seksion, – u përpoq ta ngushëllonte eprori. Por tani më thuaj, si t’ia bëjmë, kush më mirë se ty mund ta bëjë këtë punë…!?, –  tha këto fjalë shefi, ndërkohë  vështrimin e tij të butë dhe gati përulës e “ngriu” për një çast tek sytë e Evanthisë si për ti “vjedh” mendimin, në pritje të reagimit që do të bënte pas kësaj bashkëbiseduesja. Dukej se përgjërimit mallëngjyes të tij, donte t’i shtonte edhe argumentin  bindës se ata fëmijë kanë shumë nevojë për një imazh të ngrohtë dhe të butë mëmësor, të cilëve fatkeqësisht dhe për shumë arsye u kishte munguar për gjatë gjithë jetës.  Roli yt në këtë institucion duhet t’i kaloj kufijtë e përgjegjësisë që ka një mision i rëndësishëm, krejt ndryshe nga shumë detyra që ke kryer për plotë 20 vjet me  aq zell e pasion. Është një rol sakrifikues si në planin shpirtëror dhe emocional, ashtu edhe në atë moral e shoqëror, që ka të bëj në radhë të parë me humanizmin…Po e përsëris edhe njëherë: me humanizmin…– Hë, si thua…!?  Kam besim se do t’ia dalësh mbanë,  – e mbylli bisedën ai duke e bërë fakt të kryer këtë propozim. Pas kësaj, menjëherë Komiteti Ekzekutiv miratoi emërimin e Evanthisë në krye të atij institucioni, i cili siç do të shihej më vonë, do të pësonte ndryshime të mëdha cilësore përmes reformave dhe zbatimit të metodave të reja bashkëkohore, aplikimit të modaliteteve dhe praktikave  psikosociale e pedagogjike të panjohura më parë.  Ato synonin evidentimin e aftësive dhe prirjeve individuale, nxitjen e imagjinatës krijuese dhe inisiativën e vetëveprimit tek çdo fëmijë, demokratizimin e jetës së brendëshme dhe transformimin e atij institucioni nga ajo e tipit klasik me shërbime në grup, në një institucion të hapur e modern, me mjaft shërbime multidisiplinare e bashkëkohore, me standarde të larta e tipologji shërbimi sipas modelit Shtëpi – Familje. Ashtu siç do të shprehej në kujtimet e saj të mëvonshme, të hedhura në moshën 90 -vjeçare në një libër mjaft mbresëlënës me titull: “E bekuara mësuesi”, Evanthi Ciko nuk e pati aspak të lehtë të ndryshonte modelin që gjeti në atë institucion, i cili ishte i papranueshëm me konceptet dhe praktikën e saj pedagogjike si profesioniste. Ajo ç’farë Evanthia gjeti në Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori” pasi mori detyrën si drejtoreshë, ishte  tepër e shëmtuar, tmerrësisht jashtë çdo përfytyrimi dhe natyrës  së saj paqësore e njerëzore në marëdhënie me fëmijët. Çdo gjë ishte e papajtueshme me tipologjinë dhe kërkesat që i nevojiteshin  një institucioni specifik, siç ishte Shtëpia e Fëmijës, një institucion mirëfilli edukativ, argëtues, rekreativ dhe  funksional në të gjitha aspektet, me tipare dhe karakteristika si ato që i nevojiten një familjeje të vërtetë. Asokohe, ai institucion ngjasonte si në formë, ashtu edhe në përmbajtje me një repart ushtarak ku zbatohej një disiplinë e hekurt, me rregulla të forta e të vrazhdëta që ndikonin negativisht në psikikën, formimin dhe procesin jo normal psikomotor të fëmijëve jetim, në  edukimin dhe rritjen e pa shëndetshme të tyre. Për këtë arsye, Evanthisë i është dashur të kalojë netë të tëra pa gjumë që nga dita e parë e emërimit, duke marrë së fundmi një vendim të prerë se: “Nëse nuk do të shkëlqej si drejtoreshë, të paktën patjetër do të jem një nënë e dashur dhe e dhembshur për ata jetimë, pa i ndarë asnjëherë nga të dy fëmijët e mi biologjik, Zhanin dhe Ketin…”. Dhe kështu ndodhi!

Rrëfimi i Evanthisë

Drejtori paraardhës që do të linte detyrën, më foli në përgjithësi se ku duhej ta përqëndroja më shumë vëmendjen dhe punën. Më dorëzoi dokumentacionin duke i dhënë jo pak rëndësi një liste me rreth 30 emra fëmijësh. – Këta janë më të vështirët ndaj bëj kujdes!,  – më këshilloi ai. Dy javë para fillimit të vitit shkollor, – tregon Evantia, – në një të hënë gushti, në oborrin e shtëpisë së madhe u ndesha me shumë vështrime fëmijësh, me fytyra të pezmatuara dhe jo të qeshura, të cilët kushedi ç’farë mendonin dhe meditonin për drejtoreshën e re. Me një pjesë të edukatoreve njihesha prej kohësh, edhe pse nuk kisha informacion për këtë institucion, më kishte qëlluar që të vija këtu. Në shkollën “Labinoti”, kisha parë edhe nxënës të kësaj shtëpie jetimësh, por, si i thonë përciptazi, pasi gjithçka kontrollohej dhe ishte në varësi të Ministrisë së Arsimit. Të nesërmen, ika me përgjegjësinë dhe shqetësimin e drejtoreshës dhe të nënës së një shtëpie të madhe. Misioni për mua ishte i qartë dhe sa kishte nisur. Ishin 268 fëmijë jetim që duhej të rriteshin, edukoheshin dhe shkolloheshin. Jo vetëm për humanizëm, por edhe për sedër profesionale më duhej të jepja maksimumin. I thashë vetes: Forca!, për të dalë faqebardhë edhe në këtë detyrë të re. Ditët e para lodhesha shumë. Fëmijët bënin shumë zhurmë nëpër korridore dhe oborr. Bërtisnin dhe grindeshin në ato lojëra të paorganizuara. Kisha parë disa që dilnin jashtë duke u hedhur nga muret e shtëpisë, e ndonjëri prej tyre i hipte autobuzit të Sanatoriumit. Më keq akoma isha ndjerë, kur shikoja që kontrollonin nëpër koshat ku hidheshin mbeturinat. Më kishin ardhur edhe banorë të lagjes që më ankoheshin për disa që hynin nëpër kopshtet e tyre dhe këpusnin kokra nga pemë të ndryshme. U përgatita shumë për mbledhjen e parë që do të bëja me personelin që u shërbente 268 fëmijëve me moshë 7 deri 16 vjeçare. Komunikova dhe bashkëbisedova gjërë e gjatë me edukatoret, kuzhinieret, rrobalarëset, rrobaqepëset, punëtoret e shërbimit dhe rojet e natës. Nuk duhej të kishte asnjë hallkë të dobët në këtë zinxhir detyrimesh dhe angazhimesh të përditshme. Për hir të seriozitetit dhe disiplinës që duhej të na karakterizonte më duhej edhe ti pyesja koleget: – Nëse dikush nuk i përballon dot këto kushte dhe vështirësi pune, e mira është që të largohet për të mos na dembelosur  dhe prishur ne, që duam të kryejmë këtë mision me sukses të plotë…Mes diskutimeve të shumta me personelin, u vunë në dukje mjaft vështirësi e probleme të shumta që shfaqeshin në tërë hapësirat e kësaj shtëpie të madhe. Por, në asnjë rast nuk dëgjova ndonjërën që të thoshte do të largohem, apo nuk e përballoj dot këto që kërkohen. Madje, më bëri përshtypje se në çdo fjalë të tyre ndjeje shqetësim dhe përkujdesje nëne. Të gjitha edukatoret vunë në dukje se grupet përbëhen nga shumë fëmijë. Kishin të drejtë në zgjidhjen e këtij problemi, që do të ndikonte shumë për realizimin e objektivave të vëna. Por që të zvogëlojë grupet, duhej të shtohej numri i edukatoreve. Kjo as që diskutohej, sepse nuk ta shtonte kush personelin. Atëherë, mendja më shkoi te fëmijët e rritur. Edhe te kjo shtëpi e madhe, mund të veprohej njëlloj si në shtëpitë tona të vogla, ku ndjehet detyrimi i ndërsjelltë mes motrave dhe vëllezërve. Kështu, thërrita në drejtori një grup fëmijësh të rritur. Mes tyre, kishte edhe nga ata që e kishin emrin në listën e të “vështirëve” që më la mbi tavolinë drejtori që iku. Hodha idenë që në turnin e mëngjesit të mos shërbenin edukatoret, por ftova ata për ti zëvëndësuar. Fëmijët e rritur më mirëkuptuan, dhe së bashku u angazhuam seriozisht për tu rioarganizuar në mbarëvajtjen e punëve të brendëshme. Dhe kështu u bë. Me kalimin e ditëve situata nisi të ndryshojë, fëmijët nuk ndjeheshin si më parë. Sjellja dhe komunikimi mes tyre dhe personelit të shërbimit nisi të ndryshoj, ishte më e mirë, me një edukatë dhe respekt të ndërsjelltë. Kjo ishte shenjë e mirë për mua që më dha kurajo, më rriti shpresat se çdo gjë do të ishte e mundur. Në çdo çast, epsiodet e pakëndshme në atë shtëpi ishin të pranishme. Evanthia kujton se një djalë me emrin Dashamir, i shëndetshëm, faqekuq dhe i bukur, që quhej komandant i këshillit të djemve, mbante në dorë një zinxhir që e dridhte herë pas here. Nuk fliste shumë, veçse më shikonte në sy. Hynte në drejtori pa trokitur dhe duke tundur zinxhirin. Unë bëja sikur nuk i vlerësoja  këto veprime jo të hijshme për një nxënës. Gjatë javëve të para, isha njohur me shumë prapësi të fëmijëve, jo vetëm në shkolla, por edhe në konvikt. Një ditë, dy punonjëse të lavanterisë, Pandora dhe Sherifja më sjellin në drejtori dy djem të vegjël, Toninin dhe Edin, të cilët  u kishin bërë pis rrobat e lara të vendosura në tel. Bashkë me ta, si pa u ndjerë ishte futur edhe Dashi me zinxhirin në dorë. Punonjëset nisën të tregojnë atë që kishte ngjarë, dhe unë me gjak të prishur po mendoja për “dënimin” që do u jepja. Dy çamarokët rrinin me sy për dhe, ndërsa Dashi vazhdonte të dridhte zinxhirin, duke hedhur sytë nga një vizore druri që besonte se unë do ta përdorja për ndëshkim. – A lave shumë rroba sot,  dukesh si e lodhur…, – i drejtohem Sherifes. Pa dale të shoh pak duart… Në çast, u drejtohem fëmijëve: – Shikojini si i janë bërë duart nënë Sherifes së lari rrobat tuaja…?! A s’ju vjen keq që lodhet gjithë ditën për ju..!? Kërkojini të falur dhe premtojini se nuk do i mërzisni më. Ashtu vepruan. Ndërkohë, dy punonjëset e kuptuan shenjën time dhe hapën krahët para se ata të shkonin  drejt tyre. – Ejani t’ju përqafoj edhe drejtoresha, – por në të vërtetë i putha kur pashë se po u shkëlqente loti në sy. Dashi shtangu nga këto skena që shikonte dhe kur të gjithë dolën nga zyra, ai nuk lëvizi. – Sa mirë kështu drejtoreshë! Menduam se dhe ju do të përdornit vizoren. Nga Dashi, por edhe nga të tjerët mësova se në jo pak raste ndaj fëmijëve që bënin gabime, përdorej dhunë. Mu duk shumë e shëmtuar kjo praktikë, për më tepër ndaj këtyre fëmijëve të pa fat që kërkojnë shumë ngrohtësi dhe dashuri. Sipas Dashit, në ditët e para kur mësuan se do të vinte një grua për drejtoreshë, fëmijët “problematikë” u gëzuan. Ata mendonin dhe përshpërisnin se kjo të paktën është grua, nuk ka ç’farë të na bëjë! – Po tani kanë ndryshuar mendim?,  – e pyeta Dashin. – Tani i thonë njëri – tjetrit, mos bëj gabim se sëmuret drejtoresha….

Zemra e madhe që ngrohu zemrat e vogla

Nuk ishte aspak e lehtë për Evanthi Cikon që të përmbysej një traditë kaq e vjetër siç ishte ajo e tipit klasit në  funksionimin e atij  institucioni, e trashëguar sigurisht sipas modelit lindor. Situata që ajo kishte gjetur ishte tepër shqetësuese. Kapanonet e mëdha të fjetjeve, sallat e studimit, mensa e ngrënies, salla e leximit dhe ajo e lojrave ngjasonin me repartet  dhe kazermat ushtrisë që nuk ishin aspak funkionale, nuk kishin asnjë lidhje me qëllimin dhe mënyrën se si duhej të trajtoheshin, rritur dhe edukuar këta fëmijë. Ata e reflektonin këtë edhe në jetën e përditshme, nga mënyra e vrazhdët e komunikimit, nga zëri i trashë dhe i çjerrë prej britmave dhe të qarave të shpeshta. E gjithë jeta e brendëshme e atij institucioni ishte e uniformëzuar. Muret ishin të  lyera me bojë një ngjyrëshe si brenda godinës, ashtu edhe jashtë saj. Djemtë ishin të veshur me uniformë të njëjtë dhe kokat i mbanin të qethur zero. Vajzat po ashtu të veshura njësoj. Të 268 fëmijët e këtij institucioni ishin përqëndruar në një shkollë të vetme ku mësonin të pandarë nga njëri tjetri. Ata mbushnin klasa të tëra, dhe kjo i diferenconte dhe i dallonte ndryshe nga shumica e bashkëmoshatarëve të tjerë që vinin nga familjet e kryeqytetit dhe frekuentonin të njëtën shkollë me ta, por në klasa të tjera. Të gjitha këto ishin të pa pranueshme për Evanthinë, sepse e cënonin dhe e fyenin rëndë dinjitetin dhe personalitetin e fëmijës. Sipas konceptit të saj, e gjitha kjo duhej të zhbëhej si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Kishte ardhur koha që këto forma shërbimi duheshin zëvendësuar me të tjera koncepte e parime që kishin si qëllim kryesor jo vetëm modernizimin dhe demokratizimin e jetës së brendëshme të këtyre institucioneve, por edhe integrimin real të këtyre fëmijëve, me synim për ti shmangur nga stigma kolektive dhe për ti socializuar në mënyrë të barabartë në jetën komunitare, për ti bërë ata të pa dallueshëm nga bashkëmoshatarët e tjerë. Kjo ishte sfida me të cilën Evanthi Ciko nisi të përballej. Dhe brenda një kohe të shkurtër, nisi ndryshimi. Djemëve nuk u qethej më koka zero. Çdo kush prej tyre qethej sipas dëshirës dhe modeli i flokëve i përshtatej fizionomisë dhe personalitetit të secilit. U hoq uniformiteti i veshjeve si për djemtë, ashtu edhe për vajzat. Rrobat e reja porositeshin me larmi ngjyrash e modelesh. Madje, në pjesën më të madhe të rasteve ato veshje prodhoheshin me porosi. Specialistë nga rrobaqepësi të ndryshme të ndërrmarjeve  të shërbimit në kryeqytet vinin dhe bënin matjet për veshjet e reja sipas përmasave trupore që kishte çdo fëmijë. Mjediset e mëdha të fjetjes, sallat e studimit, sallat e leximit dhe ato të lojrave,  i’u nështruan një rikonceptimi dhe rikonstruksioni të plotë duke u ndarë me mure në ambiente më të vogla, për ti përshtatur si mjedise multifunkionale, çlodhëse e argëtuese, njëlloj si ato me familjet e zakonshme. Këto ambiente me oxhak ku mbrëmjeve në dimrat e ftohtë ndizej zjarri dhe piqeshin gështenja e misra të pjekura nga edukatorët e kujdestarët, duhej të përcillnin tek fëmijët qetësinë e plotë dhe të gëzuar, butësinë, intimitetin dhe ngrohtësinë, ashtu siç ndodh në shumë familje shqiptare. Muret e këtyre ambienteve u lyen me bojëra shumëngjyrëshe duke shmangur uniformitetin. Tavolinat e mëdha të ngrënies në mensë u zëvendësuan me ato më të vogla, me katër persona. Menyja ushqimore u pasurua me larmi produktesh e asortimentesh të cilat garantonin mirëushqyerjen, me sasinë e mjaftueshme të proteinave dhe vitaminave që i duhej të konsumonte çdo fëmijë. Çdo ditë të premte festoheshin ditëlindjet e fëmijëve që kishin lindur në atë muaj.  U ngritën grupet artistike dhe rrethet sportive të fëmijëve, ajo e gjuhës së huaj, rrethi i muzikës, i rrobaqepësisë, i këpucarëve të vegjël, i punës me dru e metal, etj. Fëmijët që përfundonin ciklin 8 vjeçar, me interesimin dhe këmbënguljen e drejtoreshë Evanthisë do të dërgoheshin në shkollat më të mira profesionale për tu aftësuar dhe për tu bërë zanatçinj e profesionistë të zotë. Shumë prej tyre  vazhduan dhe përfunduan shkollat e larta për mësuesi, arkitekturë, mjekësi, inxhinieri, agronomi, veterinari, etj. Por kudo nga shkonin, do të kishin pas interesimin, vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshme të gruas me zemër të madhe Evanthi Ciko, e cila i ndiqte hap pas hapi, deri sa të sistemoheshin në punë, të siguronin një strehë dhe të njiheshin me shokun e jetës, dhe mandej të martoheshin duke krijuar familjet e tyre të ngrohta. Ishin të pafundme rastet e pjesëmarrjes së Evanthisë  në fejesat dhe dasmat e të rinjve jetim, prania e së cilës padyshim zëvendësonte dashurinë dhe imazhin e munguar të nënave të tyre biologjike që nuk i njohën kurrë. Kudo, në gjithë këtë përpjekje për të ecur në jetë,  pranë tyre do të ishte ajo, Evanthi Ciko, nëna e 268 fëmijëve jetimë,  të cilët, për asnjë çast të vetëm nuk i la pas dore. Këto ndryshime rrënjësore tërhoqën vëmendjen e instancave më të larta të pushtetit qëndror, dhe ky institucion u bë model për të gjitha Shtëpitë e Fëmijëve në mbarë vendin. Kjo reformë dhe ky transformim i thellë në jetën e brendëshme të atij institucioni, nuk do ti shpëtonte as syrit dhe vëmendjes së udhëheqësit komunist të kohës Enver Hoxha. Më 23 nëntor të vitit 1969,  me dëshirën e tij ai vendosi ta vizitoi Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori”, tashmë të reformuar tërësisht, dhe aty, para kolektivit të personelit dhe fëmijëve pjesëmarrës mbajti një nga fjalimet e tij të rralla, tepër emocionale dhe mjaft prekëse. Madje, gjatë atij fjalimi të gjatë dhe shumë delikat për temat që preku dhe u ndal në veçanti, udhëheqësi komunist pati edhe çaste të dobësie, duke u përlotur disa herë…. Ishin momente dhe detaje të fiksuara me sinkrone të regjistruara, të cilat kronikanët dhe operatorët e filmit dokumentar të pranishëm aty i shmangën më pas nëpër laboratorët e dhomat e montazhit gjatë përgatitjes së dokumentarit përpara se ai të transmetohej në publik, duke lënë vetëm ato pjesë që i nevojiteshin propagandës zyrtare të kohës. Kjo ishte një ngjarje e madhe dhe pati një jehonë, e cila për fat të keq u kthye në propagandë nga rregjimi komunist përmes televizionit të vetëm në atë kohë  RTSH, faqeve të gazetave të përditshme, broshura e buletine të posaçme zyrtare që dilnin në qarkullim nga zyra e shtypit të ish  Komitetit Qëndror të PPSH. Por, gjithsesi, me sa duket Evanthi Ciko i’a kishte arritur qëllimit të saj si një profesioniste e shkëlqyer. Shembulli i saj, tërhoqi vëmendjen e një grupi kineastësh, të një kaste të shkëlqyer aktorësh nga Kinostudio “Shqipëria e re”, si: Tinka Kurti, Thimi Filipi, Antoneta Papapavli, Bep Shiroka, Matilda Makoçi, Edmond Topi, etj. Skenaristi dhe dramaturgu i mirënjohur Ruzhdi Pulaha, regjisori Spartak Pecani dhe operatori Ilia Terpini, qëmtuan dhe ndërtuan një subjekt filmik me një temë sociale e psikologjike tepër të mprehtë e sensitive për kohën; jetësuan një histori përkushtimi e sakrificash sublime tejet njerëzore, me episode e ngjarje që ndodhnin asokohe në shoqërinë komuniste, duke e fiksuar përmes celuloidit në një prej filmave artistik shqiptar me metrazh të gjatë, me një titull mjaft domethënës: “Si gjithë të tjerët”, prodhim i vitit 1981. Subjekti i këtij filmi fliste për modelin e suksesshëm, punën pasionante dhe të palodhur, kontributin e paçmuar të humanistes dhe misionares së paepur Evanthi Ciko, e cila kishte mundur të shëmbte në emër të humanzimit dhe të dinjitetit njerëzor të gjitha paragjykimet mbi fëmijët e braktisur dhe të vetmuar, duke rrëzuar  muret e mëshirës dhe të stigmës kolektive. Kjo ishte kredoja për të cilën punoi dhe i kushtoi jetën. Gjatë karrierës së saj është vlerësuar me shumë tituj nderi, si  (Mësuese e Merituar), vlerësimin me (Medaljen e Mirënjohjes) nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, dhe me titullin e lartë të humanizimit  (Simbol i Vlerave Humane), akorduar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të jetimëve Shqiptarë.  Sot, modeli i Evanthi Cikos është një model i munguar, i cili  na apelon se jemi përballë një nevoje të ngutshme për të nisur një aksion të madh kombëtar për humanizimin e shoqërisë. Besoj se për këtë kemi nevojë të gjithë… Më shumë se kurrë!

*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë