Fahredin Shehu boton librin e ri në SHBA

Arti poetik i Kosovës edhe njëherë shfaq fuqinë e zërit autentik, nëpërmjet vargjeve të poetit Fahredin Shehu.

Libri me titull “UMAMI- esenca e shijueshmërisë”, është vepër origjinale, e cila “të lejon ta shijosh poezinë si një ushqim më të sublimuar shpirtëror”.

Shehu nuk gjente dot asnjë fjalë të vetme, në akcilën gjuhë botërore, e cila në mënyrë më koncize do ta rezymonte, respektivisht koncentronte tërë materialin e kësaj poezie në një fjalë të vetme.

Për këtë libër ka shkruar “mjeshtri i madh i artit dhe shpirtnisë”, poeti, recitatori dhe kaligrafisti japonez, Tendo Taijin si në vijim:

“Nuk do t’i kishte shkuar kurrë në mendje një japonezi të përdorte “UMAMI” si titullin e një koleksioni poezish. Ndjeva sikur më kishin zënë në befasi.

‘UMAMI’ është një fjalë e përdorur veçanërisht për kuzhinën japoneze dhe unë e admiroj ndjenjën e mprehtë gjuhësore të poetit Fahredin Shehu në zgjedhjen e saj si titullin e përmbledhjes së tij me poezi”.

“UMAMI, e cila i përket shqisave të shijes në mesin e pesë shqisave njerëzore, është një kombinim delikat i thekoneve të bonitit dhe lëngut të leshterikëve, dhe sa më i mirë të jetë shefi, aq më i veçantë është ai për lëngun që përcakton cilësinë e pjatës”.

Poezia: “Unë jam më shumë se një elektron”, “Mësoi shkronjat/mësoi edhe numrat/emrat e kafshëve/emrat e bimëve gjithashtu/emrat e gurëve/emrat e ujërave/të gjitha llojet e ujit gjithashtu/dhe shijet e të gjitha llojeve/dhe kompleksiteti i shijeve/deri në thelbin e shijes/“.

“Shija përfundimtare e “UMAMI” varet nga kjo përmbledhje poetike”, tha Tendo Taijin

Kapitujt si: “Poetika e rrushit është Teurgjike”, “Poezia më e mirë është e shkruar nga zogjët në fluturim”, “E vërteta është thënë, heshtja është vulë e saj”, “Zemra jotë është portë e Parajsës, Universi është veç andej portës”, etj., edhe njëherë e artikulojnë, kësaj radhe më fuqishëm, rrugëtimin kërkimor më se tre dekadësh të Shehut, për të arritur në një tjetër majë të krijimtarisë duke dal edhe me Manifesto të tij.

Shehu shprehet tejet mirënjohës botuesit William S. Peters me, të cilin bashkëpunon që nga viti 2013, e në veçanti ndaj profesoreshës nga Universiteti i Pensilvanisë, Hülya Yilmaz, eksperte e letërsisë transcendentale në fokus George McDonald.

Lexo edhe:

NË DUBAI BOTOHEN POEZITË E FAHREDIN SHEHUT

ObserverKult