Fahredin Spahija: Vjedhje, keqpërdorim apo…?!

Nga Fahredin Spahija

U gëzova fort kur kuptova se këto ditë ishte promovuar një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së njerit prej aktorëve më të mirë në hapësirat shqiptare, Rikard Ljarjes me autor Mevlan Shanaj, një aktor dhe regjisor i njohur ndër ne. Por ky gëzim disi u turbullua në momentin kur e kuptova se pjesë e dokumentarit “Rikard” ishte edhe një portret artistik i aktorit Rikard Ljarja, autor i të cilit jam unë.

Ky portret është realizuar gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, në vitin 2004, për një angazhim apo bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës. Që ironia të shtohej edhe më shumë, kuptova se me këtë portret fillon dokumentari e sipas një mikes time tiranase që e kishte pa premierën e dokumentarit, me të njejtin portret bëhet edhe mbyllja e tij.

Pra portreti që e kisha realizuar me aq përkushtim dhe dashni paska tërhequr dhe impresionuar aq shumë regjisorin Shanaj sa ate e përdorë në dy pika të rëndësishme të dokumentarit të tij, në hapje dhe në mbyllje! Për ta hequr çdo dilemë rreth kënaqësisë sime që unë përmes njërit nga portretet e mia përfaqësuese jam ba pjesë e atij dokumentari, po them se po, jam tepër i lumtun që ai portret artistik zë një vend aq të rëndësishëm në filmin ma të fundit të Mevlan Shanaj por, si ndodhi që për një fotografi aq të pëlqyer ai, nuk u interesua që t’ia gjej autorin dhe t’ia kërkoj lejen e përdorimit, atij?!

Si u bëka “vjedhja” e një vepre artistike e një autori me aq lehtësi, që ti pastaj, ta shfrytëzosh atë për ta (keq)përdorur në veprën tënde artistike?! Atyre që e lexojnë këtë reagim ua përkujtoj se ky portret artistik i Rikard Ljarjes ka hy në katalogun e ekspozitës të organizuar nga 5 autorë (Fahredin Spahija, Agron Mulliqi, Gëzim Puka, Ismet Jonuzi, Eshref Qahili) me titullin “Gjen ‘79” në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2005, si pjesë e pavijonit tim në atë paraqitje.

Ky veprim aspak korrekt apo ky keqpërdorim i krijimit tim artistik nga Mevlan Shanaj imponueshëm hap apo rihap një nga temat tepër të ndjeshme që ka të bëj me vlerësimin e fotografisë si art dhe si prone artistike, tek shqiptarët.

Fatkeqësisht atë që e kam thënë shumë herë, regjisori Shanaj vetëm e ka betonu: është për keqardhje që m’u ata që do të duhej të kishin ndjeshmëri më të lartë ndaj artit fotografik siç janë regjisorët, piktorët apo edhe dizejnatorët, na dalin përçmuesit më të mëdhenj të saj! Regjisori ka për bazë fotografinë kur koncepton kuadrin filmik, pra kuadri filmik krijohet mbi parimet dhe elementet kompozicionale të fotografisë dhe mbetet e pakuptueshme se si kjo kategori akoma nuk është mësuar ta vlerësojë artin fotografik bashkë me artistin që e krijon ate?!

Mikja nga Tirana, që e përmenda më lartë më tha edhe këtë: ndoshta emri yt figuron dikund tek titrat e dokumentarit ku vargohen krejt kontributorët e tij por, kjo nuk ndryshon asgjë!

Sepse Shanaj ka përdorë një krijim artistik të një artisti tjetër pa leje dhe kjo gjë dënohet veç tjerash edhe me Ligjin aktual që ka Kosova “Ligji nr.04/L-065 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta” ku çështjet mbi autorësinë janë të precizuara shumë mirë dhe drejt.

Mendoj se ka ardhë koha kur unë dhe kolegët e mi, krijues të fotografisë duhet t’u japim mësim të gjithë atyre që nëpërkëmbin dhe e keqpërdorin punën tonë, jo për të nxjerrë ndonjë përfitim material sa për t’i detyruar të tjerët që ta respektojnë angazhimin tonë kreativ në fushën e fotografisë dhe ta kuptojnë përfundimisht se përdorimi i fotografive tona nuk realizohet, minimumi pa kërkuar leje që ato të publikohen dhe ate, me autorësinë adekuate!


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: FAHREDIN SPAHIJA: FOTOGRAFIA ËSHTË DASHURIA IME MË E MADHE NË JETË!

ObserverKult