Faik Konica: Disa herë thohen shqiptarë, herë tjatër gjë

doto faik konica mjeshtri i penes
Faik Konica

Ka disa njerëz, të cilët, pas kohës, si të goditje puna edhe nevoja e fitimit, herë thohen shqiptarë, herë tjatër gjë. Këto ditë ngjan një shembull i tillë. Puna goditi në një qytet të madh të Evropës e, ndonëse u mbajt e fshehtë, na erdhi dhe në veshët tanë.
Qeveria anadollake i ka punët e “diplomacisë” së saj si punët  e brendshme: të ngatërruara, të shtrembra, të ndyra. Ambasadorët e barllozët e saj, korcujtë, “diplomatët” s’janë për punë, po për zuzarësira. Pra, në një Ambasadë të Evropës, vunë për zuzarësi edhe një shqiptar a, me vërtet, një njeri që babanë e njohur të tij e ka shqiptar.
Javën e shkuar ky njeri u zu me një shok të tija (edhe ky “diplomat” nga ata të Turqisë po m’i madh se ai), e, në fjalë e sipër, njeriu-që harron njëqind herë në ditë se është “shqiptar”- kujtohet se është nga kombi ynë e, duke qitur një revolver, ia kthen Anadollakut e i thërret. “Pusho, se jam shqiptar pa ta…marr shpirtin!”
“Hajde-hajde”, dipllomatët e Turqisë!
U dëgua nga Stambolli një nënurdhër i Qeverisë, që ta shkoqitë punën.
Vetëm një gjë duam të shtojmë: Shqiptarët njohin e duhet të njohin për të tyre vetëm ata që, kudo, kurdo, kundër të gjithëve, janë, thuhen, rrëfehen  e provohen-shqiptarë!

1902

Përgatiti: ObserverKult