Faik Konica: Kostumi modern “grek’’, një imitim i poshtër i kostumit shqiptar

Me gjithë luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë të gjallë, jo vetëm gjuhën e tij, të njohur nga filologjistë si më të vjetrën në Evropë të Juglindjes, po dhe ca nga traditat e tij të motshme. Një nga këto është kostumi kombëtar. Baroni Francis Nopça, një autoritet i njohur, në një nga librat e tij të fundmë mbi Shqipërinë, të botuar tre vjet të shkuara në Gjermani, ka botuar krah për krah dy fëtyra, një të një kostumi të sotmë të Shqipërisë, dhe një tjatër të një shembëlle prehistorike të zbuluar në një qark të Ilirisë së vjetër; të ngjarët në mes të tyre është për të vënë re.
Kur flasim për kostum shqiptar, është nevojë për ca shpjegime. Populli shqiptar është shumë individualist dhe nuk vesh gjithnjë po një rrobe. E vërteta është që ka aq kostume shqiptare, sa ka edhe qarke të ndryshme në Shqipëri. Po përmbi këtë ndryshim lokal, ka qenë gjithnjë njëfarë veshjeje e përgjithshme në karakteristikat e saj që mund të quhet kostum kombëtar. Flokja, midis të tjerash, ka pasur në formë të saj njëfarë afrimi në gjithë vendin;
dhe fustanella gjer pak kohë më parë ishte një pjesë e veshjes kremtërore të çdo njeriu prej dere të mirë si në Shqipëri të Sipërme ashtu edhe në Shqipëri të Poshtme.
Puna që të tilla moda veshjeje mund të gjenden dhe në vendet fqinje, s’tregon tjatër gjë, veç influencës së fortë që shqiptarët kanë ushtruar në kohën e shkuar mbi kombësitë rreth e rrotull. Për shembëll, është thënë me përsëritje prej studimtarëve të këtij subjekti se i ashtuquajturi kostum modern “grek’’ në të vërtetë është një imitim i poshtër i kostumit shqiptar. Ky kostum u përhap në mes të grekëve në shekullin e katërmbëdhjetë, kur shqiptarët nën Bua Shpatën shkelnë dhe pushtuan Greqinë.
Është e pamundur të flasim për kostum shqiptar, pa zënë në gojë lord Bajronin. Ka disa fytyra të poetit në kostum shqiptar. Më e njohura është një që ka fëmija Murray, botonjësi inglis, dhe një tjatër që është në National Portrait Gallery të Londonit…
Në nisje të shekullit të nëntëmbëdhjetë Bajroni vizitoi Shqipërinë, për kundër këshillave të Shellit, i cili kish frikë nga rreziqet e një vendi të panjohur. Në një letër që i shkruante s’ëmës me datë 12 nëntor 1809 nga Shqipëria, midis-gjërash të tjera, Bajroni thotë:
“S’e kam për të harruar kurrë pamjen e jashtëzakonshme duke hyrë në Tepelenë më pesë pasdreke, ndaj të perënduar të diellit. Më solli në mendje (po me ca ndryshime në veshje) përshkrimin e Kështjellës Brankosome të Skotit në Lay of the Last Ministrel, dhe sistemin feodal. Shqiptarët në rrobat e tyre, më madhështoret në botë, të përbara prej një fustanelle të gjatë, një flokje të punuar në ar, një xhaketë dhe një jelek prej kadifeje ngjyrë kermezi dhe të qëndisur me ar, -me pisqolla dhe jataganë të stolisur me argjend…formojnë një pamje të re dhe të shijshme në syrin e të huajit”.
Bajroni ishte një vërejtës i hollë. Në shënimet e tij në “Çajlld-Harold” vë re një gjë interesante përmbi efektin që moda e veshjes bën në të ecurit:
“Shqiptarët përgjithësisht kanë një dukje të mirë…
Mënyra e të ecurit të tyre është me të vërtetë për të qeshur, po të tundurit e tyre kur ecin më duket se vjen nga shkaku i kapotës ose flokjes, që e mbajnë të hedhur më një sup”.
Interesante është edhe një tjatër frazë që heq nga një letër që i shkruan s’ëmës: “Kam, thotë Bajroni, ca rroba shqiptare shumë “magnifiques”, të vetmet plaçka të shtrenjta që ka në këtë vend. Kushtojnë pesëdhjetë lira njëra, dhe kanë aq ar, sa në Ingli do të kushtonin dyqind”.

1935

Përgatiti: ObserverKult