Faik Konica: Martesa e Skënderbeut

Nga: Faik Konica

Viti 1450, plot me mundime, me luftëra e me gjakra u mbarua duke ndritur edhe më bukur emrin e Skënderbeut. U dëftua në atë vit, në faqe të gjithë dheut, se Skënderbeu qe më i madhi kapetan i kohës së tija.

Vitin 1451, Babai i Kombit e shkoi në qetim e në paqe; trimi i mjerë kish nevojë të mblidhte kockat e të çlodhej. Në atë vit goditnë dy punë të lumura: Skënderbeu u martua me zonjën Merine, të bijën e Arianitit, që ish kryezot i Kaninës, – në atë vit prapë, ngriti kështjellën e Modrises.

Dasma u bë më 26 të prillit 1451, – Skënderbeu ish 47 e zonja 23 vjetsh. Princë e zotërit fqinjë erdhnë më të shumët në dasmë, e, ata që ishin të penguar në dhe të tyre, dërguan zëvendës, – të gjithë me kanisqe të bukura. Veç nuk erdhën princët Dukagjinë, që ishin si pak më të ftohtë me Skënderbenë, edhe në vëllezërit e nuses, të cilët s’deshnë të venë në dasmë se ishin të zemëruar keq që i ati i kish dhënë pajë të tepërt se motrës tyre. “Hajde, djall Toske, hajde!Ku të lë felle Toska! E kush e mban Toskën kur zemërohet?…) Pa mbyllni pak sytë, e të veni me mend 450 vjet prapa, në Kaninë, në konak të zotit Arianit me bijtë e vet.

He, mor djelm, thotë luftëtari i ndritur, veshur me fustane e me xhokë, me silah, me kalca e me opinga; he, mor djelm, ç’keni ju! Edhe juve ju kam për të lënë begati. Çapni në dasmë, se është turp!

Jo, mor zot, jo, përgjigjen toskët e rinj, nuk vemi ne, na u mbush mendja!

Si u mbarua dasma, Skënderbeu vuri ndër mendt të niset me Princeshën, të shoqen e tija e të vejë ndëpër gjithë viset që ishin nën urdhër të tija. E ashtu, u nisnë, e kudo vanë qytete e kështjella, përpiqeshin kush e kush t’i presë më mirë e t’u japë më të bukura darovita.

1912


Lexo edhe:

NGA REXHEP QOSJA, PËLLUMB XHUFI, FATOS TARIFA…, INTELEKTUALËT SHQIPTARË ME PETICION: LARGONI SHARLATANËT NGA EKRANET, SHKELIN EDHE GJUHËN SHQIPE