Faik Konica: Nata po afrohet…

doto faik konica mjeshtri i penes
Faik Konica

Nata po afrohet. Drita e ditës tretet dalë nga dalë: e mbi tjegullat e shtëpive, mbi rrasat e gurëve, mbi fletët e pemëve, përmbi trupat e epta të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqe – një ngjyrë gushëpëllumbi, si thonë në ca male tona – shtrihet e i mpshtjell.

Mbasandej, pak nga pak manushaqet shfletohen. Hijet bëhen të dendura, me të zeza. Njëri pas tjetrit, yjtë çpojnë qiellin, e pikojnë dritë. Nata u afrua. Nata erdhi.

E kur afrohet nata, kur vjen nata, më pëlqen të vete të rri anës liqenit. S’është si liqeni i Ohrit me ujra të kulluara si të një rrëkeje, si liqeni i Janinës që shkëlqen si një fushë e shtruar me pasqyra, si liqeni i Shkodrës, det i vogël i rrahur tej e këtej nga lundra të metshme sa Shkodra e në anë të cilit gjallojnë malsorë të rreptë.

Është një liqen jo më i madh se një kopsht, në mes të një pylli të punuar, liqen i ndyrë, i ndyrë sa uji i qelbet, i bukur se pemët që e rrethojnë mvarin degët e tyre gjer mbi faqen e tij, edhe mbi faqe të tij hëna ndrit e lot. Në pushim të natës bretkosat këndojnë. Herë-herë një peshk, një tjetër, e një tjetër, shumë peshq tingëllojnë ujët. Uji përsëri pushon e fle. Po një erë e ngadaltë (oh, shumë e ngadaltë!), unjet mbi liqen e i zubravit faqen.

ObserverKult

—————————–

LEXO EDHE: FAIK KONICA: SI HUMBET NJI KOMB…

Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë ta lëmë për më pastaj kryeartikullin. Që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarrta të vëndit t’onë.

Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e. Kur të bierë ky numër i “Albanies” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojn fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç qi do të ketë ca Bullgarë më pakë, liri më tepër për Bullgarët e mbetur e…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU