Nga: Kastriot Dervishi
Nisur nga keqinformime e keqinterpretime sistematike që po i jepen publikut në lidhje me personat që kanë humbur jetën gjatë regjimit komunist si dhe me shifrën e “6 mijë të zhdukurve”, e quaj me vend të sqaroj të interesuarit rreth kësaj çështjeje.
Së pari, duhet ndarë koncepti mbi personat që humbën jetën nga komunistët dhe atyre që nuk u janë gjetur eshtrat sepse nuk është e njëjta gjë.
Së dyti, duhet të qartësohet se bëhet fjalë për vrasje të kryera nga komunistët gjatë luftës dhe gjatë ushtrimit të pushtetit prej tyre.
Siç po vërej me keqardhje, zyrtarë të institucioneve shtetërore, fillestarë të pandreqshëm në këto punë, që kujtojnë në mënyrë fëmijërore se kur i mësojnë ata dy-tri gjëra po fillon historia, nuk i ndajnë dot këto koncepte.
Shifra e përafërt e 6 mijë personave që humbën jetën nga komunistët e jo vetëm nga regjimi i tyre (pra para dhe pas lufte) është bërë e ditur prej meje në kuadër të një takimi që kemi pasur më 28.7.2011 në Ministrinë e Brendshme me znj.Kathryne Bomberger – drejtore e përgjithshme e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, me qendër në Bosnje-Hercegovinë.
Shifra është nxjerrë mbi bazë sondazhi, d.m.th. nga të dhënat e grumbulluara si dhe duke pasur parasysh mungesat e vërejtura në listën e përpiluar në vitin 1996. Nisur nga fakti se ende sot nuk është përpiluar një listë e saktë e personave që u vranë nga komunistët, unë kam artikuluar shifrën e përafërt prej 6 mijë personash, pa shtuar asnjëherë se të gjithëve këtyre nuk u janë gjetur eshtrat. Zyrtarë, mesa duket kopjacë edhe plagjiatorë, të cilët reflektojnë anekënd amatorizëm, nuk e kanë për gjë as të marrin pohimin apo studimin e tjetrit, por artikulojnë keq shifrën për “6 mijë trupa”, a thua se të vrarët janë të ngrirë në frigorifer e po presin me durim këta shpëtimtarët e situatës për t’i “shkrirë”.
Si qëndron e vërteta? Në vitet 1992-1997 është bërë një punë e madhe, por jo e plotë (efekti njohje-kohë), në drejtim të identifikimit të personave të ekzekutuar nga komunistët, në vitet 1941-1944 dhe 1944-1991. Për këtë arsye, një komision shtetëror arriti në bazë të provave dokumentare dhe vetëdeklarimeve të familjarëve të përpilojë një listë që mban datën 17.4.1996, në të cilën përfshihen 5.157 persona të vrarë me ose pa gjyq. Në këtë listë, të hartuar sipas kriterit alfabetik, janë rreshtuar të vrarët nga viti 1941 e deri në vitin 1991.
Ekzekutimet janë kryer nga komunistët në këto raste:
-Gjatë luftës civile në vitet 1941-1944
-Me vendim gjykate të formës së prerë
-Në kufi në orvatje për t’u arratisur
-Si desantë të ardhur nga jashtë
-Si të arratisur brenda vendit
Por, është përllogaritur edhe humbja e jetës në këto rrethana:
-Kampet tela me gjemba
-Burgjet dhe kampet e punës së detyrueshme
-Hetuesi, në kushtet e torturës fizike e psikologjike
-Spitalin e burgut.
Rreth 2 mijë persona të kësaj liste i takojnë të vrarëve të viteve 1941-1943, të cilët janë varrosur qysh në atë kohë dhe nuk konsiderohen të zhdukur sepse nuk kanë qenë të tillë. Po ashtu në vitet 1992-1997 u bë e mundur gjetja e shumë vendvarrimeve dhe u organizuan ceremoni të posaçme për personat që u rivarrosën, etj. Një pjesë tjetër e të vdekurve në hetuesi apo në burgje janë varrosur pa shenja në varreza që nuk ekzistojnë më si në Tiranë (Varri i Bamit), Elbasan (parku i qytetit), etj, duke humbur përfundimisht. Në shumicën e zonave ku janë bërë pushkatime si bregu i lumit në Tiranë, zona poshtë Dajtit, Pusi i Mezinit në Vlorë, Spitalla në Durrës, etj, janë bërë ndërtime të shumta dhe këto raste konsiderohen përfundimisht të humbura.
Në këtë mënyrë, numri i personave të cilëve nuk iu gjenden eshtrat është shumë më i vogël nga ai që pretendohet në aktivitete me karakter qokash apo për t’u dukur “Kola në punë”.
Të dhënat dokumentare të trashëguara janë shumë të vogla dhe informacioni shumë i pakët. Megjithatë, i gjithë informacioni i gjetur është vënë në dispozicion të kërkuesve kur është kërkuar prej tyre dhe nuk ka ngelur asgjë pa u ditur rreth kësaj çështjeje.
Asnjë dosje hetimore-gjyqësore nuk ka skica varrimi. Me përpilimin e praktikave të tilla është marrë Policia e jo Sigurimi. Asnjë dosje formulare e Sigurimit të Shtetit nuk përmban të dhëna vendvarrosjeje, sepse këto dosje kanë karakter vetëm agjenturialooperativ. Po ashtu nuk ka të dhëna për “persona të zhdukur”, sipas përcaktimeve që do t’i gjeni pa fantazi e mekanikisht në një ligj që shkel disa ligje, por që nuk ekzistojnë kurrkund në realitet.
Skica e parë e varrimit e trashëguar është ajo e vitit 1984. Ekzistojnë disa skica të veçuara të viteve 1984-1991 për raste të të dënuarve politikë dhe ordinerë, si dhe skica e varrezës së fshatit Panahor në Ballsh (e kampit nr.309 të të burgosurve), në të cilën janë varrosur të dënuarit e atjeshëm./panorama.com.al