Faktet ‘flasin’: Ja kush ishte Enver Hoxha…

Enver dhe Nexhmije Hoxha

Menjëherë pas intervistës së të vesë së diktatorit Enver Hoxha të dhënë vite më parë në një nga kanalet televizive shqiptare, studiuesi Kastriot Dervishi, botoi këtë status në mediat sociale, të cilin e shoqëron me një vendim për dënim me vdekje të firmosur nga diktatori.

Ja statusi dhe dokumenti:

“Nexhmija hodhi në treg helmin e saj të fundit, i shfrytëzoi edhe këto minuta apo orë të fundit për të na thënë se ngelet e njëjta. As nuk jam çuditur se as kam shpresuar ndonjëherë se do ndodhë ndonjë kërkim ndjese dhe faljeje prej atyre që kanë bërë krime, këta janë të gatshëm edhe sot të bëjnë të njëjtat gjëra. Si njerëz mosmirënjohës, të zinj sa s’ka ku të shkojë, luajnë edhe në prag të vdekjes agjitacionin helmsjellës me shpresën se ky do të ndikojë sadopak te brezi i ri.

Nexhmije Xhunglini kur ishte nxënëse është ndihmuar me bursë nga ish-ministri Abdurrahman Dibra, jo vetëm që nuk ia diti për nder, por këtë e burgosi dhe djalin Qenan Dibra, ia pushkatoi. Babai i Nexhmijes, po me ndihmën e A.Dibrës u punësua në Kryqin e Kuq në Tiranë, gjatë kohës së luftës nuk është internuar sikurse gënjen kjo por ka qenë ekonomat në shtëpinë e fëmijës.

Gënjen kur thotë që mezi “shtynin muajin” në familje, kur kjo familje i grabiti shqiptarëve plot 320 tonë flori. Asnjë pushtues nuk i ka shkaktuar qytetarit shqiptar këtë grabitje kaq masive dhe një rrënim kaq të madh ekonomik.


Çifti Hoxha përfaqësoi një regjim mizerabël që me triska e nisi e me triska e bitisi. Në të gjitha raportet ndërkombëtare, Shqipëria e Hoxhës krahasohet me vendet e fundit afrikane.


Sikur Shqipëria të kishte “ngrirë” në vitin 1944, do të ishte shumë më e lehtë ta vijonte qeverisjen sot, sesa me pasojën e 46 viteve komunizëm, eksperimentit më tragjik e të kotë të njohur deri sot.

Në lidhje me krimet, Nexhmija tha se E.H. ishte “burrë shteti” e nuk merrej me këto gjëra. E para: asnjëherë E.H. nuk u bë dot burrë shteti, ai ishte shefi udhëheqës i krimit. Është provuar që vendimet për ekzekutimet me vdekje i merrte Byroja Politike e E.H. dhe i certifikonin gjykatat.

Lexoni vetëm kujtimet e Enver Hoxhës, ndër të tjera, në to ka shumë urrejtje, hakmarrje e zili dhe natyrisht të urryerit përmenden aty dhe janë persekutuar, vrarë apo dënuar me burgim.

Po bashkëlidh një urdhër ekzekutimi të E.H. për disa persona, ndër ta ka profesorë shumë të shkolluar. Pasi miraton ekzekutimin, ky “njeriu që nuk di gjë”, kërkon të mësojë edhe fjalën e tyre të fundit. Se normalisht, çfarë pune tjetër kishte veç kësaj?”/observatorikujteses.al

(10 shkurt 2016)

LEXO EDHE: RRËQETHËSE: ÇKA THA NË LETRËN E FUNDIT PARA SE TË EKZEKUTOHEJ?