Objekti në qendër të Prishtinës, që shfrytëzohet nga Dega e Arteve Dramatike e Fakultetit të Arteve në UP, është duke iu nënshtruar një rinovimi të jashtëm. Bëhet fjalë për investimin nga Banka Botërore. Përderisa në këtë ndërtesë ka nisur puna, punonjësit i janë kthyer edhe objektit të Dekanatit të Fakultetit të Arteve, rinovimi i të cilit qe përcjell me jo pak akuza për humbjen e identitetit arkitekturor
Prishtinë, 13 maj – Ana lindore e ndërtesës që shfrytëzohet nga Dega e Arteve Dramatike e Fakultetit të Arteve është mbuluar me stiropor. Objekti katërkatësh, që kufizohet me bulevardin “Xhorxh Bush” në qendër të Prishtinës, është duke iu nënshtruar një rinovimi të jashtëm. Bëhet fjalë për investimin nga Banka Botërore në kuadër të Projektit të Efiçiencës së Energjisë dhe Energjisë së Ripërtëritshme. Përderisa në këtë ndërtesë ka nisur puna, punonjësit i janë kthyer edhe objektit të Dekanatit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Në këtë ndërtesë puna kishte nisur në shkurt të këtij viti. Asokohe kishte edhe reagime të shumta sa i përket ruajtjes së autenticitetit, përkatësisht gurëve të katit përdhese. Ndërtesa e Degës së Arteve Dramatike shfrytëzohet nga studentët e regjisë së teatrit, filmit, ata të dramaturgjisë e skenografisë. Fakulteti i Arteve e ka në shfrytëzim objektin, përderisa është pronë e Njësisë së Minierave të Artanës e Kishnicës.
Dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, ka thënë se në kuadër të projektit të Bankës Botërore fillimisht është rinovuar më 2016 objekti që shfrytëzohet nga Dega e Muzikës, ish-Fakulteti i Edukimit, një nga tre objektet që i shfrytëzon Fakulteti i Arteve.
“Ndërtesa e Arteve Dramatike do të izolohet e gjitha. Dritaret janë ndërruar dhe do të ndërrohen edhe radiatorët”, ka thënë ai. Ka sqaruar se bëhet fjalë për objekt të minatorëve.
“Nga serbët është shfrytëzuar për mësim në vitet ’90, pastaj pas luftës së fundit shfrytëzohet nga Fakulteti i Arteve”, ka thënë Selimi, duke shtuar se nuk është në dijeni nëse Fakulteti paguan qira për shfrytëzim.
“Jo ne nuk paguajmë qira. Është në mirëbesim. Nuk e di a rregullohet kjo punë përmes Rektoratit apo Ministrisë së Arsimit”, ka thënë ai. Ka shpjeguar se ndërtesa ka dy salla më të mëdha për ushtrime e të tjerat më të vogla. Sipas Selimit nuk i plotëson kushtet për të mbajtur mësim. Ka thënë se kanë bërë kërkesë për ndërtimin e një objekti enkas për Fakultetin e Arteve./koha