Fan S. Noli: Lutja ime

Fan Noli

Kur Perëndia shtriu dorën me tërë fuqinë e saj, yjet në qiellin e hapur u zunë se cili do të ndriçojë më tepër. Ylli i Mëngjesit, me shkëlqimin e tij të dendur, tha: ”Unë shkëlqej më shumë se dielli dhe yjet e tjerë…” Për këtë dielli u hidhërua pa masë dhe i prekur thellë nga kjo fyerje u hodh poshtë në oqean i sëmurë. I zhytyr në errësirën plot lagështirë, ndjeu pikat e ujit të mbrëmjes së zjarrtë. Kështu, i mbështjellë me vel të zi, vajtonte paprerë dhe i bënte thirrje errësirës së perëndive të ndëshkonte Yllin e Mëngjesit për gjestin e paturpshëm. Atëherë Perëndia e thirri Yllin e Mëngjesit e i tha: “Për fajin e madh që ke bërë, të dënoj që në shekuj të dalësh vetëm në mëngjes e të shpallësh si lajmëtar i shenjtë ardhjen e diellit të zjarrtë në tokën e bukur!”
Ndërsa yjeve të tjerë u tha: “Të dilni vetëm në mbrëmje, të shkëlqeni me druajtje dhe ta fshihni shkëlqimin tuaj menjëherë sapo të dalë dielli.”
Dielli doli përsëri me madhështi dhe shkëlqim, por ende ruante brengën e parë, prandaj në mbrëmje u zhyt rishtaz në oqean, i skuqur nga hidhërimi dhe smira e yjeve të tjerë.
Edhe unë tani, si ai hoxha që mbrëmje herët i lutet nga minarja e lartë e xhamisë lindjes së diellit të zjarrtë dhe e fton të ndriçojë fatkeqësinë, errësirën e vet, përulem dhe i lutem shkëlqimit të tij me fjalët: ”Lavdi diellit dhe shkëlqimit të virgjër!
Dërgo rrezet e tua të kuqërremta që të largojnë nga qieli im errësirën… Ndriço me rrezet e tua mendjen time të errët dhe, po qe se armiqtë e tu ziliqarë shkatërrojnë karrocën e pyjeve të stolisur, atëherë unë do të sjell një gjë më të shkëlqyer, zemrën time, qiell më të gjërë, hapësirë më të madhe, për të ndritur me shkëlqimin tënd të shenjtë shpirtin tim.”

*Shkëputur nga libri i Fan S.Nolit: Vepra 1*

Përgatiti: ObserverKult