ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar para pak kohe nga Shtëpia Botuese “Syth”.
____________________________
Flasim përhanshëm me shkrimtarin Arlind Farizi
Nga: Xhemazije Rizvani
Vetë emni im tregon se kam qenë pasunia ma e madhe e atyne që m’sollën n’jetë. Arlind, nji emën i përbamë simbas fjalëformimit. Mbiemnin ma kanë paragjykue kufijve t’botës, si sjellës fatkeqësie.
Linda më 2 janar 1984. Muaj i egër. Fillim viti. Shlodhje babadimrash. Pesha: enjtun prej streseve. Jeta: me vner n’lukth, qorr n’dritë, me sy n’terr. Kafshë nate. Fjalëheshtak i madh. Shkolla: deri tash kam studiue spleen-in, magjistrova zhgënjimin, doktorova tipologjinë e njerëzve. Njerëzit dhe miqtë lidhen dhe ndahen me fjalë, me pranga mendimesh…
Vetë jeta më qe e ngjashme me nji varg shitues malarmeje. Vesha gjithnji t’vjetrën. Fëmijëplak. Mësova poezinë prej jetës dhe librave. Netëve s’më vinin muzat, më vinin mendimet. 9 herë kam vdekë dashunie. Vdekja e fundit asht, por s’ka mbërritë, e pres.
Origjinë kadmi, tru astral, civilizim amsterdami mes provincës. Kurrë s’e kuptova veten, të tjerët po. I due fëmijët, LEDRIN dhe GRESËN, edhe pse jam babëfëmija vetë… E due qiellin, aty due të iki si shtergu i fundit, që t’mbetem i parafundit Lasgush…”
Cila është kënga më e trishtë për sediljen e pasme?
Duartrokitjet e shoferit…
Çfarë super-fuqish ka një poet?
Retiçencën.
Autorët e tu të preferuar cilët janë?
Ata që nuk cënojnë zotin brenda meje.
Ç’kuptim ka poezia në këtë qytet?
Qytetin pa kuptim.
Cila është poezia më e dashur?
Fjala.
Për çfarë e qorton veten më shpesh?
Për faktin qe nuk e qortoj dhe aq shpesh.
Çfarë të duket qesharake dhe që të dhemb njëkohësisht ?
Koka mbi re.
Deri sa i jep zë pikëllimës?
Deri sa të më gëzojë.
Si do të të kishin përshkruar fëmijët?
Si ylber.
Përse hesht më gjatë?
Se qorri do sy.
Ç’kuptim ka jeta?
Me qenë tani, këtu… përherë.
Librat e tu më të dashur?
Ata që më dhembin kur i mbyll.
Kush do ta shpëtojë botën?
Secili unë brenda meje.
Tmerri më i madh nga vjen?
Nga errësira.
Ç’ka qesharake në rutinën ditore ?
Rezistenca ndaj ndryshimit.
Nga të vjen energjia për jetë?
Nga nevoja për energji jete.
Poeti dhe ky qytet përse nuk shkojnë bashkë?
Se nuk ndahen kurrë.
Pengjet e tua cilat janë?
Liritë e cunguara.
Kush je ti?
E përparshmja e çdo fillimi dhe përteji i çdo fundi.
Çfarë kërkon këtu?
Të humbas kohën.
ObserverKult