Faruk Begolli: Nuk pres ma duartrokitje…po pres me pushue, me ikë!

faruk begolli

Faruk Begolli (14 shkurt 1944 – 23 gusht 2007)

“Kurrgja nuk kam gabue për krejt atë që kam ba n’këtë jetë. Nuk më vjen aspak keq që nuk kam ba edhe ma shumë. Asgja nuk kam lanë mangut. Kam rrnue me kënaqësi. E tash, po pres. E çka po pres? Nuk po pres ma duartrokitje, as rezultate, as kritikë, as….a? Po pres me pushue…. Me ikë”!, është thënia që i mbahet mend këtij aktori të madh.

E pikërisht me këtë ndjeshmëri artistike po e kujtojmë edhe ne në 17-vjetorin e ndarjes nga jeta, Faruk Begollin.

Ishte ndër artistët e mëdhenj tanë që la gjurmë të pashlyeshme si në teatër ashtu edhe në kinematografi.

Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i Degës së Aktrimit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet ’90 ka bashkëthemeluar edhe Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966) (Shikim në bebëzën e diellit), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’ (Beteja në Neretvë), ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ (Rojtari i plazhit në periudhën e dimrit) dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rolet në filmat e njohur kosovar të viteve të ’70-ta dhe ’80-ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj.

Gjenerata të tëra artistësh e kujtojnë me pietet profesorin e tyre të dashur.

ObseverKult

————————————————-

Lexo edhe:

ARTI NË ZI! VETËM 31 VJEÇ, NDAHET NGA JETA PAPRITUR MUZIKANTI SHQIPTAR