Trilogjia poetike në librin „Zoti vdes i pari“ i poetit Afrim Demiri, në shikim të parë, si strukturë organizative, ngjan në një dramë me shumë akte, por pa personazhe. Në fakt në gjithë këto akte dramatike shpërthen subjekti lirik si kryepersonazh, por jo si në një monodramë me rrjedhë lineare. Pra, nuk kemi të bëjmë këtu me dramën si lloj i shkrimit imagjinativ, por me dramën e jetës të shkrirë në poezi, që subjektin lirik e përcjell në çdo variant.
Nga Faruk Tasholli
Poeti Afrim Demiri transmeton një ligjërim paksa të veçantë. Ai edhe pas paraqitjes së tij këtu e gati 40 vjet më parë në shtypin letrar shqiptar të Kosovës, e ruan sistemin e të menduarit dhe filozofinë e shqiptimit të situatave, sa tokësore, sa lëndore, sa imagjinative, duke përdorur një vokabular të mvetësishëm.
Në këtë vëllim që kemi përpara, poeti bën një lojë metaforash fine dhe për më shumë, ato janë metafora kontrastesh, që hynë aq bukur në trillin e poezisë, duke ikur nga gjuha deskriptive e situatave. Një atmosferë të trishtë, një atmosferë lufte, një përmbysje fatesh njerëzore, ku plasin bombat e vërshëllejnë plumbat e kemi në një stinë me numërorin dyshifror 78. (Kjo stinë poetike, ta quajmë kështu jashtë ndërtimit metaforik të autorit, bulon mes jetës e vdekjes, ku një aleancë ushtarake e botës së civilizuar lufton inkuizicionin mesjetar të ushtruar në kohë moderne nga një agresor që për një shekull të tërë bëri plojën gjenocidiale, mbi një vend të quajtur Kosovë)
Kjo është ajo drama e trishtë jetësore e bartur metaforikisht në dramën poetike të poetit Afrim Demiri. Por me gjithë trishtimin, qetësia e të kënduarit krijon një atmosferë mahnitëse, si në poezinë „Zogu OTAN“, që nxjerr filozofinë e mbijetesës, edhe aty ku shpresa është mikroskopike: Bombat i krisën 13-të g’zhojat e vove t’ pulës klluqe/ Në bodrumin e sh’pisë çeli veç një zog i bardhë si bora/ Ne dhe zogu OTAN për 78 ditë jetuam/ duke u shiku sy me sy/ se cili do të vdesim i pari.
Por poeti nuk e vë pikën në fund të stinës 78 ditëshe kur është fillimi i triumfit të lirisë, vazhdon me aktin tjetër dramatik, duke protestuar me një ligjërim urban mbi disurbanizmin e lirisë. Në rrjedhën poetike të librit, jo pak ndeshim fjalë e figurë, varg e figurë dhe poezi e figurë, Ky ndërtim figurativ është i rrallë dhe i veçantë në poezinë shqipe,duke mos lënë anash ligjërimet paraprijëse poetike të dy poetëve të këtij arti fisnik, si janë Shaip Beqiri dhe Ramadan Musliu.
Vizueliteti jetësor dhe vizueliteti fiktiv, janë dy kontraste të ashpra në poezinë e Demirit, nga të cilat shfaqen shkëndija panoramike, që vetë poezinë e kthejnë në një çerdhe absurdi, në majë të një kapërcyelli lufta/paqja. Në këtë interferencë figurash, pas vdekjes së një frike e trishtimi, vjen trishtimi i ri, vjen frika e re, që poeti i kundërvihet me protestën shpirtërore aq edhe me reagimin filozofik njerëzor, por gjithmonë i mundur.
Vargjet si: Ashensori koha ime vertikale ose shtëpitë po paketohen në shumëkatëshe/ oborret po vdesin korridoreve pa dritë, sa flasin për një anarki lëndore po aq edhe për një anarki morale, ku robi vështirë e gëzon lirinë apo nga vrulli entuziast e degradon atë. Autori, si një i burgosur në anarki, proteston e gjëmon me revoltën përmes shenjave poetike që i spikatë gjuha e metaforave.
Poezia e Afrim Demirit, e përmbledhur në librin „Zoti vdes i pari“, në gjeometrinë e saj shtrihet në tri sipërfaqe të të tri kohëve, përkatësisht në një kozmos të ngushtë, por me shumë kontraste. Në një mënyrë, jo vetëm më filozofinë, por edhe me vizuelitetin e brendshëm, provokon mendimin e lexuesit dhe nxit kënaqësinë e tij me asociacionet reflektuese që me fuqinë e vargut i ngjiten kujtesës.
ObserverKult
kliko edhe:
Littera sjell për lexuesit trilogjinë poetike “Zoti vdes i pari” të Afrim Demirit