Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka shprehur sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të poetit Faslli Haliti.
“Faslli Haliti ishte një shkrimtar dhe poet i shquar i Shqipërisë, që me talentin, bindjet dhe pasionin e tij i dha kulturës kombëtare krijime e vlera të spikatura. Haliti ishte një poet origjinal dhe me origjinalitetin e tij ndihmoi në ndryshimin e poezisë dhe të kulturës shqiptare. Modest dhe modern, tragjik dhe madhështor njëkohësisht, la shenja të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Ai “përktheu” në art mençurinë popullore dhe me krijimtarinë antidogmatike Haliti krijoi një kozmogoni poetike mjaft të pasur.
Me shpirtin e tij prej demokrati të vërtetë, ai e “përktheu” demokracinë e motiveve të artit të vet në një shërbim publik, duke kontribuar për katër vjet si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Laboratori i tij krijues dhe trashëgimia kulturore e qytetare janë një pasuri e madhe që Faslli Haliti u la kulturës kombëtare dhe brezave të ardhshëm”, shprehet në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Edhe Presidenti Ilir Meta ka shprehur hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të Halitit. “Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e poetit tonë të mirënjohur, Faslli Haliti, intelektualit të angazhuar me vlera kombëtare, shembull i qytetarisë e luftëtar i palodhur dhe i pakompromis i fjalës e mendimit të lirë, duke provuar deri dënime për mbrojtjen e saj”, shprehet Meta.
“Kam patur fatin ta njoh nga afër edhe si ish-deputet i PS, dhe i ruaj me nostalgji kujtimet për periudhën kur bashkëpunuam në politikë si pjesë e ish-grupit parlamentar socialist, ku padyshim Faslliu spikaste me individualitetin e tij mes deputetëve të PS që vinin vetëm nga radhët e intelektualëve e profesorëve”, tha Meta./ATSH