Nga Fatmir R. Gjata
Rrjedh një lumë në Asti të Italisë. Kështu do ta titulloja poezinë nëse do përshkruaj paradën e Shqipëtarëve në Asti, një lumë njërëzish të veshur me kostumet kombëtare të të gjitha trevave, midis tupanave dhe çiftelive, klarinetës e fizarmonikës.
Flamurët kuq e zi u përzien me ato të qytetit të lashtë dhe për një ditë Asti u kthye në kryeqendrën e shqiptarëve kudo që ndodhen. Një valle e pandalshme nën këngët patriotike midis monumenteve të vjetra që ndoshta shihnin habitshëm rrjedhën e fëmijëve të gëzuar me flamurkat e tyre dhe kostumet e çuditshme për vendasit.
Nga dyqanet dilnin njerëzit e shihnin buzëqeshur këtë manifestim të madhërishëm. Kjo ditë ish me të vërtetë dita e krenarisë shqipëtare. Delegacionet nga shumë qytete të tjerë plotësonin e mbushnin radhët dhe krahëpërkrahë zbrisnin deri atje ku do të ish epiqendra e festës, pranë qendrës së shoqërisë “Assoalbania” dhe asaj kulturore “Margarita Xhepa” djemtë e vajzat e së cilës organizuan këtë takim kaq të bukur e të rëndësishëm.
Hymni i flamurit ngriti në këmbë të gjithë, ai hymn që na mallëngjen sa herë e dëgjojmë. Pastaj…pastaj miqtë e mi asnjë prej jush që lexoni dhe nuk jeni këtu s’mund t’a kuptoni çdo të thotë të kërcesh mbi tinguj që i njeh gjithkush nga ne edhe në një farë forme na kanë ngjizur të gjithëve me dheun mëmë.
E lehtë ta dëgjosh në tokën tonë, por kur e dëgjon në dhe të huaj po ajo ndjenjë rritet, shumëfishohet edhe bëhet një rrëshqanë në tjetër realitet paralel.
Duhet të jesh për ta përshkruar edhe prapë nuk do munden dot fjalët të shprehin atë përkëdheli të ndjerë në secilin prej nesh. Duhet muzikë, pikturë, fotografi, artet të gjitha të mbledhura bashkë në një ceremoni të gëzueshme për t’a ndjerë gjer në palcë këtë manifestim. Unë isha. Dhe ndihem aq mirë.
Faleminderit djem e vajza që e organizuar, faleminderit ju që morët pjesë, faleminderit ju që ishit pranë nesh.
Mirupafshim në takime të tjera!
Bashkë gjithmonë!
Kliko edhe:
CIKËL POETIK NGA FATMIR R. GJATA: TË PUTH PAK BUZË TRËNDAFILUAR…