Fazli Gajraku është rizgjedhur drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” edhe për një mandat të ri.
Gajraku ka mbajtur këtë post për 4 vjet më radhë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se drejtori i deridjeshëm i BKK-së “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku ka dalë të jetë kandidati më i suksesshëm në konkursin e hapur para dy javësh për zgjedhjen e drejtorit të ri të BKK-së.
Sipas njoftimit të MKRS, Gajraku me aplikacionin numër 5, ka arritur të mbledhë 91.6 pikë duke u shpallur si kandidati më i suksesshëm i këtij konkursi.
Gajraku për të fituar mandatin e dytë në krye të BKK-së “Pjetër Bogdani” kishte tre kundërkandidatë: Valon Kashtanjevën, Bislim Bislimin dhe Tefik Mehmetin.
Në konkursin e MKRS-së për zgjedhjen e drejtorit të BKK-së “Pjetër Bogdani” kishin aplikuar pesë kandidatë: Fazli Gajraku, Valon Kashtanjeva, Bislim Bislimi, Ramush Zeka dhe Tefik Mehmeti.
Pas verifikimit të dokumentacionit, nga gara është eliminuar Ramush Zeka.
Ky i fundit tashmë ka dërguar ankesë në MKRS për shkak siç thotë, vlerësimi për eliminimin e tij është bërë në mënyrë të padrejtë.
Testimi me shkrim i kandidatëve është bërë të premten e shkuar, ndërsa intervistimi me gojë është bërë një ditë më parë.