Federiko Garsia Lorka ishte një nga shkrimtarët spanjollë më të vlerësuar në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Krijimtaria është thelbësore për studiuesit e letërsisë, ndërsa figura e tij është bërë një model referimi. Një muaj para se të vdiste, kur miqtë e nxisnin të largohej nga lufta civile në lindje, Lorka u rikthye në Granadë. Ai do të pushkatohej më 19 gusht 1936.
Viktimë e gjuetisë së komunistëve dhe homoseksualëve? Larje hesapesh klanore?
Misteri vijon të jetë i pranishëm. Vdekja jehon gjithnjë e më fort në vetëdijen kombëtare, shenjë e pashlyeshme e luftës civile në Spanjë, një episod që vështirë se mund të harrohet. Lorka ishte vetëm një nga viktimat e luftës; viktima, identitetin e të cilëve nuk e njohim, por gëzimi i të cilëve u rrëmbye padrejtësisht nga mizoria e fashizmit. Kësisoj, figura e Garsia Lorkës merr një rëndësi edhe më të madhe: jo vetëm për faktin që ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj spanjollë, por ishte njëherazi një nga viktimat e panumërta të luftës civile.
Në ditët tona e studiojmë Lorkën të mahnitur, gjithë entuziazëm, veç fundi i tij tragjik na lë shije të hidhur. Puna e tij, shumë e vlerësuar sot, nuk u mirëprit sa ishte gjallë, poeti e njohu famëm vetëm pas vdekjes. Le të mos harrojmë se, disa nga veprat e tij më të njohura u botuan pas vdekjes. Gjatë gjithë ekzistencës, ai mbajti një lidhje të thellë me vendlindjen dhe, në veçanti, me familjen. Gjurmët e traditës janë të dukshme në shkrimet e tij. Poeti i mirënjohur nuk mori asnjë pozicion politik, por ai ishte një njeri i botës dhe, për më tepër, ai ishte homoseksual. Homoseksualiteti dhe “infiltrimi i tij hipotetik” me rusët do ta shpinte drejt vdekjes, me gjithë përkushtimin ndaj Spanjës dhe lidhja që kishte me rrënjët e tij, të vlerësuara në më shumë se një rast. Prej atij çasti e tutje, një seri dritëhijesh do të qëndronin pezull mbi vdekjen e Lorkës. Në të vërtetë, nuk e dimë me siguri se çfarë ka ndodhur me poetin. Dimë për përfshirjen e Ramen Ruiz Alonso, për bashkëpunimin me socialistin Fernando de los Ríos, me rusët dhe, për më tepër, dimë se homoseksualiteti ishte një nga shkaktarët e vrasjes së tij. Vdekja dhe reliket mbeten të mbuluara me mister, por s’ka dyshim se Spanja e kohës, me frankizmin në rritje dhe dominant, i dha fund jetës së tij, jetës së një prej shkrimtarëve më të mëdhenj. Megjithëse raporte policore të kohës hedhin dritë mbi disa fakte të errëta të ngjarjeve që çuan në vrasjen e Garsia Lorkas, i sigurt mbetet fakti që dramaturgu nuk ishte viktima e vetme e një lufte të padrejtë.
Lorka jetoi në “Residencia de Estudiantes” së bashku me artistë të tjerë, mori pjesë në momentet e mëdha letrare të brezit të tij dhe, pa asnjë dyshim, sot është një nga emrat më të rëndësishëm të “Gjenerata ‘27”. Vitet e fundit të jetës, prodhimi i Lorkës qe i bollshëm, por shumë pak vepra panë dritën e botimit. Ndër këto: “Vajtim për Ignacio Sanchez Mejias” dhe “Poemas Gallegos” (gjashtë poezi në galishte). Protagonistë të veprës ishin romët, lirika predominonte në roman. Sidoqoftë, sa i përket aspektit narrativ, gjejmë një histori, dialog midis personazheve, madje edhe referenca që shkojnë përtej poezisë. Lorka mbledh shprehje popullore dhe i shndërron ato në gjuhë teatrale; studion shpirtin dhe thellësitë e një kulture të vlerësuar deri në skaje. Lorka u vra nga frankizmi, poeti që fitoi reputacionin e të qenit “personi i parë i famshëm që u vra”, një njollë e zezë në historinë e Spanjës, por pa dyshim, një “imazh që na kujton tmerret e të kaluarës dhe magjinë e letërsisë”.
Dua të qaj sepse më pëlqen,
Siç qajnë fëmijët e bankës së fundit,
Sepse nuk jam as poet, as qenie, as gjethe,
Por një dridhmë e plagosur që vërtitet rreth gjërave të krahut tjetër.
Vrasja e poetit të ri, nisur nga rrethanat në të cilat u ekzekutua, pasi pa dyshim u poshtërua, u rrah, u torturua, nxit përherë një emocion shumë të fortë, e bën atë simbolin më të tmerrshëm të barbarisë së milicisë së Frankos, por edhe të të gjithë shoqërisë spanjolle. Ngritur në një përroskë, nën hijen e pemëve, midis varreve masive, një pllakatë graniti përçon më së miri mendimin e familjes: “Lorca eran todos” (Të gjithë ishin Lorka). Një mënyrë fisnike për të thënë, se në vdekje të gjitha viktimat e fashizmit janë të barabarta dhe se ky nekropol tragjik, në vetminë e tij, fsheh më shumë madhështi dhe rrezaton më shumë emocione se çdo varr mermeri./konica.al