Familjarë, miq e kolegë mbajtën homazhe për regjisorin Vladimir Prifti, i cili u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare. Kolegët rrëfejnë kineastin me dëshirat e pengjet e tij, ndërsa dy fëmijët tregojnë se ai iku nga kjo jetë i përmbushur.
Pranë Rrugës së Dibrës ku jetoi, regjisorit Vladimir Prifti, i bëhen homazhet e fundit… U nda nga jeta të dielën në moshën 81-vjeçare.
Pas një ndërhyrje kirurgjikale shëndeti u rëndua, ndonëse iku nga kjo jetë i përmbushur…
Të afërm, miq, kolegë, dy fëmijët, Bora dhe Keidi janë pranë tij. Ndarja është vetëm fizike. Ata tregojnë se lidhja e tij e fortë me filmin, nuk i privoi asnjëherë nga angazhimi maksimal, përkundrazi të dy këto dashuri ditën të bashkëjetojnë…
“Kujtoj gjatë ‘Udhës së shkronjave’, ku ai ishte tërësisht i zhytur në punë, i mbyllur në studion e tij. Vinin dhe aktorët si Sandër Prosi, që të futeshin sa më mirë në rol, ndërsa unë si fëmijë në atë kohë kërkoja vëmendje. Dhe ai më merte me përkëdheli me duart lart në ajër. Ky imazh i tij, i buzëqeshur dhe i lumtur do të mbetet pikturë në zemrën time dhe ka ndikuar shumë në formimin e personalitetit tim’, thotë i biri Kejdi Prifti.
E nisi karrierën me teatrin, në krah të kolosëve si Piro Mani.
Si regjisor në televizion e ish-Kinostudio më pas ‘AlbaFilm’ dhe ‘Eurofilm’, çdo film i tij diti t’i rezistojë kohës. Janë mbi një gjysmë shekulli pasuri filmike…
Tentoi të mbështetej në temat historike, për të shmangur ideologjinë komuniste në artin e tij. Por, siç tregon Osman Mula, nuk kanë munguar as problemet si në rastin e filmit “Udha e shkronjave”, ku perfeksionizmi i Priftit, i linte hapësirë dyshimit për qasje kundër rrymës..
Në postdiktaturë krahas filmit “Dasma e Sakos” realizoi kryesisht dokumentarë, si “Skënderbeu”, ku bashkëpunoi me aktoren Roza Anagnosti.
“Ishte një artist, bashkëshort, baba, mik i mrekullueshëm. Bashkëpunuam me të për dokumentarin ‘Skënderbeun’, donte ta vijonte, po s’kishte financim!”, rrëfen aktorja Roza Anagnosti.
Vladimir Prifti ishte ‘sqimatar’ edhe për bashkëpunëtorët e tij, duke nisur që nga përzgjedhja e skenarëve.
Krahas merakut për ruajtjen e filmave, Prifti mbarte edhe të tjera ‘pengje’ lidhur me ngërçet e kinematografisë shqiptare sot./ shqiptarja.com
ObserverKult
Lexo edhe:
MEVLAN SHANAJ TREGON BISEDËN E FUNDIT ME VLADIMIR PRIFTIN: E LAMË QË SË SHPEJTI TË SHIHESHIM…
Është ndarë nga jeta dje në moshën 81-vjeçare regjisori i njohur i filmave shqiptarë, Vladimir Prifti.
Aktori Mevlan Shanaj me anë të një postimi së fundmi në Facebook tha se me vdekjen e regjisorit Prifti ekranit shqiptar i ka ikur një regjisor i shquar, njeri me humor dhe pasion për artin.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult