Jon Hoxha po përpiqet të mësojë teknikat e reja arti. Ndryshe nga shkolla, këtu ai ka mundësi të praktikojë më shumë metoda të reja, i rrethuar gjithandej nga vepra arti.
Hoxha dhe shumë nxënës të tjerë, po punojnë bashkë në kuadër të ekspozitës “N’përpjekje për me u çue” të artistit Driant Zeneli, të organizuara nga fondacioni Bonevet, raporton “Express” i KTV-së.
Gjatë kësaj punëtorie dy ditore, fëmijët kanë eksploruar në fusha të ndryshme arti.
Vizatimet, puna me argjilë e arti i lashtë i palosjes së letrës, origami, janë vetëm disa prej këtyre teknikave.
Që nga viti 2014, Bonevet zhvillon aktivitete me grupmosha të ndryshme të të rinjve, ku përmes lojës e teknologjisë, ata mund ti zbulojnë e zhvillojnë talentet e tyre.
Të konsideruar si hapësirë krijuese, Bonevet premton të vazhdojë me aktivitete të shumta.
Mësimi i bazuar në projekte i mundëson të rinjve të fitojnë aftësi të menaxhimit, të përvetësojnë punën në grupe si dhe të krijojnë vetëbesim dhe këmbëngulje gjatë projektimit dhe realizimit të projekteve.