Gjuha është mjet komunikimi dhe funksionet e saj janë të shumta, por funksioni kryesor është që folësit e një gjuhe të merren vesh në mes vete. Me fillimin e transmetimit të reality show Big Brother në Kosovë shikuesit e tij, veç tjerash, janë përballë me bidialektizmin, duke shfaqur madje edhe neveri kundrejt bashkëjetesës dhe prezantimit të të dy dialekteve të shqipes nga Anita Haradinaj.
Nga Vlora Konushevci
Sociolinguistika e njeh këtë koncept si “ndërrim i kodit” apo “code-switching”, që i referohet një personi, i cili e ndryshon gjuhën ose dialektin gjatë një bisede të vetme, madje ndonjëherë edhe gjatë rrjedhës në një fjali të vetme. Shumë prej gjuhëtarëve konsiderojnë se dialektet përbëjnë gjuhë në vete dhe nuk paraqesin vetëm degë të një trungu duke theksuar se janë vendimet politike ato që e bëjnë dallimin.
Prandaj, krahasimet dhe studimet mbi bidialektizmin dhe bilingualizmin shkojnë krah për krah me njëra tjetrën. Nisur nga kjo mund të shikohet edhe ndërrimi i kodit linguistik i Anita Haradinajt njësoj sikurse e bëjnë edhe njerëzit bilingual, apo së fundi në masë të madhe fëmijët tanë që shërbehen me veçorit dhe leksikun e anglishtes duke e përzier me atë të shqipes.
Dihet mirë që edhe në Kosovë kemi përdorë gjuhën standarde si kod gjuhësor në shkollim, në media apo në jetën publike në përgjithësi dhe dialektin gegë si kod komunikimi në familje, shoqëri etj.
Edhe sot e kësaj dite e ndërrojmë/përshtatim kodin gjuhësor, varësisht nga situata, vendi, apo njerëzit me të cilët komunikojmë, për shembull ndryshe flasim kur japim ndonjë intervistë në medie, apo intervistë pune, dhe me tjetër kod në komunikim me familje apo shoqëri.
Në teori njerëzit e bëjnë këtë punë për një mori arsyesh të ndryshme. Tek disa kjo ndodh shumë natyrshëm. Për shumë folës të dy a më shumë gjuhëve apo dialekteve, ndërrimi i kodit ndodh në një nivel të nëndijes duke i ndihmuar ata që t’i gjejnë më lehtë fjalët e duhura. Disa e bëjnë për të rrit solidaritetin në mënyrë që t’i fuqizojnë lidhjet midis një komuniteti të caktuar linguistik, apo për ta projektu një identitet të caktuar.
Ndërrimi i kodit është gjithashtu edhe një mjet i fuqishëm psikologjik. Kur një individ përdor dialektin ose theksin e një grupi, natyrisht që atëherë ai grup është më i hapur dhe i vëmendshëm.
Veç këtyre linguistika e njeh edhe teorinë e akomodimit apo përshtatjes që i referohet ndryshimit të theksit ose dialektit nga një folës si rezultat i ndërveprimeve me një folës të një dialekti tjetër. Akomodimi shihet si një përgjigje e përkohshme ndaj faktorëve të jashtëm. Megjithatë, me kalimin e kohës nëse akomodimi është i shpeshtë personi mund ta përbrendësoj një dialekt tjetër ose veçori të një dialekti tjetër, ndaj ato veçori bëhen pjesë e leksikut të tyre. Për këtë arsye ka folës sikurse Anita Haradinaj që janë në gjendje t’i shfrytëzojnë të dy dialektet me lehtësi dhe ta bëjnë me lehtësi këtë gërshetim gjuhësor, varësisht prej rrethanave apo preferencave personale.
Kjo mund të shkaktojë neveri, sepse është e pazakontë për neve, por ky nuk është fenomen i panjohur tek gjuhët, areali i të cilave është më i gjerë sesa i shqipes.
Përfundimisht po kthehem tek funksioni primar i gjuhës që është komunikimi. Andaj flisni, shprehuni si të doni, me rëndësi merruni vesh!
ObserverKult
Lexo edhe: