Materiali i mëposhtëm është shkëputur nga një letër e Xhorxh Oruellit drejtuar Duajt Mekdonaldit, e shkruar në dhjetor 1946, menjëherë pas botimit të ‘Ferma e Kafshëve’ në Shtetet e Bashkuara. Sipas redaktorit të letrave, Pitër Davisonit, i cili gjithashtu ka dhënë shënimet në fund të faqes, Mekdonaldi i shkroi Oruellit se:
Intelektualët anti-stalinistë, që ai njihte, pretendonin se parabla e Ferma e Kafshëve nënkuptonte se revolucioni përfundonte gjithmonë keq për të disavantazhuarit, “ndaj në dreq me të dhe rroftë status-quo-ja.”
Vetë ai e kishte parë librin si diçka që kishte lidhje vetëm me Rusinë dhe se nuk përmbante ndonjë përfundim më të gjerë mbi filozofinë e revolucionit.
“Kam ngelur i shtangur nga fakti se shumë mjatistë që njoh e thurrin këtë kritikë në mënyrë të pavarur nga njëri tjetri – i shtangur sepse nuk ma kapi mendja një gjë të tillë kur e lexova librin dhe ende nuk më duket korrekte. Cila pikëpamje, sipas teje, qëndron më afër qëllimeve të tua?”
Përgjigjja e Oruellit gjendet në ‘Xhorxh Oruell: Jetë në Letra’, e cila do të botohej nga shtëpia botuese Liverlight në gusht:
Në përgjigje të pyetjes tënde mbi Ferma e Kafshëve. Sigurisht që në radhë të parë libri ishte një satirë mbi revolucionin rus. Por kisha gjithsesi për synim një zbatim më të zgjeruar për faktin se desha të tregoja që ai lloj revolucioni (revolucioni i dhunshëm konspirativ, i udhëhequr nga njerëz të pandërgjegjshëm për etjen e tyre për pushtet) mund të çojë vetëm në një ndryshim të shtypësve. Synoja që morali të ishte se revolucionet mund të sjellin përmirësime radikale vetëm kur masat janë të ndërgjegjësuara dhe dinë si t’i heqin nga pushteti udhëheqësit e tyre kur këta të fundit e kanë bërë punën e tyre. Pika e kthesës në libër supozohej të ishte kur derrat mbajtën për vete qumështin dhe mollët (Kronstadti).[1] Nëse kafshët e tjera do të kishin patur zgjuarsinë të kundërshtonin, atëherë gjithçka do të kishte shkuar mbarë. Nëse të tjerët mendojne se po mbroj status-quo-në, kjo ndodh, sipas meje, sepse ata janë bërë gjithnjë e më pesimistë dhe kujtojnë se nuk ka alternativë tjetër përtej diktaturës ose kapitalizmit laissez-faire. Në rastin e trotckistëve kemi një komplikim më tepër për faktin se ata ndihen përgjegjës për ngjarjet në Bashkimin Sovjetik deri në vitin 1926 dhe u duhet të supozojnë se një degjenerim i papritur ndodhi rreth asaj date. Ndërkohë që, sipas mendimit tim, i gjithe procesi ka qenë i parashikueshëm – në fakt u parashikua nga një dorë e mirë njerëzish, për shembull, Bertrand Rasëlli – nga vete natyra e partisë bolshevike. Ajo që po përpiqesha të thoja ishte se,”Nuk mund të kesh një revolucion nëse nuk je ti ai që e bën atë; nuk ekziston diçka e tillë si diktatura dashamirëse.”[2]
[1] Kronstadti, një bazë detare që ruante hyrjen e Shën Petërsburgut, vetëm pak kilometra nga Finlanda, u themelua nga Piteri i Madh në vitin 1704. Pika e kthesës te Ferma e Kafshëve ka lidhje me ngjarjet që ndodhen në fillim të vitit 1921. Mungesat në ushqime dhe regjimi i egër nxiti një sërë grevash në Leningrad; në mars grevistët u mbështetën nga marinarët e bazës detare të Kronstadtit.Kjo ishte revolta e parë serioze jo vetëm nga mbështetësit e Revolucionit kundër qeverisë, por edhe nga një qytet dhe bazë detare të cilat kishin luajtur një rol parësor në revolucionin e suksesshëm të vitit 1917. Trotcki dhe Mikail Tukaçevski (1893-1937) e shtypën revoltën, por humbjet e rebelëve nuk shkuan dëm. Shumë shpejt u shpall Politika e Re Ekonomike, e cila pranonte nevojën për reforma. Tukaçevski u caktua Marshall i Bashkimit Sovjetik në 1935, por dy vjet më vonë u ekzekutua në një nga spastrimet e radhës të Stalinit. Fakti që Mekdonaldi nuk e kapi domethënien e “pikës së kthesës” te Ferma e Kafshëve mund të jetë arsyeja pse Oruelli e theksoi këtë moment në versionin e librit të përshtatur për radio, skriptin e të ciles ai do ta dorëzonte në më pak se një javë. Aty, ai shton edhe këtë shkëmbim të vogël:
KLOVERI: A thua është e drejtë që të marrin të gjitha mollët?
MOLLI: Si, t’i mbajnë mollët për vete?
MURIELI: Po neve nuk do të na japin?
LOPA: Po sikur duhet t’i ndanin në mënyrë të barabartë.
Për fat të keq, Rajner Hepenstolli e hoqi këtë pjesë të skriptit gjatë transmetimit.
[2] Kur Ivonë Daveti i shkroi Oruellit në 6 shtator, 1946, ajo i tregoi se titulli fillestar që u zgjodh për përkthimin në frëngjisht të Ferma e Kafshëve ishte URSA – Union des Républiques Socialistes Animales (=URSA, Ariu), por u ndryshua “në mënyrë që të mos ofendohej shumë Stalini, gjë që, sipas meje, është për të ardhur keq.”/ ObserverKult