“Ferma e kafshëve”: Çfarë paralajmëroi Orwelli për komunizmin- një vepër si të ishte shkruar për Shqipërinë

“Përjashta iu përgjigjën ca lehje të frikshme dhe nëntë qen të stërmëdhenj me qafore plot gjilpëra bronzi hynë në hangar duke hovur.

U lëshuan drejt e te Topdëbora, i cili brofi nga vendi, bash në kohë për t’u shpëtuar nofullave të tyre kërcëllitëse. Sa hap e mbyll sytë, Topdëbora doli nga dera dhe qentë iu qepën pas… Shokë, këtu, tani, shpall dënimin me vdekje të Topdëborës.
Do t’i jepet dekorata “Hero i Kafshëve i Klasit të dytë”, si dhe gjysmë shiniku mollë. Çdo kafshe që e sjell para drejtësisë. Një shinik plot me mollë çdokujt që e kap të gjallë!”.

Kështu ndodhte me çdo rival e çdo kundërshtar politik. Përmbysje popullore, propagandë, premtime të mëdha. Eliminime mes vetash, krijime shtresash të privilegjuara, shtypje…
Një skenar i gatshëm, që sikur të mos fliste për qen, derra e shpërblime me mollë. Do të dukej se kishte dalë nga ndonjë prej rrëfimeve për ish-byroistët dhe ish armiqtë e klasës, përpara viteve ’90 në Shqipëri, në regjimin e Enver Hoxhës.
Por, në fakt, bëhet fjalë për “Fermën e kafshëve”, që prej pak kohësh është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Pegi”, nën përkthimin e Sokol Çungës.

Ndonëse vepra e George Orwell nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar. Ka njohur disa përkthime, botime e ribotime. Rileximi i kësaj vepre është një shkundje dhe një kthim me këmbë në tokë. Kujtesa është e shkurtër dhe Orwelli i thërret ndërgjegjes së secilit prej nesh që e shkuara të mos përsëritet.
Dhe kur ribotohet Orwelli, qoftë “84-a” apo “Ferma e kafshëve”, është një sirenë alarmi se diçka po ndodh. Një paralajmërim për të qenë të vëmendshëm, që Napoleoni të mos godasë sërish.

“Orwell-i nuk e donte komunizmin, por as kapitalizmin, prandaj ‘Ferma e kafshëve’ u shndërrua në një paralajmërim kundër ndryshimeve politike në vetvete”, shkruante “The New Yorker”.
Sipas “The New York Times” “Shumë shpejt, libri hyri në imagjinatën politike si një fabul morale që tregoi se edhe idealet më të larta shoqërore degradojnë. Kur pushteti i egër vijon të flasë me gjuhën e vëllazërisë, dhe kjo sjell zvetënimin e së vërtetës”.

VEPRA

E konceptuar në formën e një përralle, me një gjuhë të drejtpërdrejtë. Kjo vepër e shkruar në vitin 1943, do të shndërrohej një nga veprat më të fuqishme të shekullit XX.

“Një klasik i vërtetë dhe i pakohë që flet kaq qartë për natyrën njerëzore”, shkruan “The Guardian”. Pas vitesh të tëra shtypjeje e shfrytëzimi. Kafshët e një ferme, të lodhura nga mujshitë e vazhdueshme të qenieve njerëzore, vendosin të ngrenë krye dhe, pasi dëbojnë pronarin. Orvaten të krijojnë një rend të ri, të themeluar mbi një koncept utopik barazie.

Megjithatë, shumë shpejt, mes tyre lind një klasë e re burokratësh. Derrat, të cilët me dinakërinë, makutërinë dhe egoizmin që i karakterizojnë u imponohen në mënyrë arrogante dhe tiranike kafshëve të tjera më të buta dhe shpirtmira.

Thellësisht aktual dhe po aq i freskët sa ç’ka qenë më shumë se gjysmë shekulli më parë, “Ferma e kafshëve” është një përrallë për ata që mëtojnë të jenë çlirimtarë kudo në botë. Teksa dëshmohet, përmes thjerrës së historisë, ngritja dhe rënia e përgjakshme e kafshëve revolucionare. Dallohen farat e totalitarizmit në sistemet më ideale, si dhe shpirtrat e shtypësve më të egër te udhëheqësit tanë më karizmatikë.

“Përrallë” e ka quajtur vetë Orwelli, teksa derrat zënë e marrin gjithnjë e më tepër tipare njerëzore. Por ndërkaq është një alegori e thellë jo vetëm ndaj sistemit komunist të ish-Bashkimit Sovjetik, por ndaj të gjitha diktaturave njerëzore.

Satira e mprehtë oruelliane ndaj totalitarizmit bashkohet me gjeninë krijuese dhe një energji stilistikore që e vendosin “Fermën e kafshëve” mes veprave më të njohura letrare të shekullit XX.

AUTORI

George Orwell, emri i vërtetë i të cilit ishte Eric Arthur Blair, ishte shkrimtar, eseist, gazetar, aktivist dhe kritik letrar britanik.
Ai ishte një prej eseistëve më të ndritur të kohës së vet dhe kundërshtar i çdo forme totalitarizmi.
U bë i njohur kryesisht për dy romane, në të cilat shkrihet angazhimi politik dhe pasioni letrar. “Ferma e kafshëve”, një satirë therëse e retorikës sovjetike për barazinë. Dhe “1984”, roman që përshkruan me tone apokaliptike një botë imagjinare në një të ardhme jo të largët, një roman fantastiko-politik. Prej të cilit lindi dhe cilësimi “oruellian”, që sot përdoret gjerësisht për të përshkruar mekanizma të ndryshme totalitare të kontrollit të mendimit.

Si polemist i kthjellët dhe antikonformist që ishte, Orwell-i nuk i kurseu kritikat as ndaj inteligjencies socialiste angleze. Përballë së cilës ndihej krejt i huaj. Ai ishte dhe mbeti deri në fund socialist i bindur. Por ndërgjegjësim edhe për shkak të përvojave tragjike personale. Për kontradiktat e thella dhe gabimet fatale të vijës së ndjekur në Bashkimin Sovjetik, nën drejtimin e Josif Stalinit. E nxiti që të përqafonte një antisovjetizëm të flaktë, duke u përplasur kështu me një pjesë të rëndësishme së të majtës europiane të asaj kohe.
Në 1946, shkroi: “Çdo rresht të çdo vepre serioze që kam shkruar nga 1936 e këtej, e kam shkruar direkt ose indirekt kundër totalitarizmit dhe pro socializmit demokratik, ashtu siç e mendoj unë”./panorama.com.al

LEXO EDHE: “1984” E ORWELL, PROFECITË E VEPRËS/ÇUNGA: DIKTATURAT VUNË NË JETË SHUMË PJESË TË ROMANIT