Fernando Pessoa: Krejt nji jetë

fernando pessoa

Me rastin e 134-vjetorit të lindjes

Fernando Pessoa, (13 qershor 1888 – 30 nëntor 1935)

Ulun në tramvaj, po ua hetoj për nge, qysh e kam shprehi, të tana hollësitë njerëzve që më ndodhen para. Hollësitë për mue janë sende, zane, fjalë. Këtë fustan të vajzës së ulun para meje e zbërthej në cohën prej të cilës përbahet, punën me të cilën e kanë ba – nga e cila shoh fustanin dhe jo cohën – dhe tegeli i lehtë që kufizon pjesën rrotull qafës më ndahet në fijen e mëndafshtë, me të cilën asht qepë, dhe punën e bame me e qepë. Dhe saora, si në ndoj libër fillestarësh të ekonomisë politike, më hapen përpara fabrikat e punët – fabrika ku asht ba bezi; fabrika ku asht ba peni, me ngjyrë ca ma t’errët, me të cilin qepen dredhkat e vockla nëpër vendin e vet përgjatë qafës; dhe i shoh seksionet e fabrikave, makinat, punëtorët, rrobaqepëset. Sytë e kthyem së mbrendshmi më kridhen nëpër zyra, i shoh drejtuesit, kah përpiqen me mbetë të qetë, ndjek, nëpër defterë, llogaritarinë e të tanave; por s’asht veç kjo: shoh, për ma tej, jetët familjare t’atyne që e shkojnë jetën e vet sociale nëpër këto fabrika e këto zyra… E mbarë bota më shpalohet përpara sysh veç pse para vetes, poshtë nji qafe të zeshkët, që nga tjetra anë ka nuk e di ç’fytyrë, kam nji qëndisje çrregullt të rregullt të gjelbre të mbylltë mbi nji të gjelbër të çelët të fustanit.

Tanë jeta sociale më shpalohet në sy.
Përtej kësaj u parandjej dashunitë, tinëzitë, shpirtin, të tanëve që kanë ba punë që kjo grue, ulë përpara meje në tramvaj, ta veshë, rreth qafës së vet të vdekshme, banalitetin e përdredhun të nji peni mëndafshi të gjelbre të mbylltë përmbi të gjelbrën ma pak t’errët të fustanit.
Më merren mendtë. Ulëset e tramvajit, të nji ndërthurjeje kashte të fortë e të hollë, më shpien trevave të largëta, më shumohen nëpër industri, punëtorë, shpi punëtorësh, jetë, njimendësi, gjithçka.

Zbres nga tramvaji i kapitun e i përhanët. E jetova krejt nji jetë.

Përktheu: Gazmend Bërlajolli

ObserverKult

Lexo edhe:

GAZMEND BËRLAJOLLI: VETË SHPIRTNAT KËTË GJA E DITËN…