(Ag Apolloni, “Vytívlka, vlkavytí”, botoi “Albatros Media”, Pragë, 2019. Përktheu: Orkida Backus Borshi)
Nga Julie Ginzberg
Në kapitullin e parë të titulluar “Enter”, narratori, apo ujku i vetmuar, hyn në ferr, me fjalë të tjera në shtetin modern të Kosovës. Njëlloj si të gjithë shtetet e tjerë të rinj, edhe Kosova është duke përjetuar atë që anglisht quhet “nationbuilding”. Autori bashkëkohor kosovar Ag Apolloni duke iu referuar “Komedisë” së Dantes e koncepton këtë gjendje si një ferr të vërtetë. Në fundin e tij, në kapitullin me titull “Exit”, ekziston një dalje, por ajo nuk rezulton në Parajsë as në një katarsis pozitiv. “Sepse vetëm kur budallenjtë ta djegin botën, do të marrë fund dëshpërimi i të mençurve”.
“Ulurima”, një prozë emocionale
Ky roman, me një kompozicion të pazakontë, por të rregullt, në pjesën më të madhe të tij është roman postmodern epistolar. Përveç tregimit të hapur të jetës intime, të cilën ia rrëfen të dashurës, narratori i jep asaj edhe këshilla, qoftë për lexim, qoftë për jetë. Kjo është pak a shumë përmbajtja e librit që krahas çekishtes është përkthyer në tërësi në gjuhën maqedonase dhe pjesërisht në serbisht, italisht dhe anglisht.
Teksti është i shoqëruar me aluzione të shumta nga vepra të tjera letrare, muzikore e artistike. Gjithashtu përmban edhe shumë fusnota. Ag Apolloni (lindur më 1982) vendos në të njëjtin nivel citime nga Jacques Derrida (si “çdo diskurs është brikolazh”) ashtu edhe nga Rihanna ose Eminemi (“I love the way you lie”). “Dashuria fizike nuk mund të paramendohet pa dhunë”, citon Kunderën. Ky është tashmë një proces tradicional, të cilin e hasim shpesh në letërsinë postmoderne ose moderne bashkëkohore.
Apolloni nuk e quan veten autor postmodern, sepse proza e tij është emocionale. Lexuesi, pasi e përfundon leximin e përshkrimeve të jetës intime (dhe ndoshta disi i frymëzuar nga aluzionet dhe shënimet në tekst, vendos të shikojë ndonjë nga videoklipet e sugjeruar në YouTube), do të gjejë pasazhe ku autori gjerë e gjatë shkruan për fëmijërinë e tij në Kosovë ose për luftën, të cilën familja e tij e kaloi në Maqedoni. Në roman reflektohet edhe gjendja politike, gjendja trishtuese e sistemit shëndetësor si dhe procesi i pajtimit të ngadaltë me padrejtësitë e luftës në rrugët e sotme të Prishtinës. Në këto momente fusnotat pakësohen, intertekstualiteti ngushtohet dhe pasazhet e tekstit bëhen më të lexueshme, i flasin drejtpërdrejt botës së brendshme të njeriut dhe janë më universale.
Kur varfëria shëtit si sulltan
“Edhe kur s’të vrasin me plumb, të vrasin me papunësi, me mjerim, me shpërfillje”, shkruan Apolloni. Pika kulmuese e këtij diskursi, i cili e prek lexuesin me universalitetin e kohës dhe të vendit, është kapitulli “Dita e parë e lypësit”. Në këtë kapitull të ndarë në disa pasazhe të shkurtra njeriu me shumë neveri dhe dhimbje fillon të kuptojë brenda një dite që tashmë nuk i ka mbetur gjë tjetër përveç lypjes. “Këtu varfëria shëtit rrugëve si sulltan, ndërsa mbrojtësit e mjerimit thonë se punë kemi, po s’ka kush të punojë. Por, e vërteta është se këtu edhe Zoti është i papunë, sepse gjyqin njëri-tjetrit ia bëjmë vetë”, shkruan autori në këtë kapitull.
“Ulurima e ujkut” është romani i parë i shkrimtarit kosovar bashkëkohor Ag Apolloni. Ai ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku tani jep leksione në katedrën e letërsisë, është kryeredaktor i revistës “Symbol”, njërit prej dy periodikëve kosovarë letrarë të etabluar. Një vit pas botimit të “Ulurimës” Apolloni nxjerr romanin e tij të dytë “Zazen” (2014) dhe sivjet librin me ese të titulluar “Mesjeta ime” (2019), i cili njëlloj si “Ulurima e ujkut” hapet me një citat nga Dante Alighieri. Vitin e kaluar doli në librari drama e tij “Skenderbeu” (2018), një vit më parë drama “Hamleti simbas Horacit” (2017). Gjithashtu, Apolloni është laureat i disa çmimeve letrare kosovare.
Pyetja që shtrohet këtu është se çfarë tip lexuesi do të tërheqë “Ulurima e ujkut”. Megjithëse emri “roman epistolar postmodern” mund të tingëllojë si tekst kushtuar studiuesve të letërsisë, sipas Apollonit libri është i përshtatshëm si për lexuesin e masës, ashtu edhe për lexuesin elitar – këtu ai i referohet Umberto Ecos. Dëshmia e këtij referimi qëndron te fakti se që nga viti 2013 kur libri u botua për herë të parë, ka pasur shumë sukses në shitje si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Aq shumë sa është dashur të ribotohet gjashtë herë deri më sot. Tridhjetë e shtatë vjeçari Apolloni nuk është aspak autor konformist.
Krahas përmasës kritiko-shoqërore që bart ky libër, këtu hasim edhe tema universale të përshkruara në një mënyrë të hapur e të besueshme. Fjala është për raportet seksuale, ekzistenciale, njerëzore dhe politike. Pra, për çështje me të cilat njerëzit në mbarë botën mund të identifikohen kudo dhe kurdo. Nga ana tjetër, autori nuk lë pa i prekur (sadoqë kalimthi) edhe temat që kanë lidhje vetëm me popullin shqiptar, si Kanunin (ligjin tradicional shqiptar) dhe besën (mbajtjen e fjalës, premtimin). Pena kritike e Apollonit nuk i kursen as këto.
A do të vendoset edhe Ag Apolloni me përjetshmërinë e tij përkrah Umberto Ecos, ose shqiptarit të madh Ismail Kadare, apo publiku i huaj dhe ai shqiptar do ta harrojnë mbas një farë kohe? Të shohim.
Përktheu nga çekishtja: Orkida Backus Borshi
(Julie Ginzberg është studiuese dhe përkthyese çeke. Ky recension është botuar fillimisht në gjuhën çeke në “ILiteratura.cz”, 12 korrik 2019)
ObserverKult