“Festivali i Filmit Frankofon” në edicionin e sivjetmë ka në fokus komedinë. Me njëmbëdhjetë filma që janë përzgjedhur në këtë edicion, para publikut do të shpaloset humori i disa vendeve frankofone, si Belgjika, Franca, Luksemburgu, Zvicra, por edhe një film shqiptar.
Është komedia kosovare “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” nën regji të Kushtrim Bekteshit, bashkëprodhim midis Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë. Filmat do të udhëtojnë nëpër Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë dhe Vushtrri.
Në kuadër të këtij festivali, për të shënuar avancimin e Kosovës në statusin e anëtarit të asociuar në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, në tetor të vitit 2018, këtë vit do të dekorohen me “Urdhrin e Artit dhe Letërsisë” dy artiste frankofone: aktorja Arta Dobroshi dhe regjisorja Blerta Zeqiri. “Festivali i Filmit Frankofon”, që ka filluar të mërkurën, do të vazhdojë deri më 18 nëntor, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Albert Prenkaj, në konferencën e së mërkurës, ka thënë se kinemaja është një gjuhë universale që bashkon njerëzit më të larmishëm dhe, siç ka thënë ai, qe 19 vjet “Festivali i Filmit Frankofon” është duke bërë diçka të tillë.
“Çdo vit aktivitete të ndryshme organizohen për promovimin e frankofonisë në Kosovë, ambasadat frankofone dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe institucionet tona në përgjithësi bashkëpunojnë ngushtë për të ofruar mundësinë për të zbuluar një univers të pafund të pasurive kulturore të botës frankofolëse”, ka thënë ai.
Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, ka thënë se nuk ka më mirë sesa përmes një festivali “të bëhen bashkë të gjithë frankofilët, frankofonët dhe dashamirët e artit të shtatë rreth kësaj gjuhe të përbashkët”.
“Kosova është një aktor i vërtetë në botën e frakofonisë. Me peshën e kulturës dhe historisë së saj ajo e forcon diversitetin dhe kjo është arsyeja përse sivjet kemi zgjedhur që të nderojmë krijimtarinë bashkëkohore kosovare duke dekoruar me ‘Urdhrin e Artit dhe Letërsisë’ regjisoren frankofone Blerta Zeqiri. Po ashtu edhe komedia e fundit e Kushtrim Bekteshit do të jetë pjesë e këtij edicioni të 19-të të Filmit Frankofon”, ka thënë ajo.
Përfaqësuesja e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, Pauline Menthonnex – Gacaferri, ka thënë se pret me padurim që publiku të shohë filmin zviceran “Bienvenue en Suisse”.
Natasha Gomes, nga Ambasada e Luksemburgut, ka thënë se të gjithë që janë bërë bashkë për këtë festival kanë si të përbashkët faktin se janë miq të frankofonisë.
Shefi i Zyrës Belge në Kosovë, Jean-Louis Servais, ka thënë se në Kosovë befasohet për të mirë që populli njeh shumë gjuhë të huaja. Po ashtu ka thënë se janë të lumtur që po kontribuojnë në këtë organizim.
Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e pranishëm ka qenë Jehona Shyti, drejtoresha e Departamentit të Kulturës.
Kosova që nga viti 2014 është bërë anëtare vëzhguese e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.