Festivali i filmit në Dropull bën bashkë turistë dhe artistë

Në kryqëzimin midis Gjirokastër, Sarandës dhe Janinës, në Dropull, nisi edicioni i dytë i festivalit të filmit me metrazh të shkurtër.

Parku Arkeologjik i Adrinopolit në Sofratikë të Dropullit prej kohësh nuk vizitohej nga askush ndërkohë që mbrëmjen e kësaj të marte u mbipopullua nga gjirokastritë, sarandjotë, grekë por edhe turistë të ardhur posaçërisht për këtë eveniment.

Për Euronews Albania, media partner i këtij eventi, drejtori i këtij festivali Kosta Zhonga shprehet se festivali është një festë e re për zonën e dropullit, cka do të shërbejë në promovimin e vlerave turistike.

“Jemi të kënaqur të shohim, që këtu në Dropull, u shtua një festë e re. Përveç panaireve u bë dhe festa e filmit e cila fillon sot. Vendosa ta bëj në teatrin e Adrinopolit për të promovuar dhe amfiteatrin, sepse kishte ngelur në harresë. Kam biseduar me shumë aktorë dhe regjisorë, ata nuk e dinin që kishte një të tillë kaq te bukur. E kemi menduar të jetë në vende të ndryshme. Dita e parë këtu, pastaj në Voranci dhe në Dervican,” – tha ai.

Do të jenë 32 filma me metrazh të shkurtër që do të shfaqen për të apasionuarit e kinematografisë. Ndërkohë që, veçanti e festivalit janë dhe seminaret e polifonisë.

Kryetari i Bashkisë së Dropullit, tregon se ky aktivitet ka mbështetjen e institucionit që ai drejton, pasi të tilla aktivitete jo vetëm që janë në të mirë të komunitetit, por edhe më gjerë.

“Aktiviteti këtë vit zhvillohet për herë të dytë. Vitin e kaluar, ai startoi në Dervican. Këtë vit po nis në fshatin Sofratikë tek amfiteatri i Adrinopolit. Ka filma shqiptar, grek dhe europian, që sjell bashkimin e dy popujve Shqipëri – Greqi.

Do vazhdojmë t’i mbështesim dhe falënderoj personalisht Kosta Zhongën për mundësinë që na jep për zhvillimin e këtij aktiviteti,” – u shpreh Dhimitraq Toli.

Zëri i veçantë i mjeshtrit të madh të polifonisë Roland Çengo dhe grupit “Argjiro” emocionuan të pranishmit.

Të ftuar për të performuar dhe përcjellë pak nga kultura greke ishte dhe grupi i grave nga Greqia. Ato janë gërshetim i zërave të tyre të vjetër me kostumet tradicionale.

Konsulli i Greqisë në Shqipëri shprehet se kjo ngjarje e të tjerë si ky sjellin me afër popullin shqiptar me atë grek. I forcojnë urat e bashkëpunimit midis dy vendeve fqinje.

“Ky është viti i dytë i festivalit të filmit që mbahet në Dropull. Unë jam i lumtur në fakt, sepse të tilla aktivitete janë të pakta dhe sjellin më afër dy popujt, atë shqiptar dhe atë grek. Kjo forcon urat e bashkëpunimit dhe tregon se kultura di më se miri të bashkojë njerëzit. Unë jam i lumtur që marr pjesë në këtë aktivitet. Dhe patjetër që do të vazhdojë ta mbështes edhe me ndihmën e konsullatës greke,” – u shpreh Dimitros Sacharidis.

Njëzëri shprehet dhe politikani i njohur Vangjel Dule, i ardhur posaçërisht për këtë festival.

“Është mesazhi i bashkëpunimit që kultura mund ta përcjellë më mirë sesa politika dhe çdo fushë tjetër e jetës publike. Është pikërisht kultura ajo që sjell njerëzit me afër. Ajo që më të lehtë bën shkëmbimin e vlerave. Gërshetimi i vlerave është një impakt që shoqëron jetët e komuniteteve në shekuj. Këtë bën dhe festivali. Është meritë e veçantë e zotit dhe zonjës Zhonga, që me këtë iniciativë po hapin rrugë të reja në Dropull por e më gjerë,” – tha ai.

Mbrëmjen e parë u prezantuan 6 filma me metrazh të shkurtër, të cilët trajtojnë problemet sociale në vendet ku ato janë prodhuar./euronews.al

ObserverKult

Lexo edhe: