Festivali i gjysheve mbushi Përmetin me vizitorë


“Nona”, festivali i gjysheve, që u mbajt në fundjavë në Përmet, ishte i suksesshëm edhe në edicionin e tij të tretë.

Organizimi mblodhi në shesh, përveç banorëve të Përmetit, edhe turistë të shumtë. Në sheshin e qytetit pati panair me gatime nga gjyshet përmetare, punime artizanale si dhe i shumëprituri koncerti me sazet përmetare, ku interpretuan të mirënjohurit Vaskë Curri, Irini Qirjako, Myfarete Laze, Devis Xherahu e Fifi.

Ky ishte viti i tretë radhazi që organizohet në Përmet, kjo festë e veçantë, dedikuar gjysheve.

“Festivali i gjysheve” pati mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe bashkisë së Përmetit./ATSH

Festivali i Gjysheve – Nona, Përmet

Observerkult

Lexo edhe:

PËRMETI, QYTETI I TRËNDAFILAVE, I VERËS DHE I GLIKOSË SË ËMBËL

Përmeti, qyteti i trëndafilave, i verës dhe i glikosë së ëmbël. Qyteti i qetë, i mikpritjes në çdo stinë. Përmeti nuk i lë asnjëherë vizitorët të largohen pa i provuar glikotë e shumëllojshme të gatuara nga amvisat.

Ky produkt disavjeçar i kërkuar nga të gjithë, vendas dhe të huaj. Nga duart e amvisave në shtëpi, tani ka krijuar punishte të vogla, për të kënaqur dëshirën e të gjithëve.

Nëse ka diçka për të cilën përmetaret nuk lodhen kurrë së treguari janë llojet e ushqimeve që ato gatuajnë. Në dasma ato kanë zakon që të parën për qerasje të nxjerrin glikonë e arrës. E cila është e mbushur me një thelpi bajameje, e pas saj ëmbëlsira vazhdon me glikotë e shalqirit, fikut dhe portokallit.

Tradita e gatimit të glikosë…

Tradita e gatimit të glikosë në këtë zonë ka vazhduar me breza. Thana, molla e egër, shega, kumbulla, e të tjera fruta merren nga në zonat e thella të Përmetit. Atje ku natyra i rrit këto pemë në mënyrën e saj të natyrshme e të egër.

Duke u shndërruar në një pikë të veçantë turistike, edhe vetë familjet përmetare po hedhin hapat e parë të zhvillimit të agroturizmit. Tradita e gatimeve të njohura përmetare, sikundër ajo e prodhimit të reçelrave dhe glikove. E rakisë së njohur, kanë vendin e tyre në mozaikun e agroturizmit duke u shndërruar në një shtysë shumë të fortë e ekonomisë dhe punësimit familjar.

Pastërtia, kujdesi dhe tradita për prodhimin e glikosë, mbretërojnë në çdo rrugicë të këtij qyteti të vogël. Me një pozicion gjeografik të mrekullueshëm, buzë lumit të Vjosës, kur je në Përmet ndjen vërtetë se çfarë arome ka natyra. Nuk ke mendime, por vetëm dëshirën për ta shijuar qetësinë dhe pastërtinë e këtij qyteti.