Festivali i Resë që çdo edicion mbledh artistët më të mirë nga Shqipëria dhe jo vetëm, rikthehet edhe këtë vit, pavarësisht se në kushte jo normale. Pandemia nuk e ndali festivalin, i cili i dedikohet në tërësi promovimit të kulturës, artistëve, folklorit shqiptar e artit kontemporan.
Nga data 21 korrik deri në 2 gusht të gjithë qytetarët e kryeqytetit shqiptar do të kenë mundësi të shijojnë performanca artistike të zhanreve dhe zonave të ndryshme, duke nisur nga Tepelena e deri në Gjakovë. Mbi 100 artistë, veteranë të traditës, por edhe ata të skenës së artit bashkëkohor do të performojnë në Renë e Fujimotos për 13 ditë me radhë.
Festivali i Resë do të hapet nga Grupi i Bënçës, që prezanton më së miri traditën e iso polifonisë dhe gjatë netëve të tjera do të ketë performanca nga artistë të njohur si Gjergj Prevazi, Robert Bisha, Klod Dedja etj. Nuk do të mungojnë as artistët e rinj si Blendi Shahu, Sarah Ferhati, Burim Tefalica, Fjorald Doci apo muzikantë të traditës si violinisti Eraldo Feto apo kontrabasisti Dritan Hekurani. Po dhe artistë me famë ndërkombëtare si Sislej Xhafa apo Besa Berberi do të jenë të pranishëm në këtë festival, transmeton ‘shekulli’.
Festivali i Resë do të mbahet në ambient të hapur, por sigurisht duke ruajtur edhe distancën fizike. Drejtoresha e tij, Edit Pula, shprehet se ky festival vazhdoi traditën edhe në këto momente të vështira, për t’ju ardhur në ndihmë artistëve që prej kohësh kanë pezulluar aktivitetet e tyre, me të cilat mbajnë gjallë shpirtin e shtëpinë.