Festivali i të Drejtave të Njeriut në Tiranë ndez ekranin në kohë pandemie

Nëpërmjet 41 filmave që flasin për të drejtat e njeriut, edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut synon që të ndikojë te qytetarët edhe në kohë pandemie.

Të hënën mbrëma në akademinë e filmit dhe multimedias “Marubi” në Tiranë ka nisur edicioni i 15-të i Festivalit që ka pranuar rreth 3500 aplikime që projektet kinematografike të jenë përballë qytetarëve shqiptarë. Në një konferencë për media, drejtori ekzekutiv i Festivalit, kineasti Kujtim Çashku, ka thënë se nuk është e lehtë që të mbahet vazhdimësia duke pasur parasysh rrethanat në të cilat po organizohet.

“Nuk është e lehtë të krijosh e të ruash tradita, veçanërisht në këtë periudhë që po kalojmë për shkak të pandemisë. Mendoj se duhet bërë e pamundura që ritualet kulturore të mbahen”, ka thënë ai.

Sipas Çashkut, beteja të tilla po bëhen në mbarë botën. Ka thënë se edhe Festivali i Venecias po zhvillohet për të mos humbur traditat që konsolidojnë hartën kulturore evropiane.

“Ky festival që ne po zhvillojmë nuk është vetëm pjesë e hartës evropiane, por dhe asaj botërore, pasi ne jemi anëtarë të një rrjeti me 41 festivale për të drejtat e njeriut, që nuk kanë vetëm karakter kulturor, por edhe politik. Qëllimi i tyre është të ndërgjegjësojë shoqërinë për fenomene që ndodhin shumë pranë tyre”, ka thënë ai, transmeton ‘koha.net’.

Çashku ka treguar se filmat trajtojnë një gamë të gjerë tematikash që prekin tema globale, të cilat hasen edhe në shoqërinë shqiptare, ndonëse në fokus janë të drejtat e grave dhe fëmijëve”, ka thënë Çashku.

Në krye të bordit që ka përzgjedhur filmat është ish-zëvendësambasadori i OSBE-së, Robert Wilton, përkthyes, shkrimtar, historian. Ai ka thënë se iniciativa të tilla bëhen më shpresëdhënëse për ta kaluar sa më lehtë këtë situatë të jashtëzakonshme. Sipas tij, edhe në Shqipëri barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm temë e bisedave televizive e tryezave elitare, po të shkojë edhe te shtresat më në nevojë.