Festivali i Venecias me shkëlqim në pandemi thekson fuqinë e filmit

(“Idiewire”, “The Guardian”) – Maskat, distanca sociale dhe matja e temperaturës janë ato që po i japin një ndjenjë krejtësisht tjetër Festivalit të Filmit në Venecia, gjersa organizatorët po sigurohen që të mbajnë një ngjarje të sigurt, në periudhën kur po rritet numri i rasteve me COVID-19 në Evropë. Ai ka ndërruar pozitën nga ngjarja më e rëndësishme dhe e ndritshme në industri, te e vetmja që po mbahet fizikisht qëkur filloi pandemia. Por glamuri nuk ishte se i mungoi në hapjen solemne të mërkurën mbrëma.

Paraqitjet e yjeve, si aktori 56-vjeçar Matt Dillon, modelistja Taylor Hill, aktori Charles Dance, aktoret Cate Blanchett, Tilda Swinton, Ludivine Sagnier e dëshmuan këtë, ani pse sivjet pjesëmarrja e yjeve ishte dukshëm më e vogël. Kushdo që u bë pjesë e këtij edicioni u detyrua që veshjeve t’ua shtonte edhe maskën si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Po ashtu në mënyrë strikte u kërkua mbajtja e distancës. Kjo u vu re sidomos gjatë fotografimit të yjeve në tepihun e kuq. Në anën tjetër, gazetarët të cilët huazonin varka për të ndjekur yjet nëpër “Lido” i filmuan yjet që kishin ardhur në hapje, nga një vend i veçantë larg tepihut të kuq. Rojat matnin temperaturat pas gati çdo grupi dhe asnjë afrim apo grupim nuk u lejua.

E mysafirëve u është dërguar një listë informuese në lidhje me COVID-19, përfshirë edhe informatat për kalimin nëpër matës të temperaturave që në hyrje të festivalit dhe se do t’i mohohet hyrja kujtdo që ka temperaturë 37.5 gradë celsius apo më shumë. Udhëzimi po ashtu tregon se maska në fytyrë duhet që të mbahet gjatë gjithë kohës edhe në hapësirat e hapura. Festivali pati konfirmuar se çdo vizitori nga vendet jashtë zonës Schengen do t’i duhet që të bëjë dy teste të detyrueshme – një para udhëtimit për në ngjarje dhe tjetrin me të arritur.

Edicioni i sivjetmë i 77-të, që përfundon më 12 shtator, nisi me një homazh për kompozitorin e famshëm italian Ennio Morricone, që vdiq më 6 korrik të këtij viti në moshën 92-vjeçare, dhe me një mesazh për unifikim nga drejtorët e festivaleve evropiane dhe yje të fushës së kinematografisë. Mesazhet që i përgjigjeshin pyetjes se çfarë është kinemaja u shfaqën në ekranin e madh brenda hapësirës ku u mbajt ceremonia solemne, transmeton ‘koha.net’.

Regjisori, aktori e producenti George Clooney ka thënë se kinemaja është e nevojshme, sepse është një fotografi çasti, saktësisht ajo që na bën të pikëlluar apo të lumtur. E aktorja britanike Olivia Williams ka thënë se kinemaja është mënyra më e mirë për të ndaluar një konflikt dhe mënyra më e mirë për të kuptuar nëse ju e dashuroni dikë.