Mbrëmjen e djeshme në orën 19:00 u çel konkurrimi i “Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit”.
Shfaqja e parë e këtij festivali ka qenë “Makbeth” nga U.Shekspir dhe me regjinë e Diana Dobreva. Ky projekt është një shfaqje e vënë në skenë nga trupa profesioniste e teatrit të Shkupit në Maqedoninë e Veriut.
Publiku mbrëmjen e djeshme ka ndjekur një “Makbeth “ ndryshe ku elementë të rëndësishëm ishin mjeshtëria e interpretimit të aktorëve në këtë shfaqje si dhe dekori dhe objektet minimale të përdorur.
Ideja që njerëzit luftojnë kaq gjatë për pushtetin në jetën e tyre kaq të shkurtër. Dhe vdekja e besimit në jetë, erdhën më së miri në këtë shfaqje. Ambicja dhe nevoja për pushtet të çojnë deri në humbjen e botës shpirtërore. Dhe madje deri në skizofreni.
LEXO EDHE: “TEATRI I OPERAS, S’MUND TË VAZHDOJË ME ATË LOGO- NË JURI MUNGONIN EKSPERTËT”
Në këtë shfaqje elegante interpretuan aktorët: Muzbajdin Qamili në rolin e mbretit Makbeth, Teuta Ajdini Jegeni, Beqir Nuredini, Vebi Qerimi. Zonja Makbeth u interpretua nga Drita Kaba Karaga, magjistrica nga Amernis Nokshiqi. Aktorë të tjerë janë Zarije Jonuzi, Mirlinda Saiti, Fisnik Zeqiri, Genci Mirzo etj.
Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit” do të vazhdoj deri më datë 15 mars, mbrëmje ku do të ndahen edhe çmimet për shfaqjen më të mirë, aktorët më të mirë dhe të tjera kategori të rëndësishme./ATSH